Lajme Zone
Kush është Paolo Zampolli, komshiu i Donald Trump i dërguari misterioz në Tiranë
PolitikëPamfleti

Kush është Paolo Zampolli, komshiu i Donald Trump i dërguari misterioz në Tiranë

Zampolli erdhi në Shqipëri në cilësinë e të Dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Partneritetet Globale. Ndryshe nga dyshimet që mund të krijojë profili i tij si biznesmen dhe mik personal i Trumpit, ai mban një funksion zyrtar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.

Paolo Zampolli / Pa njoftim nga Ambasada Amerikane, Paolo Zampolli kaloi nga Kryegjyshata Bektashiane te PS-ja dhe PD-ja, duke lënë të paqartë mandatin konkret të misionit të tij... Dje mbërriti në Tiranë Paolo Zampolli, një personazh i lakuar shpesh në mediat europiane gjatë dy viteve të fundit. Zampolli është mik dhe fqinj i Donald Trumpit në Palm Beach të Floridës, me të cilin luan golf prej vitesh. Mediat italiane e përmendën më parë edhe si kandidat të mundshëm për ambasador të SHBA-së në Romë.

Zampolli erdhi në Shqipëri në cilësinë e të Dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Partneritetet Globale. Ndryshe nga dyshimet që mund të krijojë profili i tij si biznesmen dhe mik personal i Trumpit, ai mban një funksion zyrtar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.

Megjithatë, natyra konkrete e misionit të tij në Tiranë mbetet e paqartë. Zampolli zhvilloi një takim në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe vizitoi Kuvendin, ku takoi përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës.

Bëri përshtypje fakti që në këto dalje nuk u shfaq përkrah së ngarkuarës me punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, por u shoqërua nga publicisti dhe eksperti Ilir Kulla, i cili ka drejtuar edhe Komitetin Shtetëror për Kultet.

Zampolli ka marrëdhënie të afërt me Presidentin Trump, jo vetëm në planin personal. Ai ka shërbyer edhe si një kanal komunikimi me politikën italiane, fillimisht me ish-kryeministrin Giuseppe Conte dhe më pas me kryeministren Giorgia Meloni. Marrëdhëniet e tij me Melonin, sipas raportimeve të mediave italiane, kanë kaluar edhe periudha tensioni.

Vizita në Tiranë krijon përshtypjen e një misioni njohës dhe përgatitor, sidomos për shkak të takimeve paralele me përfaqësuesit e dy forcave kryesore politike. Pyetja nuk lidhet më me statusin zyrtar të Zampollit, por me mandatin konkret që ai solli në Shqipëri dhe me çështjet që kërkoi të testonte.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e paraqiti takimin si pjesë të komunikimit të opozitës me administratën Trump.

“Kënaqësi të takoja të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Trump për Partneritetet Globale, zotin Paolo Zampolli. Përcollëm qëndrimin e palëkundur të PD-së për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe falënderuam administratën e Presidentit Donald Trump për bashkëpunimin”, shkroi Bardhi.

Sipas tij, palët diskutuan për situatën politike, institucionale dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe për problemet që opozita i lidh me demokracinë, shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve dhe integritetin e proceseve zgjedhore.

“Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të thellë politik dhe institucional. Ne do të vijojmë të jemi në krah të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe interesit kombëtar, si dhe në funksion të forcimit të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë historikë”, deklaroi Bardhi.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e përdori takimin për të theksuar marrëdhëniet e mazhorancës me Uashingtonin.

Sipas njoftimit të Ballës, palët diskutuan për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, zhvillimet rajonale e ndërkombëtare, sigurinë dhe bashkëpunimin mes vendeve aleate.

Balla vlerësoi partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe e paraqiti Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon dhe si aleate të besueshme të NATO-s. Në qendër të bisedës u vendos edhe organizimi i samitit të NATO-s, të cilin Shqipëria pritet ta mirëpresë vitin e ardhshëm.

Sipas Ballës, Zampolli vlerësoi kontributin e Shqipërisë në promovimin e paqes dhe dialogut, si dhe angazhimin e kryeministrit Edi Rama në nisma ndërkombëtare.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë nuk publikoi asnjë njoftim për takimet e Zampollit. Kjo heshtje nuk e bën vizitën private dhe as nuk ia heq atij statusin zyrtar, por ngre pyetje për natyrën dhe nivelin e misionit. Departamenti Amerikan i Shtetit e njeh Zampollin si të Dërguar të Posaçëm për Partneritetet Globale, ndërsa Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme e priti pikërisht me këtë cilësi.

Gjatë deklaratës për mediat në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Zampolli tha se eprorët e tij janë Donald Trump dhe Marco Rubio. Deklarata përcakton edhe linjën institucionale të funksionit të tij, Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe sekretarin amerikan të Shtetit.

Vizita nuk përbën një lëvizje të zakonshme lobimi, por as një mision diplomatik klasik. Profili i Zampollit bashkon funksionin shtetëror, marrëdhënien personale me Trumpin dhe diplomacinë e drejtpërdrejtë të marrëveshjeve. Pikërisht kjo e bën të rëndësishme pyetjen që takimet në Tiranë nuk e sqaruan: çfarë kërkoi konkretisht i dërguari i Trumpit në Shqipëri dhe përse axhenda e tij kaloi njëkohësisht nga Kryegjyshata Bektashiane te mazhoranca dhe opozita?/Pamfletipaolo zampolli Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Ambasadorja e re e BE-së takim 'kokë më kokë' me Ramën në Kryeministri! 8 Shtator 2026, 08:5408:54Politike Presidenti Begaj dekreton emërimin e Klodiana Spahiut në krye të Ministrisë së Shëndetësisë 8 Shtator 2026, 09:0809:08Politike Kush mund ta 'vrasë' Edi Ramën, kur ai i vrau “bijtë” që në djep?! 8 Shtator 2026, 09:0109:01Politike Sesioni i ri e gjen Kuvendin të “blinduar, 1600 policë në terren; protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim 8 Shtator 2026, 08:2108:21Politike "Nëse Rama e gëlltit, vdiq Shqipëria dhe fitoi kanceri", Ahmetaj: Protesta po lufton qelizën alfa kancerogjene 7 Shtator 2026, 23:0523:05Politike Video/ Ahmetaj zbulon përgjimin që shkund Ramën, si Ron Yeffet po grabit pronat e shqiptarëve 7 Shtator 2026, 21:3321:33Politike