Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për aktivitetin e Fish City në Sarandë. Këtë herë janë banorë dhe biznese pranë portit që ankohen se zhurma e peshkarexhave dhe aktiviteti i përpunimit të peshkut po u kthen sezonin turistik në makth.
Sipas tyre, motori i peshkarexhave ndizet që në orët e para të mëngjesit, ndërsa shkarkimi dhe përpunimi i peshkut vazhdon për orë të tëra, duke krijuar ndotje akustike në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.
Në denoncimin e dërguar në JOQ Albania thuhet:
"Aktiviteti zhvillohet që në orët e para të mëngjesit dhe shpesh vazhdon për periudha të gjata, duke shkaktuar ndotje akustike që cenon qetësinë e banorëve dhe bizneseve përreth."
Sipas qytetarëve, pasojat nuk po i vuajnë vetëm ata, por edhe turizmi.
"Është shqetësim shumë i madh në këtë muaj gusht. Njerëzit po na ikin nga hotelet nga zhurma e vazhdueshme."
Më e fortë është akuza që ata ngrenë për vetë destinacionin e portit.
"Ky port na u prezantua si port jahtesh, ndërsa sot është kthyer në bazë të peshkarexhave të Fish City. Në vend të jahteve dhe turizmit, dëgjojmë motorë që në agim dhe përballemi me aktivitet industrial në mes të sezonit."
Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të verifikuar nëse aktiviteti respekton normat për ndotjen akustike dhe kushtet e funksionimit, duke theksuar se nuk mund të sakrifikohet qetësia e banorëve dhe e turistëve në favor të një aktiviteti privat.
Ky është vetëm denoncimi i radhës që mbërrin në redaksinë e JOQ Albania për aktivitetet e Fish City. Prej vitesh, qytetarë nga zona të ndryshme të vendit kanë ngritur shqetësime për ndikimin e bizneseve të lidhura me Gjergj Lucën, ndërsa tani edhe në zemër të sezonit turistik, zërat e revoltës po vijnë nga Saranda. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

