Kohë paradoksesh
KUR KRYEMINISTRI MATET
ME HIJEN E MËNGJESIT…
— shënimi i ditës —
Ndryshe nga dje, kur Kryeministri u “pa sy më sy” me protestuesit, siç u shpreh vetë, edhe pse në të vërtetë “u pa sy më sy” përmes kamerës, para së cilës monologonte nga zyra e tij, sot zgjodhi t’i përcillte mesazhet e forcës duke monologuar në një takim mëngjesor me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.
Pak më i “trimëruar” se dje, por gjithsesi brenda së njëjtës frekuencë pasigurie e frike, ai sot zgjodhi të kërcënojë prindërit, të cilët, sipas tij, “nuk dinë se si t’i mbrojnë fëmijët e tyre”!
Për të kuptuar se Kryeministri nuk ka kuptuar asgjë nga ajo që po ndodh në sheshet dhe bulevardet e Tiranës, si edhe në qytete të tjera të vendit, mjafton të ndalemi te ky pasazh i ligjërimit të tij:
“Ju prindër do e paguani në rast se nuk dini si të mbroni fëmijët tuaj dhe i lini që 14 vjeç t’i marrin dhe t’i vënë në vijën e parë.
Ju them të gjithë atyre që ikin nga shkolla për të dhunuar policinë që nuk do kthehen në shkollë normalisht pa pasojë administrative. Nuk do ketë arsim falas për studentët që dhunojnë policinë”.
Në këtë rast, paradoksi bëhet edhe më grotesk, madje qesharak, kur mendon se ai që flet me këtë gjuhë të drunjtë, si ajo e një polici kooperative i kohës së komunizmit, është ish-pedagogu avanguardist që i yshtte studentët e vet jo vetëm drejt mosbindjes civile, por edhe drejt revoltës dhe luftës kundër kastës së pushtetit, të cilit i kishte perënduar mëngjesi.
Kur një Kryeministër i përgjigjet pakënaqësisë qytetare me kërcënime, kur prindërve u kujton se do ta paguajnë, ndërsa nxënësve dhe studentëve u paralajmëron ndëshkime, problemi nuk qëndron vetëm te toni i ligjërimit të tij, por te paaftësia për të kuptuar arsyet që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë.
Një protestë nuk shuhet duke u kujtuar qytetarëve çmimin që mund të paguajnë për pjesëmarrjen në të. As pakënaqësia nuk zhbëhet duke e trajtuar si çështje disipline, ndërsa kundërshtimin si një sjellje që duhet vënë nën kontroll. Në një demokraci, Kryeministri nuk është autoriteti që u jep qytetarëve leje për të protestuar, por zyrtari që duhet të përballet me të drejtën e tyre për ta kundërshtuar.
Për aktet e dhunës le të flasë ligji. Kjo nuk është punë e Kryeministrit.
Por protesta nuk mund të shërbejë si shkak që gjuha e Kryeministrit të shndërrohet në një kërcënim kolektiv ndaj prindërve, nxënësve dhe studentëve.
Shfaqja e sotme mëngjesore e Kryeministrit para drejtuesve të Policisë së Shtetit më kujton takimin e Ramiz Alisë me drejtuesit e Ministrisë së Brendshme pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, në atë kohë kur Kryeministri i sotëm u bënte thirrje protestuesve në sheshet e Tiranës që komunistët të vareshin në litar!
Por ka një ndryshim: Kryeministri i sotëm nuk po mbërrin dot as në nivelin e përgjegjshmërisë që tregoi Ramiz Alia në atë kohë, i cili kur e kuptoi se mëngjesi i pushtetit të tij kishte perënduar, zgjodhi dialogun me studentët dhe largimin nga pushteti, pa u përpjekur ta mbante atë medoemos.
Kështu, të paktën, nuk mori mbi vete mallkimin e nënave për bijtë e bijat e rrahur e të gjakosur!/ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

