Kryeministri Edi Rama i cilësoi si “zhurmat e makinave që që shkojnë e vijnë në bulevard” akuzat e kryebashkiakut Erion Veliaj në drejtim të tij. I pyetur nga mediat gjatë konferencës për shtyp me ambasadoren e BE, nëse e ka kërcënuar Veliajn dhe a mendon se Veliaj është pas protestave, Rama tha se qeveria është në krye të detyrës me “objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën”. Gazetarja: Kryeministër, duke përdorur fjalët tuaja, yjet vijojnë të jenë të rreshtuara mirë për Shqipërinë, por për qeverinë tuaj situata është më komplekse, pasi prej javësh ju përballeni me një protestë ku kërkohet dorëheqja juaj. Kësaj proteste i është bashkuar edhe një përplasje e hapur brenda familjes suaj politike, ku kryebashkiaku i Tiranës, nga qelia e paraburgimit, ju akuzon drejtpërdrejt se e keni kërcënuar me internim dhe i keni kërkuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë. Sipas tij, të gjitha këto i keni bërë nëpërmjet ministrit të Drejtësisë. Më lejoni të jem më e drejtpërdrejtë: A e keni kërcënuar ju zotin Veliaj dhe a mendoni se zoti Veliaj është pas protestave? Rama: Së pari, dua të them që Raporti i Progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë. Kushdo që dëshiron të dijë se në çfarë forme është qeveria, le të lexojë Raportin e Progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë. Një dëftesë që mua më gëzon, sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe nga kanalet e dezinformimit publik. Nga ana tjetër, dua të them që qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë. Dhe kur them çdo ditë, e kam fjalën pikërisht për këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot këtu, në këtë konferencë të posaçme shtypi: objektivin historik të bashkimit përfundimtar të vendit tonë me Evropën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me jashtëzakonisht shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga ai që unë e quaj dhe nga ajo që ju e cituat, rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të tjerat janë si zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë të rëndësishme ato për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju.
