Udhëzimi zyrtar mbetet i njëjtë: të mohohet çdo mundësi për zgjedhje të parakohshme. “Do të votohet në përfundim të mandatit”, përsërisin zyrtarët. Megjithatë, prapa deklaratave publike, fushata zgjedhore në kampin e djathtë duket se ka nisur të marrë vrull.
Sipas burimeve qeveritare, gjatë takimeve të fundit me aleatët në Pallatin Kixhi, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka paraqitur edhe një skenar të mundshëm për kohën dhe rrethanat e dorëheqjes së saj.
Ideja që ajo u ka hedhur në diskutim Antonio Tajanit, Matteo Salvinit dhe Maurizio Lupit është që, në marsin e ardhshëm, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit Evropian që pritet të zhvillohet në Romë, të paraqitet te presidenti i Republikës për të hapur rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme. Kjo vjen në kohën e një krize politike që ka ‘mbërthyer’ Italinë, me protesta të dhunshme që po zhvillohen në disa qytete.
Samiti do të organizohej në mënyrë të jashtëzakonshme në kryeqytetin italian, në kuadër të përvjetorit të Traktatit të Romës, të nënshkruar më 25 mars 1957, që hodhi themelet e Komunitetit Ekonomik Evropian (KEE), pararendësit të Bashkimit Evropian.
Sipas burimeve qeveritare, Meloni e ka diskutuar drejtpërdrejt organizimin e këtij takimi të posaçëm me presidentin e Këshillit Evropian, portugezin António Costa, i cili thuhet se ka konfirmuar se samiti në Romë do të zhvillohet.
Ndërkohë, burime evropiane kanë bërë të ditur se për këtë plan është informuar edhe kryeministri belg Bart De Wever, i cili, sipas tyre, ka dhënë pëlqimin për zhvillimin e takimit në Romë, në vend të Brukselit, që do të ishte vendi i zakonshëm i mbledhjes.
Prania e liderëve kryesorë të kontinentit, me gjasë në shkallët e Kapitolit, aty ku u nënshkrua Traktati i Romës, do të përbënte, sipas skenarit të përshkruar nga burimet, aktin e fundit të Melonit përpara se t’i drejtohej kreut të shtetit me kërkesën për zgjedhje të parakohshme, disa muaj përpara përfundimit të zakonshëm të mandatit në fund të shtatorit.
16 maji ose qershori, datat që po diskutohen për zgjedhjet
Data e parë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve është e diela, 16 maj, sipas informacioneve që vijnë nga qarqe të Partisë së Vëllezërve të Italisë (FdI) dhe Forza Italia-s.
Sipas artikullit, legjislacioni parashikon që zgjedhjet të zhvillohen jo më herët se 45 ditë dhe jo më vonë se 70 ditë nga shpërndarja e Dhomave të Parlamentit prej presidentit të Republikës.
Megjithatë, në varësi të kohës kur do të ndodhte kriza politike dhe do të shpërndahej Parlamenti, votimi mund të shtyhej deri në ditët e para të qershorit.
Pikërisht qershorin kanë përmendur më herët edhe Giovanbattista Fazzolari, nënsekretar në zyrën e kryeministres, dhe Francesco Filini, përgjegjës për programin politik të FdI-së. Të dy e kanë paraqitur këtë mundësi me rezerva, pa konfirmuar një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, shumica e drejtuesve të koalicionit vazhdon të mohojë kategorikisht se po përgatiten zgjedhje të parakohshme.
Sipas burimeve parlamentare të së djathtës, Meloni duket se po shqyrton mundësinë e organizimit të zgjedhjeve parlamentare në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale në qytetet kryesore të vendit. Ky kombinim, i njohur si election day, do të ishte mënyra përmes së cilës mund të realizohej skenari i zgjedhjeve të parakohshme.
Kjo mundësi thuhet se është lënë e hapur edhe nga Presidenca e Republikës.
Meloni, sipas artikullit, do të kishte preferuar që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të zhvilloheshin veçmas, duke i shtyrë zgjedhjet bashkiake. Arsyeja është se gara në qytetet e mëdha zakonisht i krijon më shumë hapësirë elektorale së majtës. Megjithatë, zhvillimet e fundit sugjerojnë se po shqyrtohet gjithnjë e më seriozisht alternativa e votimit të përbashkët.
E djathta përshpejton përzgjedhjen e kandidatëve për bashkitë
Pas kongresit të jashtëzakonshëm të Legës, që po zhvillohet në Milano, kampi i djathtë synon të përshpejtojë vendimmarrjen për kandidatët në zgjedhjet lokale.
Procesi mbetet i ndërlikuar, veçanërisht në pesë qytete të mëdha: Romë, Napoli, Milano, Torino dhe Bolonja.
Në Milano, qytetin që konsiderohet ndër më të hapurit ndaj një ndryshimi politik, ndonëse gara mbetet e vështirë, Meloni thuhet se ka shprehur mbështetjen për Silvia Sardonen, një politikane e afërt me Salvinin, siç kishte raportuar më parë gazeta La Repubblica.
Ignazio La Russa, i cili mbështeste kandidaturën e Maurizio Lupit, nuk duket se e ka kundërshtuar këtë alternativë. Megjithatë, mbetet për t’u bindur Forza Italia, e cila mbështet Matteo Peregon, nënsekretar dhe politikan me lidhje të afërta me familjen Berlusconi, i vlerësuar edhe nga Guido Crosetto.
Brenda Forza Italia-s po qarkullon edhe emri i Licia Ronzullit, për të cilën kandidimi për kryetare të bashkisë së Milanos mund të përbënte një mënyrë për t’u larguar nga Parlamenti. Megjithatë, kjo alternativë nuk konsiderohet ndër më të mundshmet.
Në Napoli, Forza Italia po mbështet një kandidat të pavarur. Aktualisht, në krye të emrave të përmendur është Pasquale Perrone Filardi, president i Shoqatës Italiane të Kardiologjisë. Nga ana tjetër, brenda FdI-së ka zëra që propozojnë Matteo Piantedosin, i cili më herët kishte refuzuar mundësinë për të kandiduar në rajonin e Kampanjës.
Në Torino mbetet në garë Maurizio Marrone, zëvendësguvernator i rajonit të Piemontes dhe figurë e afërt me Melonin.
Për Romën, kryeministrja duket se anon nga Roberta Angelilli, zëvendëspresidente e rajonit të Lazios, në vend të Fabio Rampellit.
Anëtarët e FdI-së në kryeqytet do të dëshironin që Meloni ta shpallte kandidaturën gjatë aktivitetit tradicional politik Atreju. Por brenda koalicionit, veçanërisht në Lega, po shtohet presioni për të mos humbur më kohë. “Koha tashmë është humbur”, ka deklaruar Salvini. Për këtë arsye, çështja e zgjedhjeve lokale pritet të jetë ndër temat kryesore të takimit të ardhshëm të liderëve të shumicës qeverisëse, ndoshta që nesër. Në të njëjtën tryezë pritet të diskutohet edhe një çështje tjetër e ndërlikuar: projektbuxheti i shtetit./ La Repubblica Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

