Milani dhe e gjithë bota e futbollit janë në zi. Në moshën 66-vjeçare, të cilën e festoi më 8 maj, Franco Baresi ka ndërruar jetë. Sublimja dhe klasikja ishin kategoritë që mishëronte Franco Baresi, fytyra e të cilit mbante brazda si ato të disa statujave në muzetë e antikitetit. Edhe Gigi Riva ishte gdhendur në të njëjtën mënyrë. Ka fytyra që duket sikur lindin të destinuara t'i mbijetojnë kohës, dhe e njëjta gjë vlen edhe për disa gjeste të trupit. LEXO edhe...Vdekja e Baresit, Malago: Një simbol kombëtar! UEFA: Mbrojtësi më i mirë i të gjitha kohërave Ndërhyrja rrëshqitëse paraprirëse e Baresit. Baresi që rikuperon topin dhe, në të njëjtin çast, e shndërron mbrojtjen në sulm, duke bashkuar dy fazat e lojës në një të vetme, të salduara nga një klas i pakufishëm. Koha e përkryer e ndërhyrjeve të Baresit. Përshpejtimet e tij. Krahu i ngritur i Baresit: "Arbitër, është pozicion jashtë loje." Ecja e tij jashtëzakonisht elegante, gjithmonë me kokën lart, ndërsa ajo kokë mbulohej nga kaçurrelat. Shpina e lehtë e harkuar dhe fuqia e tij e jashtëzakonshme në përplasje, si një kamion. Vështrimi i Baresit, sikur përreth atij absolute, jo vetëm futbollistik, të hapej papritur një heshtje e plotë. "Kundërshtarët nuk shikonin topin dhe as lojën; ata shikonin vetëm Baresin", ka thënë Valdano. Sepse Baresi ishte, mbi të gjitha, një njësi matëse. Një vit më parë i kishin hequr një nodul në mushkëri, dhe dihet se në raste të tilla fjala është pothuajse gjithmonë një perde, një mënyrë për të fshehur diçka tjetër. Dukej se ishte rimëkëmbur. "Më e keqja ka kaluar; edhe kësaj here u përpoqa, edhe kësaj here askush nuk më dhuroi asgjë", tha ai me një zë të mekur në një intervistë për La Repubblica në shkurt pasi u shfaq si mbajtës i pishtarit olimpik në San Siro, përkrah Bergomit. Masa me të cilën mund të matet madhështia e pakufishme e Franco Baresit është historia. Ai është ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave në botë. Më i mirë Baresi apo Scirea? Po Beckenbauer, që ishte babai futbollistik i të dyve? Për Bearzotin, më i mirë ishte Scirea, edhe pse “vogëlushin”, "i moshuari" e mori me vete në Spanjë në vitin 1982: nuk luajti asnjë minutë, por gjithsesi u shpall kampion bote. Franco dhe Gaetano ishin mesfushorë të zhvendosur në mbrojtje; juventini ishte më i aftë në ndërtimin e sulmit, ndërsa milanisti më i fuqishëm në mbrojtje. Megjithatë, të dy ishin regjisorë të lojës. Njeriu i fundit i mbrojtjes dhe, njëkohësisht, i pari, në çastin kur ideja merrte në zotërim kohën dhe vinte momenti për të krijuar, për të ndërtuar. Regjisorë të tërhequr prapa, që sipas nevojës bëheshin edhe mesfushorë shkatërrues, edhe mesfushorë të avancuar. Baresi dhe Scirea ishin kampionë të pabesueshëm, të shumëanshëm, të bashkuar nga një interpretim krejt personal i heshtjes. Është e vështirë që një lider të jetë pothuajse i heshtur; ata të dy ishin të tillë, sepse fliste mënyra e tyre e të qenit në jetë dhe në fushën e lojës. Të gjithë e dinë se Franco Baresi formoi atë që ndoshta ishte mbrojtja më e shkëlqyer i të gjitha kohërave, së bashku me Tassottin, Costacurtën dhe Maldinin. Ai Milan, klubi