Lajme Zone
Kush po e kërcënon Shqipërinë me bomba: krimi i organizuar apo terrorizmi?
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 9 burime — Krahaso mbulimin →

Kush po e kërcënon Shqipërinë me bomba: krimi i organizuar apo terrorizmi?

Si zakonisht, institucionet shqiptare të sigurisë u gjendën përballë ngjarjes pa treguar se dispononin analiza paraprake, masa parandaluese apo protokolle të konsoliduara. Vende të tjera kanë ndërtuar prej vitesh praktika për identifikimin, vlerësimin dhe neutralizimin e kërcënimeve të tilla.

Foto ilustruese / Krimi i organizuar dhe ndërhyrja nga jashtë mbeten dy hipoteza të mundshme, ndërsa institucionet shqiptare nuk kanë bërë publike ende një pistë konkrete hetimi… Prej dy ditësh, vendi po përballet me një klimë frike nën kërcënimin e bombave. Emaili i dërguar në polici dhe alarmi i sotëm në Durrës mund të jenë episode të lidhura, pjesë e një skenari që sapo ka nisur. Autoritetet duhet ta verifikojnë këtë pistë, pa përhapur panik dhe pa përjashtuar asnjë mundësi.

Si zakonisht, institucionet shqiptare të sigurisë u gjendën përballë ngjarjes pa treguar se dispononin analiza paraprake, masa parandaluese apo protokolle të konsoliduara. Vende të tjera kanë ndërtuar prej vitesh praktika për identifikimin, vlerësimin dhe neutralizimin e kërcënimeve të tilla.

Policia shqiptare vazhdon të funksionojë kryesisht si një strukturë zbatuese dhe reaguese. Ajo ndërhyn pasi shfaqet kërcënimi, ndërsa publiku nuk sheh kapacitete të mjaftueshme analitike, burime operative dhe baza të dhënash që të ndihmojnë parandalimin e akteve terroriste.

Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë publike ndonjë pistë konkrete hetimi. Kjo heshtje mund të lidhet me sekretin hetimor, por mungesa e informacionit zyrtar ushqen pasigurinë dhe krijon përshtypjen se institucionet po kërkojnë gjurmë pa pasur një drejtim të qartë.

Kërcënimi me bombë nuk përfaqëson vetëm një akt kriminal. Autorët e përdorin atë për të përhapur frikë, për të paralizuar institucionet dhe për të imponuar një mesazh. Për këtë arsye, hetimi duhet të kërkojë jo vetëm ekzekutorët, por edhe interesin që qëndron pas tyre.

Pa të dhëna zyrtare, mund të shtrohen dy hipoteza, të cilat mbeten për t’u provuar.

Hipoteza e parë lidhet me krimin e organizuar. Grupet kriminale zotërojnë para, njerëz, armë dhe lidhje brenda institucioneve. Goditjet e SPAK-ut ndaj pasurive, financave dhe drejtuesve të këtyre grupeve mund të kenë krijuar një klimë kundërpërgjigjeje. Krimi e përdor dhunën për të fituar, ruajtur dhe zgjeruar pasurinë dhe pushtetin e tij.

Nëse kërcënimet synojnë prokurorët ose institucionet që po hetojnë organizatat mafioze, vendi mund të hyjë në një periudhë përplasjeje më të fortë. Grupet kriminale do të kërkonin dobësitë e sistemit të sigurisë, do të ushtronin presion mbi drejtësinë dhe do të përpiqeshin ta detyronin shtetin të tërhiqej.

Një valë frike dhe dhune do të synonte izolimin e prokurorëve që hetojnë dosjet e krimit, ndërsa organizatat kriminale do të aktivizonin lidhjet e vjetra me pjesë të politikës. Megjithatë, SPAK-u nuk vepron i vetëm. Partnerët europianë e mbështesin dhe rikthimi i një angazhimi më të fortë amerikan mund ta zgjerojë këtë mbështetje.

