Pete Hegseth, sekretari amerikan i luftës. Foto: ANSA. Inteligjenca artificiale po e bën gjithnjë e më të lehtë krijimin e lajmeve dhe videove të rreme, ndërsa frika nga ndërhyrjet e huaja rikthen në qendër të debatit sigurinë e zgjedhjeve amerikane. Në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, shqetësimet në SHBA shtrihen nga manipulimi i informacionit deri te mundësia e pranisë së forcave të sigurisë pranë qendrave të votimit... Votimi me postë, ndërhyrjet e huaja dhe siguria e procesit zgjedhor, kanë qenë prej kohësh pjesë e debatit politik në SHBA. Por, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit të nëntorit, çështja po merr një dimension të ri, veçanërisht për shkak të zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar Departamentin e tij të përdorë kapacitetet e inteligjencës dhe të sigurisë kibernetike për të mbrojtur infrastrukturën zgjedhore nga ndërhyrjet e huaja.
Në një memorandum të datës 22 shtator, Hegseth kërkoi mobilizimin e burimeve të autorizuara për të mbrojtur zgjedhjet e nëntorit nga manipulimi apo ndërhyrjet e aktorëve të huaj. Përdorimi i kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen kibernetike të zgjedhjeve nuk është diçka e re, pasi ushtria amerikane ka asistuar në këtë drejtim prej vitesh.
Por çështja ngre edhe pikëpyetje të tjera. Eric J.Lyman, gazetar i pavarur që punon në Romë dhe bashkëpunon me The Washington Times dhe USA Today, thotë se shqetësimi për ndërhyrjet e huaja është i besueshëm, por mund të krijojë edhe hapësirë për përdorime të tjera politike të frikës nga kërcënimet.
Hegseth ka urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes të luftojë ndërhyrjet e huaja në zgjedhje. A mund të përdoret kjo si justifikim për të kontrolluar më shumë procesin zgjedhor?
S’mund ta përjashtojmë mundësinë që Kina, Irani, Rusia apo ndonjë fuqi tjetër të përpiqet të ndërhyjë në zgjedhje. Ky është argumenti zyrtar për këtë vendim dhe është i besueshëm. Por mund të ketë edhe shpjegime të tjera.
Mund të kërkohet një arsye për ta afruar policinë ose ushtrinë me procesin zgjedhor, duke paralajmëruar për rreziqet që mund të shfaqen, por njëkohësisht duke krijuar mundësinë e intimidimit të votuesve.
Mund të ndodhë gjithashtu që një pretendim për ndërhyrje nga Hamasi, Hezbollahu, Moska, Pekini apo ndonjë aktor tjetër, të përdoret si argument për shtyrjen e zgjedhjeve. Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm.
Aktualisht, udhëheqja ushtarake amerikane ka deklaruar se nuk ka plane për të dërguar trupa federale apo pjesëtarë të Gardës Kombëtare të federalizuar në qendrat e votimit gjatë zgjedhjeve të këtij viti.
A ekziston rreziku që inteligjenca artificiale të bëhet faktor në këto zgjedhje, edhe për manipulimin e votës?
Me inteligjencën artificiale, është shumë më e lehtë të prodhohen lajme të rreme gjithnjë e më bindëse. Për ta çuar shembullin në ekstrem, dikur mund të përhapej lajmi se një kandidat mbështeste terrorizmin.
Sot mund të krijohet një video ku ai shfaqet duke lavdëruar Al-Kaedën. Mund të veprohet në shumë mënyra. Në vitin 2024, në një zonë të Atlantës me prirje demokrate, u shfaq një reklamë që pretendonte se votimi mund të vazhdonte deri në orën 23:00, ndërsa në të vërtetë afati ishte ora 18:00.
Një manipulim i tillë, synon t’i mbajë disa votues larg qendrave të votimit. Sot një skemë e tillë mund të realizohet shumë më lehtë. Informacioni i rremë mund të mbërrijë drejtpërdrejt përmes një e-maili, SMS-je, telefonate ose videoje të krijuar me AI.
Besoj se këto teknologji krijojnë mundësi që ende as nuk mund t’i imagjinojmë. Rreziku nuk është thjesht që një video e rreme të bëhet virale. Përmbajtja e gjeneruar nga AI mund të përdoret edhe për të krijuar frikë te votuesit.
Për shembull, një video e rreme që tregon agjentë federalë duke intimiduar zgjedhësit, mund të perceptohet si reale dhe t'i bëjë disa njerëz të mendojnë dy herë për të shkuar në votime. Ekspertët e keqinformimit kanë paralajmëruar pikërisht për këtë problem gjatë fushatës së këtij viti.
A mund të përdoret inteligjenca artificiale për të kontrolluar vetë sistemin zgjedhor?
Në këtë çështje, historikisht, republikanët kanë pasur disa argumente më të forta. Në të kaluarën, demokratët donin të krijonin një sistem ku votimi të bëhej përmes postës elektronike, por republikanët e kundërshtuan dhe kërkuan një dokument fizik që të tregonte se si kishte votuar një zgjedhës.