më i madh në histori? Ndoshta po. Me fanellën e Milanit, skuadrën e vetme të karrierës së tij përveç Kombëtares, Baresi zhvilloi 719 ndeshje, ndërsa fanella legjendare me numrin 6 u tërhoq përgjithmonë. Më parë, kjo nuk kishte ndodhur kurrë për asnjë lojtar. Megjithatë, ai djalosh mund të ishte bërë interist, po të mos ishte refuzuar në moshën 12-vjeçare në provën me Interin, sepse u gjykua tepër i brishtë fizikisht. Edhe te Milani iu desh të paraqitej tri herë përpara se t'i bindte trajnerët dhe vëzhguesit. Por pjesa tjetër është vetëm histori. Histori është edhe Italia '90, me atë vend të tretë që dukej shumë pak për një kombëtare kaq madhështore. Histori është edhe SHBA '94, ku Baresi realizoi një nga arritjet më të jashtëzakonshme të karrierës së tij. Në ndeshjen kundër Norvegjisë dëmtoi meniskun. U operua dhe, vetëm 24 ditë më vonë, ishte gati për finalen kundër Brazilit. Luajti të gjitha 120 minutat, duke neutralizuar Romárion dhe Bebeton. Por në fund, ngërçet muskulore e tradhtuan. Megjithatë, nuk iu shmang përgjegjësisë për të goditur penalltinë. Fatkeqësisht, topi përfi shumë mbi traversë. Lotët e tij pas ndeshjes mbeten të gdhendur në kujtesë: një afresk ku heroi i mundur i dorëzohet fatit, jo mungesës së guximit. Ai nuk ishte shumë i gjatë, vetëm 1.76 metra, por sa i madh ishte si futbollist. I lindur në provincën e Brescias, vëllai i Beppe Baresit të Interit dhe sa fotografi simbolike janë bërë gjatë derbeve mes tyre, Franchino, siç ishte regjistruar në gjendjen civile, mbeti jetim nga babai në moshën 14-vjeçare. Që nga ai moment filloi të kursente fjalët, por kurrë jo energjinë e trupit dhe dinamizmin e tij në fushë. Ishte Nils Liedholm ai që e bëri titullar të padiskutueshëm. Kur në vitin 1987 Arrigo Saçhi mbërriti te Milani dhe u tregoi lojtarëve në video lëvizjet e vijës mbrojtëse të Parmës, veçanërisht ato të liberos Signorini, disa ngritën vetullat. Edhe Baresit, të themi të drejtën, iu duk paksa e tepruar. Por vetëm dy sezone më vonë, "vogëlushi" u rendit i dyti në garën për Topin e Artë, menjëherë pas Marco van Bastenit, një tjetër yll i Milanit të atyre viteve të jashtëzakonshme. Për pesëmbëdhjetë vjet mbajti shiritin e kapitenit dhe realizoi profecinë e Gianni Riverës, i cili kishte parë tek ai dritën e së ardhmes: "Ky djalë do të bëjë rrugë të madhe." Kur Milani fitoi titullin e dhjetë kampion, me Franco Baresin ende pjesë të skuadrës, ishte pikërisht Rivera ai që insistoi që edhe djaloshi të merrte shpërblimin prej 50 milionë lirash. Nuk ishte një dhuratë e pamenduar, por një homazh për të ardhmen. Ishin duart e Baresit, i lindur në vitin 1960, por mbi të gjitha i pajisur me një klas të pamasë, ato që lanë gjurmët e para mbi të gjithë trofetë e fituar nga Milani "holandez", veçanërisht mbi tre Kupat e Kampionëve, të cilat rrallëherë e kanë merituar emrin e tyre aq shumë, duke parë numrin e jashtëzakonshëm të kampionëve në atë skuadër. Mes tyre, numri 6 ishte më klasiku nga të gjithë. Edhe ai, si shumë sportistë të asaj epoke të mrekullueshme, u largua nga jeta shumë herët. Ndoshta dikush në qiell deshi t'i kishte pranë vetes djemtë tanë. Ndoshta