Një tabakino në zonën e Freskut, në Tiranë, ishte një prej bizneseve të vjedhura gjatë ditëve të fundit nga një 20-vjeçar, i cili tashmë është vënë në pranga nga Policia.
Ngjarja në Fresk u raportua fillimisht nga JOQ Albania, pasi pronari i tabakinos publikoi pamjet e kamerave të sigurisë, ku shfaqej një person duke hyrë me forcë në ambientet e biznesit dhe marrë rreth 250 mijë lekë që ndodheshin në kasë.
Pas hetimeve të kryera në bazë të kallëzimeve të disa qytetarëve, Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me komisariatet e tjera, finalizoi operacionin e koduar “Multiple”, duke zbardhur 8 raste vjedhjeje.
Sipas Policisë, autori i dyshuar është shtetasi O. H., 20 vjeç. Dyshohet se gjatë periudhës 5–13 gusht 2026, ai ka vjedhur para dhe produkte në 8 subjekte të ndryshme në Tiranë.
Gjatë verifikimeve rezultoi gjithashtu se 20-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët për të njëjtën veprimtari kriminale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera vjedhjesh që mund të jenë kryer prej tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

