Lajme Zone
Laura Pausini zbulon bestytninë e pazakontë: Numri 9 i sjell ters, shmang edhe Binjakët
KulturëGazeta Tema

Laura Pausini zbulon bestytninë e pazakontë: Numri 9 i sjell ters, shmang edhe Binjakët

Laura Pausini ka rrëfyer disa nga bestytnitë më të pazakonta që ka ndjekur gjatë jetës së saj, duke zbuluar se numri 9 ka një kuptim veçanërisht negativ për të.

Laura Pausini ka rrëfyer disa nga bestytnitë më të pazakonta që ka ndjekur gjatë jetës së saj, duke zbuluar se numri 9 ka një kuptim veçanërisht negativ për të.

Gjatë një interviste në podcastin “Supernova” të Alessandro Cattelan, këngëtarja italiane tregoi se gjithçka lidhet me vdekjen e gjyshit të saj, i cili ndërroi jetë më 9 janar.

Ai ishte personi i parë i afërt që Pausini humbi dhe, pas kësaj ngjarjeje, këngëtarja nisi ta konsideronte numrin 9 si një numër ters për veten dhe familjen e saj.

Për këtë arsye, ajo ka vendosur të mos publikojë këngë apo albume dhe të mos nisë turne në datat 9, 19 apo 29. Madje, 9 shtatorin, që përkon me datën 09/09, ajo preferon ta kalojë në shtëpi dhe nuk punon.

Por bestytnitë e saj nuk ndalen këtu. Pausini tregoi se ka gjithashtu një mosbesim të veçantë ndaj personave të shenjës së Binjakëve.

Sipas rrëfimit të saj, kjo bindje ka ndikuar madje edhe në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve. Kur shqyrtonte CV-të e personave që mund të punonin me të, këngëtarja thotë se shmangte ato të njerëzve të lindur nën shenjën e Binjakëve.

Pausini foli gjithashtu për një periudhë të vështirë gjatë pandemisë së Covid-19, kur, pavarësisht se ishte nominuar për Golden Globe dhe Oscar, kishte menduar të hiqte dorë nga muzika.

“Shumë miq të mi humbnin miq ose prindër nga Covid-i, ndërsa unë nominohesha për Oscar dhe Golden Globe. E kisha humbur shumë dëshirën dhe kisha vendosur që nuk doja të këndoja më”, rrëfeu ajo.