Rrugët, hekurudhat, portet dhe pikat kufitare po riformësojnë hartën ekonomike dhe strategjike të Ballkanit. Shqipëria ka një mundësi të rrallë për ta kthyer pozicionin e saj në Adriatik në një avantazh rajonal, por për këtë duhet të përfjë hallkat që mungojnë, veçanërisht në hekurudha, porte, lidhje ndërkufitare dhe logjistikë... Ballkani po hyn në një periudhë të re infrastrukturore. Rrugë të reja po lidhin qytete dhe kufij, hekurudhat po rikthehen në qendër të politikave të transportit, ndërsa portet po konkurrojnë për të zgjeruar ‘hinterlandin’ (pjesën e brendshme tokësore) e tyre përtej kufijve kombëtarë.
Në këtë transformim, Shqipëria ka një pozicion të veçantë. Durrësi dhe Vlora janë pika hyrëse në Adriatik, ndërsa vendi lidhet natyrshëm me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe, përmes Korridorit VIII, me Bullgarinë dhe Detin e Zi.
Por avantazhi gjeografik nuk mjafton. Shqipëria duhet të krijojë një sistem të integruar ku portet, rrugët, hekurudhat, terminalet dhe pikat kufitare funksionojnë si një zinxhir i vetëm.
Korridori VIII, mundësia më e madhe
Në qendër të kësaj mundësie qëndron Korridori VIII, aksi lindje-perëndim që synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në territorin shqiptar, ai përfshin lidhjet nga Durrësi dhe Vlora përmes Tiranës e Elbasanit drejt Pogradecit dhe kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Rëndësia e tij është më e madhe se ajo e një projekti rrugor. Korridori përfshin rrugë, hekurudha, porte dhe lidhje logjistike dhe është pjesë e rrjetit TEN-T të Bashkimit Evropian. Në shkurt, Shqipëria, Italia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Rumania ripohuan Korridorin VIII si një aks strategjik që lidh Adriatikun dhe Detin e Zi.
Për Shqipërinë, kjo mund të jetë mundësia për të kaluar nga një vend në fund të një rruge transporti në një nyje tranziti të Ballkanit. Por pikërisht këtu shfaqet problem. Korridori VIII nuk mund të funksionojë, nëse hallkat shqiptare mbeten të papërfunduara ose nuk lidhen në mënyrë efektive me rrjetet e vendeve fqinje.
Hekurudha është hallka që mungon më shumë
Pika më e rëndësishme është hekurudha. Projekti Durrës-Rrogozhinë parashikon modernizimin, elektrifikimin dhe përshtatjen me standardet evropiane të rreth 34 kilometrave hekurudhë. Projekti ka një kosto totale rreth 121 milionë euro dhe financohet me mbështetje evropiane.
Por kjo linjë është vetëm fillimi. Për të krijuar një korridor real Adriatik-Det i Zi, lidhja duhet të vazhdojë nga Rrogozhina drejt Pogradecit dhe më pas drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut. Aktualisht, projekti Rrogozhinë-Pogradec, qytet kufi me Maqedoninë e Veriut është në fazën e studim-projektimit.
Pikërisht kjo është një nga dobësitë kryesore të Shqipërisë. Një hekurudhë moderne Durrës-Rrogozhinë ka vlerë të kufizuar nëse nuk lidhet me rrjetin ndërkombëtar. Sipas projektit rajonal të Korridorit VIII, në zonën e Lin-Pogradecit parashikohet edhe lidhja e re hekurudhore me kufirin maqedonas.
Kjo hallkë është thelbësore që Shqipëria të mos mbetet një fund hekurudhor, por të bëhet pjesë e një korridori kontinental. Pra, sfida nuk është thjesht të ndërtohen më shumë kilometra hekurudhë. Është të mbyllet lidhja nga porti deri te kufiri dhe më tej në rrjetin evropian.
Durrësi duhet të mendohet si port rajonal
Nëse Korridori VIII funksionon, një nga përfituesit kryesorë mund të jetë Durrësi. Porti nuk do të shërbente më vetëm për ekonominë shqiptare. Me lidhje të mira rrugore dhe hekurudhore, ai mund të zgjerojë ndikimin drejt Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe më tej drejt Bullgarisë.
Kjo do ta vendoste Durrësin në konkurrencë me porte si Selaniku, Ploçe, Burgas dhe Varna.
Por konkurrenca portuale nuk përcaktohet vetëm nga pozicioni në hartë. Një port mund të jetë shumë pranë tregut, por të humbasë avantazhin nëse mallrat presin gjatë në dogana ose nëse nuk kanë lidhje të shpejta hekurudhore me destinacionin. Prandaj Shqipërisë i duhet të mendojë për portin dhe ‘hinterlandin’ e tij si një sistem të vetëm.
Porto Romano nuk mund të shkëputet nga rrjeti
Zhvillimi i Porto Romanos e bën edhe më të rëndësishme këtë qasje. Një port i ri ose i zgjeruar mund të krijojë kapacitete të reja për mallrat, por vetëm nëse lidhet me hekurudhën, autostradat dhe terminalet logjistike. Përndryshe, një pjesë e kapacitetit të tij humbet në transportin tokësor.
Këtu Shqipëria duhet të shmangë një gabim të zakonshëm në rajon: ndërtimin e projekteve të mëdha që funksionojnë veçmas. Porti duhet të lidhet me hekurudhën; hekurudha me rrugën; rruga me kufirin; dhe të gjitha bashkë me tregjet rajonale. Kjo është ajo që e shndërron një investim infrastrukture në korridor ekonomik.