Kështu funksionon, të paktën në Florida. Në njëfarë mënyre duket absurde që në vitin 2026 për të votuar të kërkohet një formular në letër që duhet dërguar me faks, së bashku me një dëshmitar që konfirmon se kam votuar.
Nëse në atë kohë do të ishte imponuar qëndrimi i demokratëve, sot me inteligjencën artificiale, ndoshta do të ishte e mundur të sajonin vota të tjera. Me kërkesën për një gjurmë fizike të votës, kjo më duket shumë më e vështirë.
Inteligjenca artificiale është në qendër të debatit në SHBA. Florida ka kërkuar një urdhër gjykate për të frenuar zhvillimin e ChatGPT, ndërsa CEO i Anthropic, Dario Amodei, do të darkojë në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin. Sa rëndësi ka kjo çështje?
Në debatin për rregullat e inteligjencës artificiale, Trump ka thënë se e vetmja rregullore që nevojitet është një president me një “tru të madh” - në këtë rast, ai vetë. Mua më duket absurde. Çështja është se, nëse SHBA-ja e ngadalëson zhvillimin e saj, ekziston rreziku që ndërkohë Kina të ecë përpara.
Të tjerë kundërshtojnë se prodhimi amerikan i çipave më të avancuar është 8 deri në 10 herë më i madh se ai kinez, çka i jep SHBA-së një avantazh shumë të madh në zhvillimin e teknologjive të reja.
Sipas kësaj teze, DeepSeek, inteligjenca artificiale kineze, është e fuqishme sepse janë gjetur disa mënyra alternative për të kapërcyer kufizimet, por ende nuk ka fuqinë e infrastrukturës amerikane të çipave. Dhe nëse ka një moment për të shfrytëzuar këtë avantazh, ai është pikërisht tani.
Deklaratat e Hegseth rikthejnë çështjen e sigurisë së votës. Cilat janë realisht rreziqet për zgjedhjet e mesmandatit?
Unë shoh disa lloje rreziqesh. Për shembull, mund të ndodhë që në një zonë ku pritet të fitojnë demokratët, votuesit e tyre të mos shkojnë të votojnë sepse mendojnë se rezultati është i sigurt. Ose në të kundërt, republikanët mund të qëndrojnë në shtëpi sepse mediat thonë se në një zonë të caktuar nuk kanë asnjë shans.
Mund të ndodhë që të mbyllen qendrat ku votohet ose të kufizohet orari i votimit, duke e bërë më të lehtë votimin në një vend dhe më të vështirë në një tjetër. Kjo mund të bëhet në mënyrë strategjike.
Sa për idenë e pranisë së ushtrisë në qendrat e votimit, e them sinqerisht që nuk më pëlqen aspak. Tek e fundit në SHBA, nuk ekziston një dokument kombëtar identifikimi. Zakonisht përdoret patenta e automjetit, por ka njerëz që nuk e kanë, sepse janë shumë të moshuar dhe nuk drejtojnë më makinën. Pra, unë shoh një mori rreziqesh.
A do të rezistojë sistemi?
Zakonisht zgjedhjet amerikane zhvillohen mirë, edhe pse partia që humbet në fund ankohet për ndonjë parregullsi. Por do të arrijmë në një pikë kur teknologjia do të mundësojë një lloj mashtrimi kaq të avancuar, saqë rregullat aktuale nuk do të jenë më në gjendje ta përballojnë. Nuk e di nëse kjo do të ndodhë këtë vit apo në zgjedhjet e ardhshme, por një ditë do të ndodhë./Pamfleti nga “Il Sussidiario”lajme të rrema ndërhyrje ushtarë në qendrat e votimit zgjedhjet e nëntorit shba Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Vladimir Putin: Rusia nuk do të kërkojë “lëmoshë” nga vendet e tjera 30 Shtator 2026, 16:2816:28Rajoni dhe Bota Frymëmarrje për sektorin e hidrokarbureve, eksportet e naftës nga Gjiri rikthehen në nivelet e paraluftës! 30 Shtator 2026, 16:0816:08Rajoni dhe Bota Nafta “djeg” Shtëpinë e Bardhë, Trump shqyrton bllokimin e eksporteve 30 Shtator 2026, 14:1614:16Rajoni dhe Bota Dosja Epstein tronditi Norvegjinë, Parlamenti thërret ministra dhe ish-zyrtarë 30 Shtator 2026, 14:1814:18Rajoni dhe Bota Reuters: Si agjentët kinezë të IA-së mashtruan dhe fshehën dështimet 30 Shtator 2026, 13:5613:56Rajoni dhe Bota “Ping-pongu” i Trumpit, Teherani: SHBA-ja i është përgjigjur propozimit iranian për armëpushim! 30 Shtator 2026, 13:2013:20Rajoni dhe Bota

