Ish-këshilltari kryesor për pandeminë Covid-19 në SHBA, Dr. Anthony Fauci, refuzoi të dëshmojë këtë të mërkurë para Komitetit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare, duke ushtruar të drejtën e tij kushtetuese sipas Amendamentit të Pestë, që e mbron nga vetëinkriminimi. Vetëm pak minuta pas nisjes së seancës dëgjimore, e thirrur nga senatori republikan Rand Paul, Fauci deklaroi se nuk do t’u përgjigjej pyetjeve, duke argumentuar se procesi kishte si synim ta ekspozonte ndaj ndjekjes penale. “Arsyeja e vetme pse jam thirrur para këtij komiteti është që të më detyrojnë të them diçka që mund të përdoret për të justifikuar premtimet e përsëritura se do të përfj ‘pas hekurave’”, deklaroi ai.
Kjo është hera e parë që Fauci, i cili është paraqitur më shumë se 250 herë para Kongresit gjatë karrierës së tij, zgjedh të mos dëshmojë duke iu referuar Amendamentit të Pestë.
Seanca u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi republikanët synonin ta përballnin ish-drejtorin e Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive me akuzat për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, origjinën e Covid-19 dhe financimin e kërkimeve shkencore në laboratorin e Wuhanit.
Në fjalën e tij hapëse, senatori Rand Paul deklaroi se falja parandaluese e dhënë nga ish-presidenti Joe Biden nuk e pengon Kongresin të hetojë nëse Fauci ka bërë deklarata të rreme. “Ajo nuk e rishkruan historinë, nuk i fshin dokumentet dhe nuk e pengon Kongresin të përcaktojë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh Paul.
Edhe Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., kishte deklaruar para seancës se, nëse Fauci do të gënjente sërish nën betim, mund të përballej me akuza për dëshmi të rreme.
Përplasjet mes Fauci-t dhe Rand Paul kanë vazhduar prej vitesh, kryesisht për çështjen e kërkimeve të njohura si “gain-of-function” në Institutin e Virologjisë në Wuhan. Paul pretendon se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka financuar eksperimente që rritnin aftësinë infektuese të koronavirusëve, ndërsa Fauci ka mohuar vazhdimisht një gjë të tillë, duke theksuar se asnjë kërkim i financuar nga NIH nuk përmbushte përkufizimin zyrtar të këtyre eksperimenteve.
Pak ditë para seancës, Rand Paul publikoi mbi 1,100 faqe nga ditari personal i Fauci-t gjatë periudhës së pandemisë. Ish-zyrtari e cilësoi publikimin e dokumenteve si një përpjekje për ta “turpëruar dhe frikësuar”.
Në përfundim të deklaratës së tij, Fauci tha se vendimi për të mos dëshmuar ishte marrë me këshillën e avokatëve të tij, pavarësisht respektit që, sipas tij, vazhdon të ketë për Kongresin amerikan.
Seanca u mbyll pa dëshminë e Fauci-t, ndërsa përplasja politike rreth menaxhimit të pandemisë dhe origjinës së Covid-19 vijon të mbetet një nga debatet më të forta në SHBA. Top Channel