kështu vidhet parajsa./La Repubblica Ora 11:40 Maldini për Baresin: Më ke mbrojtur kur isha fëmijë, më ke udhëzuar si i ri dhe më ke frymëzuar si burrë Ish-kapiteni dhe ish-drejtuesi i Milanit, Paolo Maldini i ka bërë homazh të ndjerit Franco Baresi. Maldini dhe Baresi kanë qenë bashkëlojtarë, në kohën kur Paolo ishte shumë i ri."Lamtumirë Franco! Sot po përjetojmë të njëjtën ndjenjë si atëherë kur, për disa arsye, nuk mund të futeshim në fushë përkrah kapitenit tonë; si do ia bëjmë pa kapitenin tonë?Ti më mësove të luftoj deri në frymën e fundit, çfarë nënkupton bashkëngjitja me fanellën dhe vlera e të qenit një lider i vërtetë. E ke bërë me shembullin, çdo ditë; pak fjalë, por kaq shumë fakte. Më ke mbrojtur kur isha fëmijë, më ke udhëzuar si i ri dhe më ke frymëzuar si burrë.Ti ishe futbollisti më i fortë që kam pasur nderin të luaj në një ekip. Një përqafim i dashur për të gjithë familjen tënde, veçanërisht për gruan tënde Maura dhe fëmijët e tu, Edoardo dhe Giannandrea. Do të na mungosh kapiten. Por drita e yllit tënd do të vazhdojë të na shoqërojë përgjithmonë", shkruan Maldini. Share Ora 11:13 Igli Tare për Baresin: Lamtumirë legjendë, ishte nder që të njoha Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Milanit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Franco Baresit, legjendës së klubit kuqezi. Tare thotë se ka qenë një nder i madh që ka njohur Baresin."Lamtumirë legjendë, ishte nder i madh që të njoha. Pusho në paqe!", shkruan Igli Tare në 'Instagram'.Baresi u nda nga jeta sot në moshën 66-vjeçare teksa ishte në luftë me sëmundjen.Postimi i Tares Share Ora 10:42 Vdekja e Baresit, Malago: Një simbol kombëtar! UEFA: Mbrojtësi më i mirë i të gjitha kohërave Franco Baresi, ish-kapiteni legjendar i Milanit dhe nënkryetar nderit i klubit kuqezi, është ndarë sot nga jeta në moshën 66-vjeçare."I konsideruar gjerësisht si një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit, Baresi revolucionarizoi rolin e mbrojtësit, duke udhëhequr me autoritet prapavijën e pathyeshme të Milanit gjatë një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit, si në Itali ashtu edhe në Evropë", shkruan UEFA.Gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist, Baresi veshi vetëm fanellën e Milanit. Ai mbajti shiritin e kapitenit për 15 sezone, duke fituar 3 Kupa të Kampioneve / UEFA Champions League, 2 Superkupa të Evropës, 6 tituj kampionë të Serie A, 4 Kupa të Italisë dhe 2 Kupa Ndërkontinentale."E gjithë historia e Milanit është në lot pas ndarjes nga jeta të Franco Baresit," thuhet në deklaratën zyrtare të klubit. "Shembulli, integriteti dhe përkushtimi i tij do të mbeten përgjithmonë të gdhendur në ADN-në e klubit, ashtu si edhe fanella e tij ikonike me numrin 6. Në këtë moment të vështirë, AC Milani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Baresi, një dhimbje që ndihet si e përbashkët nga çdo zemër kuqezi."Në nivel ndërkombëtar, Baresi shënoi një gol në 81 ndeshje me kombëtaren e Italisë. Ai ishte pjesë e skuadrës në Euro 1980 dhe Euro 1988, ndërsa në vitin 1982 u shpall kampion bote me Italinë. Më vonë u bë kapiten i "Azzurrëve", duke i udhëhequr deri në finalen e Kupës së Botës 1994.Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malago, deklaroi:"Futbolli italian humbet një nga legjendat e tij, një kampion të jashtëzakonshëm që gjatë gjithë karrierës së tij veshi vetëm dy fanella, atë të Milanit dhe atë të kombëtares italiane. Do ta nderojmë ashtu siç e meriton në ndeshjet e ardhshme të kombëtares, ndaj së cilës ai tregoi gjithmonë një dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, duke u bërë një nga simbolet më të lavdishme të futbollit italian." Share Ora 10:22 Baresi mbeti pa 'Topin e Artë', por ia dhuroi Berlusconi! Në shtëpinë e tij qëndron ende një kopje origjinale e trofeut Franco Baresi mbetet një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit, edhe pse nuk arriti kurrë të fitonte zyrtarisht 'Topin e Artë'. Legjenda e Milanit bën pjesë në listën e futbollistëve të mëdhenj që nuk e ngritën kurrë trofeun prestigjioz individual, së bashku me emra si Paolo Maldini, Gianluigi Buffon, Andres Iniesta dhe Zlatan Ibrahimovic.Megjithatë, ish-kapiteni kuqezi kishte në shtëpinë e tij një version origjinal të 'Topit të Artë', falë një gjesti të veçantë nga ish-presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi.Në një intervistë të dhënë për gazetën italiane 'Il Giornale', Baresi kishte rrëfyer se gjithçka ndodhi pas ceremonisë së vitit 1989, kur ai u rendit i dyti në garën për 'Topin e Artë', pas Marco Van Basten, ndërsa Frank Rijkaard përfi në vendin e tretë.“Në edicionin e Topit të Artë të vitit 1989 unë u rendita në vendin e dytë, pas Marco Van Basten dhe para Frank Rijkaard. Podiumi ishte tërësisht i Milanit. Në atë rast, presidenti Berlusconi më dhuroi një version origjinal të Topit të Artë”, kujtonte Baresi.Viti 1989 shënoi kulmin e suksesit të Milanit të drejtuar nga Arrigo Sacchi, me kuqezinjtë që dominuan futbollin evropian dhe botëror, ndërsa tre vendet e para të 'Topit të Artë' u pushtuan nga futbollistët e klubit italian.Franco Baresi ndërroi jetë sot në moshën 66-vjeçare. Share Ora 09:11 U rrit në një fermë dhe nuk pa futboll, Milani tërhoqi numrin 6 në nder të tij! 'Ose ti ose topi, kurrë të dy', kush ishte Franco Baresi Milani mban zi për Franco Baresin. Ikona dhe legjenda e kuqezinjve, një nga mbrojtësit më të mëdhenj në histori, ka ndërruar jetë këtë mëngjes në moshën 66-vjeçare pasi vitin e kaluar kishte kaluar një operacion në mushkëri.Deri në moshën dhjetë vjeçare ai u rrit në një fermë dhe nuk kishte parë futboll në televizor. Pas tërheqjes nga Milani ku kaloi 20 sezone, 15 si kapiten, klubi kuqezi tërhoqi në vitin 1997 numrin 6 në nder të tij. Ai njihet për shprehjen e famshme 'ose ti ose topi, kurrë të dy', duke qenë një nga qendërmbrojtësit më të mëdhenj në histori.Në vitin 1989 Baresi u rendit i dyti pas Marco van Basten dhe nuk e fitoi kurrë 'Topin e Artë', por Silvio Berlusconi i dhuroi një kopje të origjinalit për gjithçka ai dha në fushë. Edhe në vdekje ai u lidh pas numri 6-të.KAPITENI - Je i përjetshëm, edhe kur nuk je më mes nesh. Franco Baresi u dorëzua në ndeshjen e tij të fundit, atë më të pamëshirshmen, betejën me sëmundjen. Futbolli italian dhe ai botëror