“Nuk ka art që një qeveri ta mësojë më shpejt nga një tjetër sesa atë të zbrazjes së xhepave të qytetarëve.” (Adam Smith)
Aftësia për të vendosur një taksë të re nuk është provë e administrimit të mirë. Prova është zbatimi i drejtë i detyrimeve që ekzistojnë. Përpara se të dërgojë një faturë të re për banesën e dytë, Bashkia e Tiranës duhet të hapë regjistrin e kullave. Cilat kanë përfunduar? Cilat funksionojnë pjesërisht? Sa sipërfaqe mbeten bosh dhe çfarë detyrimesh paguhen për to? Pa këto përgjigje, propozimi për taksimin e pronave bosh rrezikon të jetë më shumë një kërkesë për para sesa një politikë për përdorimin e tyre.
Nuk bëhet fjalë për të shpallur çdo kullë bosh apo çdo investitor shkelës. Bëhet fjalë për të mos nisur nga fatura që është më e lehtë të dërgohet, por nga kontrolli që është më e nevojshme të kryhet. Një banesë e dytë dhe mijëra metra katrorë të pashfrytëzuar nuk mund të diskutohen pa marrë parasysh sipërfaqen, vlerën dhe kohëzgjatjen e mospërdorimit.
Kërkesa është e qartë: llogaridhënie përpara taksave të reja. Bashkia duhet të tregojë çfarë ka lejuar të ndërtohet, çfarë është vënë realisht në përdorim dhe nëse detyrimet ekzistuese po mblidhen. Vetëm atëherë mund të argumentojë bindshëm një barrë shtesë dhe të shpjegojë si do të shmangë që ajo të përfjë te familjet dhe bizneset që paguajnë qira.
Leja nuk mund të jetë fundi i përgjegjësisë
Sipas nje analize mbi lejet e ndërtimit, gjatë viteve 2021-2025 Bashkia Tiranë përfaqësonte 14,8% të numrit të lejeve, por 49,4% të sipërfaqes së lejuar në shkallë vendi. Pra, afërsisht gjysma e sipërfaqes së miratuar për ndërtim përqendrohej në një bashki që kishte rreth një të shtatën e numrit të lejeve. Në vitin 2021, në Tiranë u miratuan rreth 1,46 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi; në vitin 2022, rreth 1,51 milionë; në vitin 2023, rreth 1,03 milionë; dhe në vitin 2024, rreth 1,14 milionë. Këto shifra tregojnë përmasën e sipërfaqeve të lejuara, jo sa prej tyre janë përfunduar apo vënë në përdorim. Pikërisht këtu duhet të përqendrohet kërkesa për transparencë. Nuk mjafton të numërohen lejet. Duhet të ndiqet rruga e objektit deri te përfundimi, përdorimi dhe përmbushja e detyrimeve fiskale.
Megjithatë, shifrat nuk duhen përdorur për të pretenduar më shumë nga sa provojnë. Raporti nuk i identifikon kullat si kategori më vete dhe nuk tregon sa prej sipërfaqeve të tyre janë bosh. Një kullë mund të përmbajë banesa, zyra, dyqane ose përdorime të përziera. Prandaj, kërkesa nuk është që çdo kullë të shpallet problem, por që investimet e mëdha t’i nënshtrohen një kontrolli në përpjesëtim me sipërfaqen dhe vlerën e tyre.
Ku janë të dhënat për përdorimin real?
Për kullat me zyra dhe ambiente tregtare, pyetja është nëse oferta e re përputhet me kërkesën e bizneseve. Nëse sipërfaqet shtohen më shpejt se aktiviteti ekonomik që mund t’i përdorë, mund të krijohet një stok ambientesh të pashfrytëzuara. Por ky është një përfundim që kërkon prova. Raporti nuk përmban të dhëna për rritjen e bizneseve, kërkesën për zyra apo përqindjen e ambienteve bosh. Ai nuk provon se aktiviteti ekonomik po ecën më ngadalë se ndërtimi i kullave. Kjo mungesë nuk duhet të mbulohet as me hamendësime, as me deklarata politike. Edhe krahasimi i viteve kërkon kujdes: sipas raportit, nga tremujori i dytë i vitit 2025 seria mbështetet vetëm në raportimet bashkiake dhe nuk përfshin lejet e institucioneve të tjera, përfshirë KKT-në. Një debat serioz fiskal nuk mund të ndërtohet mbi seri të paplota, pa shpjeguar kufizimet e tyre.
Përpara vendosjes së një takse të re, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë një pasqyrë të kuptueshme të problemit që ajo synon të zgjidhë: sa sipërfaqe janë përfunduar, sa përdoren dhe sa mbeten bosh, të ndara sipas destinacionit.
Penalitete në ligj, por çfarë ndodh në praktikë?
Ligji parashikon gjobë nga 100 000 deri në 500 000 lekë për shkeljen e afatit të fillimit ose të përfundimit të punimeve, (dmth një kullë me vlerë investimi 100 apo 200 milionë Euro do të paguajë afërsisht sa gjoba e prezantuar nga qeveria për qytetarin që qëndron në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimeve të policisë, edhe nëse nuk kryen vetë veprime të dhunshme (?!). Ky interval nuk lidhet drejtpërdrejt me vlerën e investimit. A ka të njëjtën fuqi parandaluese një gjobë e tillë për një objekt të vogël dhe për një investim shumë të madh? Kjo pyetje duhet të marrë përgjigje përpara se të propozohet një barrë tjetër për pronarët.
