Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha në Real Story se 54 produktet e shportës që do të përfitojnë nga ulja e TVSH-së do të monitorohen me rigorozitet, me qëllim që reduktimi i taksës të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet për konsumatorët.
Ibrahimaj theksoi se çelësi i kësaj politike fiskale është garantimi që ulja e kostove për biznesin të sjellë edhe uljen e çmimeve për qytetarët.
Ministrja shtoi se platforma “Pasqyra e Çmimeve”, synon të garantojë transparencë dhe të mundësojë ndjekjen e zinxhirit të çmimeve, për të identifikuar hallkat ku krijohen marzhe më të larta dhe faktorët që ndikojnë në rritjen e tyre. Ministrja paralajmëroi se do të monitorohen çmimet për të shmangur abuzimet përpara hyrjes në fuqi të reduktimit të TVSH-së, më 1 janar.
“ Çelësi është zbatimi dhe sigurimi që kjo politikë fiskale, kosto e reduktuar e biznesit, të sjellë rënie çmimesh. Ne bëmë publike platformën “Pasqyra e Çmimeve”, e cila kishte për qëllim transparencën për çmimet. Në radhë të dytë, të ndiqet zinxhiri i çmimit për të kuptuar se cila hallkë solli marzh më të lartë apo cilët ishin faktorët që sollën rritjen e çmimit.
Ne krijuam kontakte me të gjithë furnitorët, me qëllim që të raportojnë në këtë platformë dhe ne të mund të monitorojmë çmimet. Ka një nivel të evazionit fiskal, por kjo na lejon që në çdo kohë të monitorojmë çmimet.
Të mos lejojmë të bëhen abuzime me rritjen e çmimeve tani, në mënyrë që, kur të hyjë në fuqi më 1 janar reduktimi i TVSH-së për disa produkte të shportës, të ketë një çmim…
Kemi nisur monitorimin dhe 54 produktet që do të kenë ulje të TVSH-së do të ndiqen me rigorozitet. Biznesi do t’i ulë çmimet, sepse situata është e tillë dhe konkurrenca do të bëjë që çmimet të ulen.
Ulja e TVSH-së na garanton që kemi një konkurrencë më të ndershme dhe më të barabartë edhe për produktet e tregut me pakicë.” / abcnews.al / Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitetReal Story