janë në zi, ndërsa Milani i jep lamtumirën flamurit të tij më të madh. Një jetë e tërë e kaluar me besnikëri absolute ndaj një fanele, e ndërprerë nga një sëmundje që vitet e fundit e detyroi Francon të luftonte pa pushim, gjithmonë me kokën lart. Kështu largohet një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave, një shembull që u respektua edhe nga kundërshtarët e tij më të mëdhenj.FRANCO BARESI - I mësuar të përballej me vështirësi që në fëmijëri, Baresi tregoi që i vogël një karakter të jashtëzakonshëm. Ai spikati te Unione Sportiva Oratorio në Travagliato, një qytet i vogël pranë Brescias. Vetëm 14 vjeç mbeti jetim dhe në vitin 1974, u bë pjesë e familjes që nuk do ta braktiste kurrë, Milanit, falë rekomandimit të drejtuesit të klubit, Guido Settembrino.Fati luajti një lojë të çuditshme. Vëllai i tij, Beppe, dy vjet më i madh dhe tifoz i Milanit, u pranua në akademinë e Interit. Ndërsa Franchino, që ishte tifoz i Interit, u mor nga Milani pasi u refuzua nga skuadra e zemrës, sepse konsiderohej shumë i dobët fizikisht. Ishte syri i mprehtë dhe intuita e Italo Galbiatit, i cili mbeti i mahnitur nga teknika e tij, që ndryshuan rrjedhën e historisë.Me flokët biondë, teknikë të shkëlqyer dhe pamje të brishtë, ai shpesh mashtronte kundërshtarët, të cilët e kuptonin forcën e tij vetëm pas ndërhyrjes së parë. Masazhatori Mariconti i vendosi nofkën "Piscinin", që në dialektin milanez do të thotë "i vogli", një nofkë që do ta shoqëronte përgjithmonë.NGRITJA - Hapi i parë i madh erdhi me Nils Liedholm në stol. Më 23 prill 1978, tekniku suedez i dha debutimin në Serie A. Milani fitoi 2-1, një rezultat që për supersticiozin Liedholm ishte shenjë e mirë. Por ai nuk e aktivizoi Baresin si hajmali, besoi tek ai pa rezerva dhe sezonin pasues e bëri një nga protagonistët e skuadrës që fitoi titullin e dhjetë kampion, duke vendosur yllin e shumëpritur mbi stemë.Që në fillim u kuptua se Baresi nuk ishte kampion rastësisht. Një nga mbështetësit e tij më të mëdhenj ishte Gianni Rivera, i cili pa tek ai talentin e një futbollisti të jashtëzakonshëm. Nuk ishte vetëm çështje teknike, por edhe karakteri dhe personaliteti.Gjatë një ndeshjeje të turneut "Città di Milano" kundër Flamengos, në San Siro, Baresi i kërkoi topin vetë Riverës: "Atëherë, ma pason?" Rivera nuk u mërzit, përkundrazi, admiroi guximin e djaloshit, duke kuptuar se ai jo vetëm dinte të organizonte lojën dhe mbrojtjen, por kishte edhe autoritet natyral. Aq sa, vetëm 22 vjeç, Franco u emërua kapiten i Milanit.RËNIET - Pas sukseseve erdhën edhe goditjet. Rënia e parë nga kategoria, pas skandalit të Totoneros, ishte një tronditje e rëndë. Ngjitja e menjëhershme në Serie A i hapi dyert e kombëtares së Enzo Bearzotit.Pak më vonë u përball me një tjetër provë, një virus e detyroi të qëndronte jashtë fushës për tre muaj e gjysmë. Shumë dyshuan nëse, vetëm 21 vjeç, do të rikthehej ndonjëherë në nivelet e mëparshme. Por ai u kthye edhe më i fortë.Megjithatë nuk mundi të shmangte një tjetër zhgënjim, rënien e dytë të Milanit në vitin 1982. Edhe kështu, Bearzot e mori në Kupën e Botës në Spanjë. Ishte zëvendësi i legjendës