Lajme Zone
Kur Kryeministri nuk ka më asgjë për të thënë
PolitikëPamfleti
Ky artikull është pjesë e një historie me 6 burime — Krahaso mbulimin →

Kur Kryeministri nuk ka më asgjë për të thënë

Këto përfundime nuk i shpalli opozita, as media. I shpalli kryeministri që drejton vendin prej vitit 2013. Pas 13 vjetësh në pushtet, Kryeministri zbuloi shtetin e Edi Ramës.

Edi Rama / Pas 13 vjetësh në pushtet, Edi Rama zbuloi shtetin që ndërtoi vetë, kërcënoi deputetët me burg dhe vendosi mediat në “Radarin dixhital” të qeverisë... Edi Rama mblodhi ministrat dhe deputetët për t’u treguar se shteti nuk funksionon. Administrata është kthyer në labirint, institucionet nuk mbajnë mend çfarë premtojnë, ndërsa njohja vlen më shumë se merita dhe fati më shumë se ligji.

Këto përfundime nuk i shpalli opozita, as media. I shpalli kryeministri që drejton vendin prej vitit 2013. Pas 13 vjetësh në pushtet, Kryeministri zbuloi shtetin e Edi Ramës.

Ai nuk tregoi kush e ndërtoi këtë administratë, kush i emëroi drejtorët dhe kush i përdori vendet e punës për të ushqyer strukturat elektorale. Në vend të përgjegjësisë, shpalli emërtime të reja: “Besa”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania”, “Shkalla e Meritës” dhe “Radari dixhital”.

Kur qeverisja nuk prodhon më ide, demagogjia hedh parulla.

Deklarata më e rëndë lidhej me ndërhyrjet e deputetëve për punësime. Rama propozoi që çdo telefonatë apo mesazh me porosinë “fute këtë” ose “shife atë” të konsiderohet vepër penale.

Kjo fjali dëshmon ekzistencën e një sistemi. Rama e njeh gjuhën, mekanizmin dhe rrugën që lidh deputetin me drejtorin. Ai nuk përshkroi një rrezik teorik, por një praktikë të administratës së tij.

Nëse mesazhi “fute këtë” do të përbëjë vepër penale nesër, çfarë përbënin mijëra mesazhet e djeshme?

Sa njerëz hynë në administratë me një telefonatë? Sa kandidatë humbën konkurset sepse nuk njihnin deputetin, kryetarin e bashkisë apo drejtuesin politik? Sa drejtorë zbatuan porositë?

Rama nuk dha përgjigje. Ai e zhvendosi krimin e mundshëm në të ardhmen për të shmangur përgjegjësinë për të shkuarën. Nuk sqaroi as çfarë ndodh kur telefonon ministri, kryebashkiaku, sekretari i partisë apo biznesmeni pranë pushtetit. Ndoshta synon t’u heqë deputetëve një privilegj për t’ia lënë kontrollin e punësimeve një rrethi më të ngushtë.

“Prania Besnike” krijon një kontradiktë po aq të madhe. Rama pranoi se institucionet nuk i dëgjojnë qytetarët, ndaj urdhëroi ministrat, deputetët dhe drejtuesit e partisë të dalin çdo të premte në orën 17:00 për të mbledhur hallet e tyre.

Qytetari nuk duhet të kërkojë partinë që shteti t’i japë një përgjigje. Institucioni duhet ta dëgjojë dhe t’i përgjigjet brenda afatit ligjor. Duke e vendosur partinë mes qytetarit dhe administratës, Rama premton të luftojë ndërmjetësimin me një ndërmjetës të ri. Pikërisht këtu fillon patronazhimi.

Pjesa më kërcënuese e fjalimit ishte për mediat. Rama i përshkroi portalet si “pasqyra virtuale që vënë gjoba mbi biznesin” dhe mbi njerëzit e pushtetit. Pastaj shtoi: “Mua nuk ka shans të më vërë dot gjobë askush”.