Nëse operacionet e fundit kanë edhe shtysë ndërkombëtare, goditja e krimit mund të nxjerrë zbuluar partnerët e tij politikë. Kjo përplasje mund të dobësojë lidhjen mes krimit dhe qeverisjes, por ajo mund të prodhojë edhe reagime të rrezikshme.

Hipoteza e dytë lidhet me ndërhyrjen nga jashtë dhe me terrorizmin e motivuar politikisht ose fetarisht. Një operacion i tillë mund të synojë destabilizimin e Shqipërisë dhe dëmtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Kërcënimet terroriste mund t’u shërbejnë forcave që duan ta paraqesin zgjerimin e BE-së si importim të pasigurisë drejt Europës. Aktorët që kërkojnë frenimin e zgjerimit mund ta përdorin çdo incident për të ushqyer frikën ndaj Ballkanit Perëndimor. Rusia ka interes strategjik ta pengojë afrimin e rajonit me BE-në dhe NATO-n. Fuqi të tjera dhe aktorë rajonalë mund të ndjekin interesa të veçanta, përfshirë dobësimin e faktorit shqiptar.

Në këtë skakierë merr kuptim edhe përzgjedhja nga Uashingtoni e një diplomati me përvojë të gjatë ushtarake dhe sigurie për përfaqësimin në Tiranë. Agjenda e tij konkrete do të bëhet më e qartë pas marrjes së detyrës, por profili tregon vëmendjen amerikane ndaj sigurisë, krimit të organizuar dhe stabilitetit rajonal.

Institucionet shqiptare nuk duken të përgatitura për skenarë të tillë. Pa ndihmën e partnerëve, SHISH-i dhe strukturat e tjera të sigurisë nuk kanë treguar se zotërojnë kapacitete të mjaftueshme për të analizuar rrezikun, për të parashikuar zhvillimet dhe hartuar kundërpërgjigjen përpara se ngjarjet të ndodhin.

Shërbimet e vendeve të zhvilluara ndërtojnë për vite skenarë operativë, grumbullojnë të dhëna dhe përgatisin plane që politika mund t’i aktivizojë në çastin e nevojshëm. Shqipëria vazhdon të reagojë pasi kërcënimi ka mbërritur në email, në rrugë ose përpara një institucioni.

Polarizimi politik e shton rrezikun. Pushteti është përqendruar në një dorë, opozita mbetet e përçarë dhe drejtuesit e saj vuajnë nga mungesa e besueshmërisë. Kjo gjendje ka krijuar ndarje të thella në shoqëri dhe ka dobësuar kohezionin institucional pikërisht kur vendit i duhet bashkëpunim për çështjet e sigurisë kombëtare.

Autoritetet duhet të sqarojnë natyrën e kërcënimeve, lidhjen e mundshme mes episodeve dhe masat që kanë marrë. Deri atëherë, çdo pistë mbetet hipotezë.

Heshtja, improvizimi dhe reagimi me vonesë vetëm sa e bëjnë vendin më të cenueshëm përballë një stuhie që mund të ketë nisur./Pamfletikush po e kërcënon shqipërinë krimi i organizuar terrorizmi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Takimi me ministrat, Rama 'arnon' strategjinë e PS: Ndryshime ligjore për Pasqyrë Albania! 28 Gusht 2026, 20:5120:51Politike Përfn mbledhja e PS, Rama vë në rresht ministrat dhe drejtuesit socialistë, zbardhen urdhrat! 28 Gusht 2026, 19:3919:39Politike Erion Veliaj 'trazon' PS, shkarkon nga qelia Anuela Ristanin! 28 Gusht 2026, 18:0318:03Politike Frikë nga protesta, Rama ndryshon dy herë vendin e takimit me socialistët; 'blindon' rrugën deri te Vila e Kuqe! 28 Gusht 2026, 17:3617:36Politike Mali i Zi vijon provokimet, edhe Presidenti hedh akuza për sulme hibride; distancohet Tirana Zyrtare! 28 Gusht 2026, 15:4015:40Politike “Ripëtëritja e Berishës si Rilindja e Ramës”, Dashamir Shehi: Nuk do sjellë asgjë 28 Gusht 2026, 14:3814:38Politike