Me një karrierë prej më shumë se 25 vitesh në sistemin e drejtësisë, titullin “Doktor i Shkencave” në Shkenca Juridike dhe një eksperiencë të gjatë në hetimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe çështjeve komplekse penale, Adnan Xholi është kandidati i parë që ka hyrë në garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Xholi ka dorëzuar kërkesën pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të garuar për drejtimin e institucionit më të lartë të akuzës në vend, post që aktualisht mbahet nga Olsian Çela, mandati i të cilit përfn në dhjetor të këtij viti.
I lindur më 6 korrik 1975 në Dibër, Adnan Xholi është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997, me titullin “Jurist”. Ai ka vijuar më tej studimet pasuniversitare, duke marrë titullin “Magjistër i Shkencave Juridike” në vitin 2009, ndërsa në vitin 2018 ka fituar gradën shkencore “Doktor” në Shkenca Juridike.
Karrierën në sistemin e drejtësisë e ka nisur në vitin 1998 si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Tepelenës. Më pas ka shërbyer si prokuror në Prokurorinë e Gjirokastrës, ku ka mbajtur edhe funksione drejtuese, përpara se të kalonte në strukturat e posaçme për hetimin e krimit të rëndë.
Nga viti 2004 deri në vitin 2013 ka ushtruar detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka trajtuar çështje të lidhura me krimin e organizuar dhe veprat e rënda penale.
Në vitet 2012-2013 ka drejtuar, i komanduar, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ndërsa në vitin 2015 ka qenë drejtues i komanduar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Nga viti 2013 deri në vitin 2021 ka mbajtur funksione drejtuese në Prokurorinë e Përgjithshme, përfshirë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore dhe drejtimin e disa strukturave të tjera brenda institucionit.
Pas përfundimit të procesit të rivlerësimit kalimtar, në korrik të vitit 2021 ai u emërua prokuror i posaçëm pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Që prej janarit 2023 mban edhe funksionin e drejtuesit të Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në SPAK.
Gjatë karrierës së tij, Xholi ka ndjekur dhjetëra trajnime kombëtare dhe ndërkombëtare në fusha si hetimi financiar, pastrimi i parave, konfiskimi i aseteve kriminale, trafikimi i narkotikëve, krimi ekonomik, terrorizmi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në çështjet penale.
Kandidatura për Prokuror të Përgjithshëm është një tjetër përballje për një post të lartë drejtues për Xholin, i cili më herët ka qenë pjesë e garave për drejtimin e institucioneve kryesore të prokurorisë. Me aplikimin në KLP, ai bëhet kandidati i parë zyrtar për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa gara mbetet e hapur deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e kandidaturave. Top Channel

