Pushteti vendor po përdor paratë e qytetarëve si letra bixhozi. Në prag të reformës territoriale dhe zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, bashkitë e vendit kanë hedhur në treg një lumë tenderësh, por paratë e investimeve nuk duken askund në terren.
Shifrat e gjashtëmujorit të parë të 2026-ës janë dëshmia më e qartë e paaftësisë dhe e abuzimit me fondet publike pasi mbi 79% e projekteve të buxhetuara kanë ngelur vetëm në letër.
Pushteti vendor po shpenzon më shumë para se kurrë, por terreni mbetet bosh.
Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet e bashkive në gjashtëmujorin e parë të 2026-ës arritën në 422 miliardë lekë (15.3% më shumë se vjet). Vetëm në qershor u derdhën 87 miliardë lekë, 20% më shumë se qershori i kaluar dhe 4% mbi planifikimin e muajit.
Kjo etje për shpenzime pasqyrohet qartë edhe te tenderët. Open Procurement Albania raporton se bashkitë shpallën 1,877 tenderë me një fond limit prej 249 miliardë lekësh. Këtu shfaqet një paradoks i frikshëm! Megjithëse numri i procedurave ra me 35 tenderë krahasuar me vitin 2025, fondi limit u rrit me plot 79.2% (ose 110 miliardë lekë më shumë se 139 miliardët e vitit të kaluar).
Por, pavarësisht kësaj vale marramendëse parash të vëna në lëvizje në letër, realizimi në praktikë është një dështim kolosal. Nga një buxhet operativ prej 548 miliardë lekësh, bashkitë kanë investuar realisht vetëm 79 miliardë lekë.
Kjo përkthehet në një normë realizimi prej vetëm 14.4%, një distancë e humbur krahasuar me ritmin teorik prej 50% që do t'i korrespondonte gjysmës së vitit.
Champions-i i dështimit: Tirana, Durrësi dhe Himara thithin fondet, por nuk lëvizin gishtin
Tirana, Durrësi, Himara dhe Vlora mbajnë 63.5% të buxhetit kombëtar të investimeve, por performanca e tyre është alarmante!
Tirana me një buxhet prej 178 miliardë lekësh, ka realizuar vetëm 11.1% (rreth 19 miliardë lekë). E gjithë pesha e kryeqytetit ngel në fasada, ndërkohë që pjesa tjetër e fondeve është vjedhur.
Himara me 78 miliardë lekë buxhet, ka shpenzuar vetëm 8.9% (7 miliardë lekë).
Durrësi me 48 miliardë lekë buxhet, ka realizuar vetëm 6.3% (3 miliardë lekë).
Vlora fset në 4.2% të realizimit të buxhetit.
Puka ka realizuar vetëm 0.2% (1 milionë lekë nga 550 milionë të planifikuara), ndërsa Libohova rezulton me zero investime të raportuara!
Ku shkojnë paratë? Rrugët në fokus, por mbeten në vend-numëro
Rrugët mbeten fusha kryesore, ku janë shpenzuar 35 miliardë lekë (45% e totalit të investimeve të realizuara). Megjithatë, buxheti për rrugët ishte 169 miliardë lekë, çka do të thotë se norma e realizimit për asfaltin e shumëpremtuar mbetet në kufijtë e 21%.
Sektorë jetikë si shërbimet publike, arsimi bazë dhe planifikimi urban mbeten të mbytura në burokraci, me normat më të ulëta të thithjes së fondeve.

