TIRANË- Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në qeli. Gjykata e Lartë vendosi këtë të martë të lërë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për kryebashkiakun e Tiranës. Çështja u shqyrtua në Dhomë Këshillimi nga Kolegji Penal, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila më 25 maj i kërkoi Gjykatës së Lartë të arsyetonte pretendimet e Veliajt për joproporcionalitetin e masës së sigurisë. Kolegji Penal la në fuqi vendimin e 13 marsit 2025 të Apelit të Posaçëm, i cili kishte konfirmuar masën e ‘arrestit në burg’ të dhënë ndaj Veliajt nga GJKKO. Gjykata e Lartë ka 60 ditë afat për të zbardhur vendimin, ku pritet të argumentojë edhe përse në rastin e Veliajt nuk është e përshtatshme një masë më e lehtë sigurie. LEXO edhe...Gjykata e Lartë pritet të vendosë sot për arrestin e Veliajt, Tabaku: Të tregojë se nuk i dridhen gjunjët! Qeveria ka hall si ta nxjerrë nga qelia (VIDEO) "Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar. Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", njofton Gjykata e Lartë. Vendimi i Gjykatës së Lartë solli reagimin e mbrojtjes së Veliajt. Avokati Plarent Ndreca thotë se ai ngre pikëpyetje për garancitë kushtetuese, ndërsa pretendon se po mbahet peng ushtrimi i mandatit të Veliajt dhe funksionimi normal i Bashkisë së Tiranës. “Çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë”, shkruan Ndreca. Çfarë kishte vendosur Kushtetuesja për rastin ‘Veliaj’? Më 25 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi me 5 vota pro dhe 3 kundër në favor të Veliajt, duke e kthyer çështjen në Gjykatën e Lartë. Kushtetuesja kërkoi që kjo e fundit të argumentojë pse nuk ka pranuar kërkesat e kryebashkiakut për jo proporcionalitet e të masës së sigurisë dhe mbylljen në ka kafazin e xhamtë gjatë seancave gjyqësore. Katër gjyqtarë, Genti Ibrahimi, Sandër Beci, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska, vlerësuan se pretendimet e Veliajt ishin të bazuara për sa i përket mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë mbi proporcionalitetin e masës. Shumicës iu bashkua Sonila Bejtja, por me një qëndrim edhe më të fortë. Ajo vlerësoi se çështja duhej të kthehej në GJKKO, pasi, sipas saj Veliaj ishte arrestuar pa një dyshim të arsyeshëm të mbështetur në prova. Ndërsa Marsida Xhaferllari dhe Marjana Semini ngritën shqetësime për mbajtjen e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore, duke e konsideruar cenim të dinjitetit. Semini vlerësoi gjithashtu se gjatë paraburgimit ishte cenuar edhe e drejta e tij për të komunikuar me avokatin. I vetmi gjyqtar që kërkoi rrëzimin në tërësi të ankimit të Veliajt dhe e konsideroi të ligjshëm arrestin ishte Asim Vokshi. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në qeli prej shkurtit të 2025-ës dhe ndaj tij ka nisur gjyqi i themelit. SPAK e akuzon Veliajn për 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg, por kryebashkiaku i ka mohuar. Tashmë, mbrojtja e Veliajt pritet që të dërgojë dosjen në Strasburg, ndërsa kryebashkiaku po i firmos vendimet nga qelia pasi shkarkoi kryetaren e komanduar, Anuela Ristani. ------------------------------- Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë Ora 12:29 Gjykata e Lartë la Veliajn në qeli, avokati Ndreca: Po mbahet peng mandati i kryebashkiakut, vendimi ngre pikëpyetje për garancitë kushtetuese Vendimi i Gjykatës së Lartë që la në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për mbrojtjen e tij ngre një pikëpyetje: se çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Në një reagim pas shpalljes së vendimit, avokati Plarent Ndreca thotë se po mbahet peng mandati i kryetarit te bashkisë së Tiranës dhe nuk po lejohet funksionimi normal i institucionit.Ndreca shkruan se Veliaj po mbahet prej 19 muajsh në qeli, ndonëse hetimet ndaj tij kanë përfunduar dhe çështja është në gjyq. AI thekson se do ta vijojnë betejën dhe se do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë përbën një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe mbi të gjitha, për demokracinë në këtë vend. Duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim praktikisht ka lënë pa efekt detyrues vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues të vendit.Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit.Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Prej 19 muajsh, qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur. Z. Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim.E gjithë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar, por për ta vijuar betejën. Mund ta izolojnë dhe t’i kufizojnë mundësinë për të folur, por nuk mund ta mundin politikisht nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes “lawfare”-it.Ne do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.Shqipëria meriton një drejtësi të standardeve evropiane, e cila garanton të drejtat, respekton vendimet kushtetuese dhe mbron demokracinë, mjetin më të lartë që qytetarët kanë në dorë për të vendosur se kush i përfaqëson dhe kush e drejton vendin”, shkruan Plarent Ndreca. Share Xh.K/SI.E./ReportTv.al arrestimi i erion veliajt erion veliaj gjykata e larte gjykata kushtetuese Komento Komente I lire: 15/09/2026 08:58 Mund tju pelqeje apo jo por Tirana ka nevoje urgjente per kryebashkiakun e saj! Përgjigju Sondazhi i ditës: Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni? Të drejtë 21.9% Të gabuar 67.2% Nuk e di 10.9% Vota total: 64 Sondazhi i ditës: Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni?

