Numri i veprave penale të evidentuara në Shqipëri ka shënuar rënie gjatë vitit 2024, por të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se disa prej formave më shqetësuese të kriminalitetit janë në rritje, mes tyre krimet kibernetike, trafiku i qenieve njerëzore, dhuna në familje dhe rastet e shkaktimit të vetëvrasjes. Sipas raportit, gjatë vitit 2024 u evidentuan gjithsej 32.653 vepra penale, me një rënie prej 3,5% krahasuar me vitin 2023 dhe 2,5% krahasuar me vitin 2022.
Peshën më të madhe në totalin e veprave penale e zënë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, që përbëjnë 16,5% të të gjitha rasteve të regjistruara. Më pas renditen veprat penale në fushën e drogës me 8,9%, dhuna në familje me 6,6%, vjedhjet me 6,5% dhe trafiku i armëve dhe municionit me 4,2%.
Një nga zhvillimet më shqetësuese është rritja e trafikut të qenieve njerëzore, ku rastet u shtuan me 59,5% në raport me vitin 2023, duke kaluar nga 37 në 59 raste.
Po ashtu, shkaktimi i vetëvrasjes u rrit me 42,9%, nga 35 në 50 raste, ndërsa krimet kibernetike vijuan trendin e fortë në rritje, me 40,6% më shumë raste se një vit më parë, duke arritur në 388 raste, nga 276 që ishin në vitin 2023.
Në rritje rezultojnë edhe përndjekja, me 18,4%, duke arritur në 232 raste, vrasjet me dashje, të cilat u rritën me 17,1%, nga 35 në 41 raste, si edhe vjedhjet me shpërdorim detyre, që u shtuan me 14,6%.
Raporti evidenton gjithashtu një rritje të abuzimeve seksuale me 13,1%, ndërsa dhuna në familje vijon të mbetet një nga fenomenet më problematike, me një rritje prej 11,9%, duke arritur në 2.139 raste, nga 1.911 një vit më parë.
Edhe pastrimi i parave shënoi rritje me 8,8%, ndërsa shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor u rritën me 2,9%, duke mbetur kategoria me numrin më të lartë të veprave penale, me 5.382 raste.
Nga ana tjetër, disa kategori kriminaliteti kanë shënuar ulje të ndjeshme. Vjedhjet ranë me 21,3%, duke zbritur nga 2.712 në 2.133 raste, ndërsa kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror u ul me 18,3%.
Rënie regjistruan edhe përdhunimet, me 17,4%, korrupsioni, me 16,3%, si dhe krimet në fushën e drogës, që ranë me 6,3%, megjithëse mbeten ndër kategoritë me peshën më të madhe në kriminalitetin e përgjithshëm.
Në ulje rezultojnë gjithashtu shfrytëzimi i prostitucionit me 4,4% dhe trafikimi i armëve dhe municionit me 3,3%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, edhe pse kriminaliteti në tërësi ka vijuar të bjerë për të dytin vit radhazi, struktura e tij po ndryshon. Krimet tradicionale, si vjedhjet apo korrupsioni, kanë shënuar tkurrje, ndërsa po rriten veprat penale që lidhen me teknologjinë, trafikimin e qenieve njerëzore dhe dhunën ndaj individëve. /ekofin.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