Gaetano Scirea. Nuk luajti asnjë minutë, por u shpall kampion bote pas triumfit në finalen e Madridit.SUKSESET - Pas Botërorit, klubet më të mëdha kërkonin ta blinin. Ishte kthyer në një nga mbrojtësit më të kërkuar në Evropë. Megjithatë, pavarësisht ofertave joshëse, ai zgjodhi të qëndronte te Milani.Besnikëria e tij u shpërblye. Edhe pse klubi kalonte periudha të vështira, ai mbeti shtylla e skuadrës. Gjithçka ndryshoi në vitin 1986, kur Silvio Berlusconi e shpëtoi Milanin nga falimentimi dhe nisi projektin e madh të rilindjes.Një vit më vonë erdhi Arrigo Sacchi. Fillimi nuk ishte i lehtë, por Baresi u bë interpreti perfekt i filozofisë së tij. Me ardhjen e Gullit dhe Van Bastenit, Milani fitoi kampionatin në vitin 1988. Në vitin 1989, me Frank Rijkaard në skuadër, erdhi edhe triumfi në Kupën e Kampioneve.Pasoi dominimi absolut në Evropë, me një tjetër Kupë Kampionesh në vitin 1990. Baresi ngriti trofe pas trofeu, por nuk ndryshoi kurrë. Nuk kishte nevojë të bërtiste, mjaftonte një shikim i tij që shokët ta kuptonin menjëherë çfarë duhej bërë.Përkushtimi i tij ishte aq i madh, sa pranoi edhe situata të vështira, si nata e famshme e "errësirës së Marsejës", kur, duke ndjekur vendimin e drejtuesve, u largua me skuadrën nga stadiumi "Vélodrome".KURRË MOS U DORËZO - Pas largimit të Sacchit dhe ardhjes së Fabio Capellos, shumë menduan se cikli i Baresit dhe i Milanit kishte përfunduar. Capello preku krenarinë e kapitenit dhe të lojtarëve të mbetur nga epoka e Sacchit.Rezultati ishte i jashtëzakonshëm, Milani fitoi edhe katër tituj kampionë dhe Kupën e Kampioneve të vitit 1994.Në Kombëtare, për Sacchin, Baresi ishte i paprekshëm. Në vitin 1992 ai u tërhoq, por trajneri e bindi të rikthehej. Në Botërorin e vitit 1994 në SHBA, Baresi udhëhoqi Italinë deri në finalen kundër Brazilit.Në penalltitë vendimtare ai ishte i pari që gaboi. Lotët e tij pas humbjes prekën gjithë Italinë. Ishte një njeri i rezervuar, por me ndjenja të thella.Me bashkëshorten Maura, të cilën e njohu në fillim të viteve '80 në Toskanë, krijoi një familje dhe pati dy djem, Edoardo dhe Gianandrea.Pas largimit nga kombëtarja pati më shumë kohë për familjen. Fitoi edhe titullin e vitit 1996 me Milanin, por vitet po bënin të vetën. Sezoni 1996-97 ishte zhgënjyes dhe, në qershor 1997, vendosi t'i jepte fund karrierës.Fanella e tij legjendare me numrin 6 u tërhoq përgjithmonë nga Milani, në shenjë nderimi.Më pas u emërua zëvendëspresident i klubit dhe u mor me ekipin Primavera. Në vitin 2002 pati të vetmen përvojë larg Milanit, si drejtor teknik i Fulhamit në Angli, por aventura zgjati më pak se tre muaj për shkak të mosmarrëveshjeve me trajnerin Jean Tigana.Që prej asaj kohe, lidhja e Franco Baresit me Milanin mbeti e pandashme. Dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Të gjithë në këmbë për "Piscinin". Share P.J/S.Dh/ReportTv.al serie a Milan Franco Baresi itali Komento Komente Sondazhi i ditës: Si iu duket propozimi i PS-së që nga 61 të kalohet në 46 bashki? I drejtë 61.6% I gabuar 30.9% I/e dyzuar 7.6% Vota total: 1990 Sondazhi i ditës: Si iu duket propozimi i PS-së që nga 61 të kalohet në 46 bashki?

