Principotes / Sot një i ri u vra në një prej resorteve më të njohura të Ksamilit. Policia kërkon autorët, prokuroria mbledh prova, dalin emra, lidhje, dëshmi dhe histori të atyre që qëndrojnë pas “Principote”. Shteti fillon të reagojë pasi krimi ka ndodhur. Problemi është se shumë prej gjërave që po hetohen sot nuk u zbuluan pas vrasjes. Pamfleti i kishte denoncuar më parë.
Në gusht të vitit 2024, Pamfleti ngriti publikisht pyetjen se kush fshihej pas “Principote”. Dokumentet tregonin një shoqëri të krijuar me 100 mijë lekë kapital, ndërsa në bregdet kishte mbirë një investim që vlerësohej në miliona euro. Pronarja formale rezultonte një pensioniste nga Kukësi. Gazeta shkroi atëherë për dyshimet se pas saj qëndronin njerëz të botës së krimit dhe se investimi mund të shërbente për pastrimin e parave.
Askush nuk mund të thotë sot se nuk dinte gjë.
Në qershor 2025, Pamfleti publikoi emrin e Bekim Bulicës dhe e lidhi drejtpërdrejt me “Principote”, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin e parave dhe historinë e tij.
Në prill të këtij viti, investigimi shkoi më tej. Pamfleti publikoi informacionet sipas të cilave autoritetet franceze kishin raportuar disa herë në Shqipëri për aktivitetin e dyshuar të Bulicës. Në këtë histori dilnin SHISH, organet e drejtësisë dhe verifikimet për pasuritë e ngritura në emër të familjarëve.
Pra, alarmi nuk se nuk është dhënë. Mungoi reagimi.
Asnjë gazetar nuk mund të pretendojë se një shkrim në gazetë përbën provë penale. Hetimin e bën prokuroria, paratë i ndjekin institucionet financiare, pasuritë i verifikojnë organet kompetente dhe policia heton aktivitetin kriminal. Gazetaria ka tjetër mision. Ajo nxjerr dokumente, lidh fakte, ngre pyetje dhe ndez alarmin.
Pamfleti e ndezi alarmin dy vjet më parë.
Nëse institucionet do t'i kishin marrë seriozisht ato denoncime, nëse do të kishin verifikuar burimin e milionave, pronësinë reale të biznesit, lidhjet e njerëzve që qëndronin pas tij dhe informacionet që, sipas të dhënave të publikuara, kishin ardhur nga Franca, sot ndoshta do të flisnim për një histori tjetër.
Askush nuk mund të thotë me siguri se ndërhyrja e shtetit do ta kishte parandaluar vrasjen. Këtë nuk e dimë. Mund të themi diçka tjetër: shteti kishte mundësi dhe arsye të hetonte shumë kohë përpara se të derdhej gjak.
Këtu qëndron përgjegjësia.
Një investim prej miliona eurosh nuk mund të ngrihet mbi një kapital prej 100 mijë lekësh dhe institucionet të mos pyesin nga erdhën paratë. Një resort nuk mund të ketë pronarë formalë që nuk përputhen me fuqinë financiare të investimit dhe tatimet, bankat, policia, prokuroria dhe strukturat kundër pastrimit të parave të sillen sikur kjo mospërputhje nuk ekziston. Kur mbi të gjitha shtohen informacione nga një shtet partner për aktivitet të dyshuar kriminal, heshtja bëhet edhe më e pashpjegueshme.
Shqipëria ka vite që e shet bregdetin si historinë e suksesit të turizmit. Qeveria numëron turistët, aeroportet, hotelet dhe resortet. Shumë më rrallë pyet se kush i ndërton disa prej tyre dhe nga vijnë paratë.
Betoni nuk i pastron paratë vetëm sepse mbi të vendosim një tabelë hoteli. Shezlongët, muzika, kuzhina e shtrenjtë dhe fotografitë në Instagram nuk ndryshojnë origjinën e kapitalit. Kur institucionet lejojnë që para me burim të dyshimtë të hyjnë në ekonomi, ato nuk legalizojnë vetëm pasurinë. Ato u japin zotëruesve të saj territor, ndikim, njerëz, siguri private, lidhje dhe pushtet.
Këtu fillon problemi i vërtetë.
Krimi nuk investon për t'u bërë i ndershëm. Investon për të shumëfishuar paratë, për të blerë respektabilitet dhe për të krijuar hapësirën ku mund të veprojë i mbrojtur nga fasada e biznesit të ligjshëm. Nëse shteti nuk e pret këtë cikël te paraja, një ditë detyrohet ta ndjekë te plumbi.
Kjo ndodhi në Ksamil.
Tani do të dëgjojmë se policia po punon, se prokuroria po heton, se po kontrollohen kamerat, telefonat, makinat dhe lidhjet e personave të përfshirë. Mirë bëjnë. Vetëm se shteti po harxhon sot dhjetëfishin e energjisë për të zbardhur pasojën, kur mund të kishte harxhuar shumë më pak për të hetuar shkakun.
Kjo histori duhet të shërbejë edhe si përgjigje për ata që e shohin median vetëm kur u duhet dhe e shpërfillin kur denoncon. Kur një media publikon dokumente për miliona euro me burim të dyshimtë, institucionet nuk kanë detyrë t'i besojnë gazetës. Kanë detyrë të verifikojnë dokumentet.
Në rastin e “Principote”, kishin kohë. Kishin emra. Kishin indicie. Sipas informacioneve të publikuara, kishin edhe sinjalizime nga jashtë vendit.
Dy vjet më pas kemi një të vrarë dhe një dosje penale që po hap dyer të cilat shteti mund t'i kishte hapur shumë më herët.
Prandaj historia e Ksamilit nuk mbaron me pyetjen se kush qëlloi. Duhet të vazhdojë me pyetjen se kush lejoi që një biznes i dyshuar prej vitesh për lidhje me para të krimit të rritej i qetë në një prej zonave më të shtrenjta turistike të Shqipërisë.
Sepse paraja e krimit sjell me vete edhe botën nga vjen. Sjell konfliktet, hesapet, njerëzit dhe armët.
Ky stan, këtë bylmet ka./Pamfletiprincipotes ky stan këtë bylmet ka Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Besa e fundit e Edi Ramës 17 Gusht 2026, 14:1214:12Editorial Amerikës i duhet një president që nuk luan në bursë 16 Gusht 2026, 09:4909:49Editorial Kulti i Edi Ramës po shpërbëhet! 15 Gusht 2026, 10:2010:20Editorial Nuk mund të jetojmë të gjithë në breg të Lanës 14 Gusht 2026, 09:4709:47Editorial Kush po e kontrollon Ngushticën e Hormuzit? 13 Gusht 2026, 10:3610:36Editorial Mos u mërzisni, do ta bëjmë edhe Parisin si Kuçin e Vlorës 12 Gusht 2026, 12:3812:38Editorial
