Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka apeluar për më shumë ndërgjegjësim dhe përgjegjësi nga të gjithë përdoruesit e rrugës, duke theksuar se, megjithëse aksidentet rrugore kanë shënuar një trend rënës ndër vite, ato vijojnë të jenë shkaktari kryesor i humbjeve të jetëve njerëzore. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ministri Lamallari nënvizoi se respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor mbetet faktor kyç për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. “Nuk është kurrë mjaftueshëm ndërgjegjësimi mbi nevojën e respektimit të normave të drejtimit të automjetit dhe sigurisë rrugore. Do të vijojmë çdo ditë me apelin për ndërgjegjësim, mbikëqyrje dhe sanksionim me qëllim parandalimin e humbjeve në jetë njerëzore dhe lëndimin e qytetarëve”, shprehet ministri. Ai theksoi se Policia e Shtetit vijon kontrollet intensive në të gjitha akset kryesore të vendit, duke përdorur makinat inteligjente, radarët dhe dronët për monitorimin e qarkullimit dhe evidentimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë rrugore. Ministri Lamallari bëri të ditur gjithashtu se projekti Smart City, i cili pritet të vihet në funksion së shpejti, përfaqëson investimin më të madh të qeverisë shqiptare në fushën e sigurisë rrugore. “Smart City vjen së shpejti si investimi më i madh i qeverisë shqiptare për sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit”, theksoi ministri. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, kufijtë e shpejtësisë dhe të shmangin çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