Nëse një media kërkon para për të mos publikuar një lajm, ajo kryen krim dhe prokuroria duhet ta hetojë. Kryeministri duhet të dorëzojë prova, emra dhe kallëzime. Ai nuk mund ta përdorë ekzistencën e mundshme të shantazhit për të kërcënuar çdo redaksi që heton qeverinë dhe bizneset pranë saj.

Rama nuk dha asnjë provë. Ai njoftoi ngritjen e një “Radari dixhital” qeveritar që do të monitorojë çështjet që qarkullojnë në publik.

Kush do ta administrojë këtë radar? Çfarë të dhënash do të mbledhë? Kush do ta ndajë investigimin nga “gjoba”, faktin nga “histeria” dhe gazetarin nga shantazhi?

Qeveria do të shfaqet njëkohësisht si objekt i investigimit, gjykatëse e përmbajtjes dhe administratore e sistemit të monitorimit. Rama kërkon t’i përgjigjet medias jo me fakte, por me një radar.

Fjalia “mua nuk ka shans të më vërë dot gjobë askush” zbulon edhe ndjenjën e paprekshmërisë së kryeministrit. Ai nuk tha se ligji e mbron. Ai tha se askush nuk mund ta prekë. Kjo gjuhë merr peshë tjetër kur e përdor njeriu që kontrollon ekzekutivin, policinë, tatimet dhe inspektoratet. Çdo kontroll administrativ ndaj një mediaje mund të marrë më pas kuptimin e një ndëshkimi politik.

Rama premtoi edhe “PasqyrAlbania”, ku qeveria do të publikojë dokumentet për Sazanin dhe Zvërnecin. Transparenca nuk kërkon një emër të ri. Qeveria duhet t’i publikojë kontratat, negociatat dhe përfituesit sepse ligji dhe interesi publik e kërkojnë.

Pas katër mandateve, Rama nuk mund të paraqitet si autori i sistemit dhe shpëtimtari i tij. Nuk mund të denoncojë administratën sikur drejtorët t’i ketë emëruar opozita. Nuk mund të dënojë telefonatat e deputetëve pa treguar kush i lejoi. Nuk mund të luftojë patronazhimin duke vendosur partinë mes qytetarit dhe shtetit. Nuk mund të premtojë transparencë duke kërcënuar mediat.

Ky fjalim tregoi se Edi Rama nuk ka më asgjë për të thënë. Ai merr dështimet e vjetra, u vendos emra të rinj dhe ua shet shqiptarëve si reforma.

Nëse shteti është labirint, Rama e ndërtoi. Nëse njohja vlen më shumë se merita, partia e tij e ngriti atë sistem. Nëse deputeti punëson me telefon, kryeministri duhet të tregojë kush ka ndërhyrë dhe kush ka zbatuar porosinë. Nëse mediat vendosin “gjoba”, ai duhet të çojë provat në prokurori dhe jo t’i kërcënojë me radarë qeveritarë.

Rama nuk po hap një kapitull të ri. Ai po u vë tituj të rinj faqeve të konsumuara të pushtetit të tij./Pamfleti kur kryeministri nuk ka më asgjë për të thënë gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Identikiti i një lideri që rrëzon Edi Ramën 2 Shtator 2026, 11:1911:19Editorial Misteri i vdekjes së Allison Guerrieros dhe Kryeministri ynë 1 Shtator 2026, 11:0911:09Editorial Të gjithë në pritje të gjeneralit 31 Gusht 2026, 12:1012:10Editorial Kush po luan në Podgoricë me emrin e Shqipërisë? 30 Gusht 2026, 11:5311:53Editorial Misteri i Shqipërisë në alarmin e Milojko Spajiçit 29 Gusht 2026, 14:0814:08Editorial Çfarë fsheh vizita e beftë e shefit të CIA-s në Moskë? 28 Gusht 2026, 20:4120:41Editorial