Pas arrestimit në Francë të biznesmenit Ermal Beqiraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështjen “AKSHI”, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, ka akuzuar Beqirajn për përfshirje në skema abuzive dhe ka ngritur pretendime për lidhje të tij me drejtues të lartë të qeverisë, akuza që janë kundërshtuar nga mazhoranca.
Beqiraj u arrestua nga autoritetet franceze pas bashkëpunimit me Interpolin, ndërsa ndaj tij SPAK ka caktuar masën “arrest në burg” për një sërë veprash penale që lidhen me dosjen “AKSHI”, përfshirë heqjen e paligjshme të lirisë, konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, grupin e strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
“Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës në uzurpimin e AKSH-it dhe kthimin e tij në ‘kopësht privat të familjes kryeministrore’, Ermal Beqiri, është prangosur nga policia franceze. Ky është lajm i mirë për taksapaguesit shqiptarë dhe një lajm i keq për Edi Ramën dhe bandën e tij, të cilëve po u shtrëngohet laku.
Ermal Beqiri, në emër të Kryeministrit, ka kryer pengmarrje, shantazhe, vjedhje parash dhe të dhënash personale, duke e kthyer një institucion publik të shtetit, në një kuplara sekrete të sektit të Rilindjes.
Partia Demokratike përshëndet Xhandarmërinë dhe Forcat e Hapësirës Ajrore Franceze që arrestuan kriminelin Beqiri, një armik jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Francës.
Ne nuk mund të rrimë pa vënë re edhe një rastësi apo ironi të gjërave: janë gjithmonë shërbimet e huaja që kryejnë ndjekjen, hapin dosjet dhe bëjnë arrestimet e kriminelëve shqiptarë. Kjo shpjegon shumë, ose për paaftësinë ose për korruptimin e institucioneve të sigurisë shqiptare, që janë kthyer në anekse të pushtetit, jo më në zyra të shtetit.
Ermal Beqiri nuk duhet të japë llogari vetëm për qindra miliona euro të grabitura nga qytetarët shqiptarë, jo vetëm për pengmarrjen e Daniel Shimës, jo vetëm për skemat, që e bëjnë atë qartësisht anëtar të një organizate kriminale, por edhe për përdorimin, bashkë me Edi Ramën, të të dhënave të qytetarëve shqiptarë për sistemin e patronazhimit, etj.
SPAK po bën sikur po heton Beqirin, dhe nuk po heton padronin e tij Edi Rama, dhe çdo hetim që nuk çon te padrinoja, ashtu si shumë të tjerë, është punë gjysmake, moszbardhje e së vërtetës dhe mosvendosje e drejtësisë në vend.
Ermal Beqiri u arrestua teksa pilotonte avionin e tij personal, që është pikërisht ky avion që shihni në këtë foto dhe që mbart logon Soft Solution. Ky avion është në pronësi të kompanisë Fly Solution, të regjistruar nga Ermal Beqiri në Slloveni”, u shpreh Këllici. Top Channel

