Kushner dhe Blair I dëshpëruar për një sukses diplomatik pas ngecjes së luftës me Iranin, Donald Trump po rikthen në skenë Jared Kushner dhe Tony Blair. Por misioni i tyre për të ringjallur planin e paqes për Gazën përballet me një pengesë të madhe: Benjamin Netanyahu nuk duket aspak i gatshëm të bëjë lëshime. Presidenti amerikan dërgoi dhëndrin e tij për t’u takuar me Hamasin, në një përpjekje për të ushtruar më shumë presion mbi qeverinë e Izraelit. Deri vetëm pak vite më parë, një fjali e tillë do të tingëllonte si skenar i një trilleri politik.
Ose, nëse do të ishte e vërtetë, do të shkaktonte ditë të tëra titujsh mediatikë plot mllef dhe debate të ashpra, veçanërisht nëse një veprim i tillë do të ishte ndërmarrë nga një president demokrat.
Por pikërisht kjo ndodhi këtë fundjavë nën Donald Trumpin dhe reagimi në radhët republikane ka qenë thuajse i padukshëm. Jared Kushner, i shoqëruar nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, u takua të dielën në Kajro me drejtues të lartë të Hamasit, në një përpjekje të dëshpëruar për të ringjallur planin e Trumpit për paqen në Gaza.
Shtetet e Bashkuara arritën të ndërmjetësonin një armëpushim formal në Gaza tetorin e vitit të kaluar. Muajin e kaluar, Trump njoftoi se e kishte shndërruar atë në një marrëveshje të përhershme, sipas së cilës Hamasi do të pranonte një çarmatosje graduale dhe do t’ia dorëzonte pushtetin një autoriteti të ri palestinez të përbërë nga teknokratë, në këmbim të tërheqjes së Izraelit nga Gaza.
Por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar publikisht dhe kategorikisht këtë marrëveshje. Ai kërkon çarmatosjen e plotë të Hamasit përpara çdo tërheqjeje të trupave izraelite, ndërsa ka hedhur poshtë çdo mundësi për krijimin e një shteti palestinez.
Për më tepër, pavarësisht armëpushimit nominal, Izraeli po zgjeron çdo ditë kontrollin e tij mbi territorin e Gazës. Aktualisht, ai kontrollon rreth 60 për qind të rajonit dhe ka deklaruar se synon ta çojë këtë shifër në 70 për qind.
Në këtë situatë, Trump, i dëshpëruar për një sukses pas ngecjes së luftës së tij me Iranin, po përpiqet të ringjallë edhe një herë planin e tij për paqen në Lindjen e Mesme. Dhe për këtë ka dërguar Kushnerin që të negociojë një marrëveshje.
Si president i Shteteve të Bashkuara, Trump ka në dispozicion më shumë se 13 mijë diplomatë profesionistë. Por ai ka preferuar gjithmonë ta mbajë politikën e jashtme brenda rrethit familjar.
Kushneri nuk ka asnjë funksion zyrtar në qeverinë amerikane.
Ai nuk është emëruar apo konfirmuar nga Kongresi dhe nuk i jep llogari askujt përveç presidentit. Megjithatë, Trump i ka besuar atij disa prej çështjeve më të ndjeshme diplomatike me të cilat përballet administrata amerikane.
Këtu është e vështirë të mos vihet re një standard i dyfishtë. Midis viteve 2013-2018, kompania e Hunter Biden fitoi rreth 11 milionë dollarë nga puna e tij me kompaninë ukrainase të energjisë Burisma, ndër klientë të tjerë.
Çështja u shndërrua në një skandal politik që e përndoqi për vite me radhë babain e tij, Joe Biden, edhe pse nuk pati kurrë prova se ky i fundit ishte takuar me drejtuesit e Burismës apo se u kishte bërë favore. Ndërkohë Hunter Biden, nuk ka pasur asnjëherë një funksion në qeverinë amerikane.
Në rastin e Kushnerit, situata është shumë më e drejtpërdrejtë. Vetëm Arabia Saudite ka investuar 2 miliardë dollarë në kompaninë e tij dhe ai vazhdon të veprojë si këshilltar ndërkombëtar, ndërsa njëkohësisht ai kryen për vjehrrin e tij një rol diplomatik jozyrtar dhe jashtë strukturave normale të qeverisë.