Për ndërtesat që nuk përfjnë brenda afatit të lejes parashikohet gjithashtu një detyrim vjetor sa 30% e normës përkatëse të taksës mbi ndërtesën. Me normat bazë, kjo përkthehet në 0,015% për destinacion banimi dhe 0,06% për destinacion ekonomik. Nuk është një shtesë penalizuese prej 30%, por një pjesë e normës së zakonshme. Ky trajtim meriton shqyrtim: a e nxit përfundimin e objektit apo është tepër i dobët për të ndryshuar sjelljen e investitorit? Përgjigjja kërkon të dhëna mbi kohëzgjatjen e vonesave dhe detyrimet e paguara.
Ndërkohë, mospërfundimi në kohë investimit nuk duhet të shërbejë si mbulesë për pjesët që funksionojnë. Sipas shembujve zyrtarë të administrimit të taksës së pasurisë, sipërfaqet e vëna faktikisht në përdorim duhet të taksohen me normën e plotë përkatëse, edhe kur pjesa tjetër e objektit nuk ka përfunduar.
Prandaj, pyetja e parë për administratën është konkrete: sa nga këto detyrime janë identifikuar, faturuar dhe arkëtuar? Një taksë e re nuk duhet të përdoret si zëvendësim për kontrollin që duhet të kryhet tashmë.
Qiramarrësi nuk duhet të bëhet paguesi i fundit
Një taksë mbi pronat bosh mund ta nxisë pronarin ta japë pronën me qira ose ta shesë. Por do të ishte e pasaktë të premtohej se kjo do t’i ulë automatikisht qiratë. Të dhënat e OECD tregojnë se në Vankuver taksa mbi banesat bosh uli mospërdorimin, por nuk solli ndryshim të vërejtur në qiranë mesatare.
Po aq e rëndësishme është të mos ngatërrohet taksimi i mospërdorimit me rritjen e përgjithshme të taksës mbi pronën. Një pjesë e barrës së kësaj të fundit mund të kalojë te qiramarrësi, megjithëse kalimi nuk është automatik dhe varet nga kushtet e tregut.
Nëse masa synon aktivizimin apo futjen në qarkullim ekonomik të pronës, ajo duhet t’i japë pronarit mundësinë ta shmangë detyrimin shtesë përmes përdorimit real. Përndryshe, rrezikojmë një politikë që shpallet kundër pronave bosh, të përfjë si kosto për ata që banojnë me qira.
Suksesi duhet matur me banesa të përdorshme dhe të përballueshme, jo vetëm me apartamente të shpallura për qiradhënie. Stimujt për qiradhënie afatgjatë me çmime të përballueshme mund të jenë një instrument plotësues, siç trajtohet edhe nga OECD.
Biznesi i vogël nuk duhet të paguajë për sipërfaqet bosh
Për bizneset e vogla, politika duhet të synojë më shumë mundësi për të gjetur ambiente pune, jo një kosto tjetër. Futja në treg e njësive tregtare të pashfrytëzuara mund të shtojë alternativat. Por rreziku i kalimit të barrës fiskale te qiramarrësi duhet vlerësuar përpara miratimit të masës, jo pasi bizneset të përballen me kërkesa për qira më të larta.
Një dyqan i hapur, një punishte apo një zyrë shërbimesh nuk duhet të mbajë barrën e sipërfaqeve të papërdorura në të njëjtën ndërtesë. Detyrimi shtesë duhet të lidhet me mospërdorimin e verifikuar, jo me adresën e biznesit apo faktin që ai ndodhet në një kullë.
Njësitë funksionale duhen dalluar nga pjesët e papërfunduara dhe trajtuar sipas rregullave të zakonshme të taksimit. Politika duhet të nxisë hapjen e ambienteve bosh, jo të rëndojë aktivitetin që tashmë ekziston.
Jo taksa të reja pa llogaridhënie
Bashkia e Tiranës duhet të publikojë një inventar të verifikueshëm për objektet e mëdha: afatet e lejeve dhe shtyrjet e tyre, certifikatat e përdorimit, sipërfaqet funksionale, sipërfaqet bosh dhe detyrimet e faturuara e të arkëtuara. Ky proces duhet të ketë afate, përgjegjësi dhe rezultate të matshme.
Vetëm mbi këtë bazë mund të vlerësohet një taksë shtesë. Ajo duhet të dallojë objektin ende brenda afatit nga ai i vonuar, pronën e përfunduar por bosh nga ndërtesa pjesërisht funksionale dhe mospërdorimin e pajustifikuar nga pengesat e dokumentuara administrative ose teknike. Nuk mjafton të thuhet se duhen më shumë të ardhura. Duhet të shpjegohet pse instrumentet ekzistuese nuk mjaftojnë, çfarë ndryshimi synohet dhe kush do ta mbajë realisht koston.
Bashkia duhet të kalojë nga propozimet te provat. Përpara se të kërkojë më shumë nga qytetarët, duhet të dëshmojë se mbledh detyrimet që parashikon ligji dhe se zbaton të njëjtin standard për të gjithë. Qyteti ka nevojë për prona në përdorim, jo thjesht për fatura të tjera. Kullat nën kontroll, pastaj taksa të reja. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