Sipas raportimeve mediatike, takimi i Kushnerit me Hamasin ishte çuditërisht miqësor. Grupi palestinez thuhet se rikonfirmoi mbështetjen për planin e paqes të Trumpit, me kushtin që Izraeli të përmbushte atë që kishte premtuar Shtetet e Bashkuara.
Pas takimit, disa shtete të Gjirit Persik, përfshirë edhe vende që kanë marrëdhënie biznesi me Kushnerin, publikuan një deklaratë të përbashkët ku i bënin thirrje Izraelit të pranonte marrëveshjen.
Në praktikë, kjo duket si një fushatë diplomatike e koordinuar e Shteteve të Bashkuara, në bashkëpunim me Hamasin dhe shtetet e Gjirit, për t’i bërë presion Izraelit. Dhe pikërisht këtu qëndron një prej ndryshimeve më të mëdha të politikës amerikane në rajon.
Izraeli, tradicionalisht aleati më i afërt i SHBA-së në Lindjen e Mesme, tani po gjendet përballë presionit diplomatik nga vetë Uashingtoni. Një lëvizje e tillë mund të jetë e nevojshme në momente dëshpërimi diplomatik.
Por problemi për Trumpin dhe Kushnerin është se ka shumë pak gjasa të funksionojë. Po afrohet përvjetori i tretë i sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit dhe kjo e bën politikisht veçanërisht të vështirë për Izraelin nënshkrimin e një marrëveshjeje me Hamasin.
Pas sulmit, Netanyahu kishte premtuar se do ta shkatërronte plotësisht organizatën. Por ekziston edhe një pengesë edhe më e madhe. Izraeli zhvillon zgjedhjet në fund të tetorit dhe Netanyahu po lufton për mbijetesën e tij politike. Kjo e bën edhe më të largët mundësinë që ai të ndryshojë qëndrimin e tij të ashpër ndaj Gazës.
Në çdo moment tjetër, një marrëveshje paqeje që do të përfshinte lëshime ndaj Hamasit do të ishte në kundërshtim me linjën politike të Netanyahut. Por ta bëjë këtë pikërisht tani, kur një marrëveshje e tillë mund t’i kushtojë edhe karrierën politike, është pothuajse e pamundur.
Donald Trump është një president i fiksuar pas imazhit të forcës në skenën ndërkombëtare. Ai dëshiron që liderët botërorë t’i binden menjëherë kur ai jep urdhra. Por gjithnjë e më shumë duket sikur po flet në një boshllëk.
Trumpi ka larguar nga vetja pjesën më të madhe të aleatëve tradicionalë të Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe brenda NATO-s. Ai arriti të afrohej me disa prej shteteve të Gjirit, por e ka shpërdoruar edhe besimin e tyre duke i vendosur drejtpërdrejt në vijën e zjarrit përmes konfliktit me Iranin.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit janë në pikën e tyre më të keqe prej dekadash. Presidenti që u bë i famshëm me sloganin e tij për “artin e marrëveshjes” duket tani gjithnjë e më i paaftë për të çuar deri në fund një marrëveshje të madhe.
Sado të përpiqen Jared Kushner dhe Tony Blair, duket se asnjëri prej tyre nuk ka gjasa ta ndryshojë këtë prirje./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The I Paper”kushner dhe blair donald trump Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Po festonin muajin e mjaltit, kush ishte çifti britanik që humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit në Sifnos 18 Gusht 2026, 14:1614:16Rajoni dhe Bota “Territor i ri i SHBA-së”, Trump publikon hartën e Ngushticës së Hormuzit 18 Gusht 2026, 14:0214:02Rajoni dhe Bota Nga Ivanka Trump te Jeff Bezos: Dy refuzimet që tregojnë se paratë nuk blejnë gjithçka 18 Gusht 2026, 12:0112:01Rajoni dhe Bota Pas vendimit të Trump, Seuli kërkon më shumë kontroll mbi ushtrinë e tij 18 Gusht 2026, 11:5111:51Rajoni dhe Bota Si Erdoğan bllokoi planin sekret SHBA-Izrael për rrëzimin e regjimit në Iran 18 Gusht 2026, 11:4411:44Rajoni dhe Bota Moska kërcënon Londrën për furnizimin e Ukrainës me dronë: Do të paguani çmim të lartë 18 Gusht 2026, 10:4710:47Rajoni dhe Bota