Kosova është ‘hinterland’i më i afërt
Lidhja me Kosovën është një tjetër avantazh i rëndësishëm. Rrjeti rrugor Durrës-Kukës-Prishtinë ka krijuar tashmë një lidhje të drejtpërdrejtë mes Adriatikut dhe Kosovës. Për Shqipërinë, sfida e radhës është që këtë avantazh rrugor ta plotësojë me një sistem më të gjerë logjistik.
Nëse lidhjet me Maqedoninë e Veriut përmirësohen, Durrësi mund të fitojë një ‘hinterland’ edhe më të madh. Kështu krijohet një trekëndësh i rëndësishëm Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut, me dalje në Adriatik dhe lidhje drejt Evropës Lindore. Në këtë kuptim, edhe akse të reja se Shkup-Bllacë, të cilat në pamje të parë janë thjesht projekte lokale, kanë rëndësi për Shqipërinë. Ato ndihmojnë në bashkimin e rrjeteve që mund të lidhen përfundimisht me Durrësin.
Ku çalon ende Shqipëria?
Problemi i saj i parë është fragmentimi i projekteve. Në territorin shqiptar ka përparime në disa segmente rrugore dhe hekurudhore, por korridori i plotë ende nuk është një realitet i pandërprerë. Në drejtimin Elbasan-Qafë Thanë, disa segmente janë në ndërtim ose përgatitje, ndërsa disa pjesë të tjera ende kërkojnë procedura dhe kontraktime.
Problemi i dytë është hekurudha. Durrës-Rrogozhinë është pjesa më e avancuar, por vazhdimi drejt Pogradecit dhe kufirit maqedonas mbetet vendimtar për funksionimin e plotë të korridorit.
Problemi i tretë është logjistika. Portet kanë nevojë për terminale intermodale, magazina, lidhje hekurudhore dhe sisteme moderne të përpunimit të mallrave.
Problemi i katërt janë pikat kufitare. Një autostradë e re, nuk e bën një korridor efikas nëse kamionët humbasin orë të tëra në dogana. Për një vend që synon të jetë nyje tranziti, koha e kalimit të kufirit është po aq e rëndësishme sa cilësia e asfaltit.
Korridori VIII nuk është vetëm ekonomik
Rëndësia e Shqipërisë në këtë projekt është rritur edhe për arsye strategjike. Pas luftës në Ukrainë, Bashkimi Evropian dhe NATO po i kushtojnë më shumë rëndësi lëvizshmërisë ushtarake dhe ekzistencës së rrugëve alternative për transportin e pajisjeve dhe personelit.
Në deklaratën e përbashkët të Tiranës të shkurtit të këtij viti, Korridori VIII u cilësua një aks strategjik lindje-perëndim dhe pjesë e rëndësishme e rrjetit TEN-T, ndërsa procesi lidhet edhe me angazhimet për lëvizshmërinë ushtarake. Kjo do të thotë se rrugët dhe hekurudhat shqiptare po marrin një vlerë që shkon përtej tregtisë.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?
Nëse Shqipëria dëshiron të përfitojë maksimalisht, duhet të ketë një prioritet të qartë: ta trajtojë Korridorin VIII si një sistem të vetëm dhe jo si një listë projektesh të veçuara. Kjo nënkupton përfundimin e lidhjeve rrugore drejt kufirit maqedonas, modernizimin dhe elektrifikimin e Durrës-Rrogozhinë, avancimin e Rrogozhinë-Pogradec dhe lidhjen hekurudhore me Maqedoninë e Veriut.
Njëkohësisht, Durrësi dhe Porto Romano duhet të lidhen drejtpërdrejt me rrjetin hekurudhor dhe rrugor, ndërsa Shqipëria duhet të investojë në terminale logjistike, magazina dhe transport intermodal. Një prioritet tjetër, duhet të jetë modernizimi i pikave kufitare dhe harmonizimi i procedurave me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Ballkani po ndërton alternativa
Projektet e tjera rajonale po ndryshojnë gjithashtu ekuilibrin. Korridori X mbetet aksi kryesor veri-jug përmes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Korridori Vc forcon lidhjen e Bosnjë-Hercegovinës me Kroacinë dhe portin e Ploçes, ndërsa rrjetet mes Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë po krijojnë alternativa drejt Detit të Zi.
Kjo do të thotë se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Sa më shumë të zhvillohen korridoret alternative, aq më e madhe bëhet konkurrenca mes porteve dhe rrjeteve logjistike. Por kjo konkurrencë është edhe një mundësi.
Në rast se Shqipëria arrin të krijojë një lidhje të besueshme nga Durrësi dhe Vlora drejt Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe më tej Bullgarisë, vendi mund të fitojë një rol shumë më të madh në ekonominë rajonale.
Nga pozicioni gjeografik te avantazhi ekonomik
Shqipëria ka atë që shumë vende të tjera të rajonit nuk e kanë: dalje në Adriatik, porte në skajin perëndimor të Korridorit VIII dhe lidhje tokësore me Kosovën e Maqedoninë e Veriut. Por gjeografia është vetëm potencial. Sfida është ta kthesh këtë potencial në një rrjet funksional.
Nuk mjafton një port pa hekurudhë, një hekurudhë pa lidhje ndërkufitare apo një autostradë pa dogana efikase. Korridoret e reja po ndryshojnë hartën e Ballkanit. Për Shqipërinë, pyetja nuk është nëse duhet të jetë pjesë e kësaj harte, por nëse do të arrijë të bëhet një nga nyjet e saj kryesore./Pamfletikoridoret e reja në ballkan shqipëria Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Tatimet nisin hetimin për të ardhurat nga Booking, në sitë 100 subjekte 27 Gusht 2026, 12:0712:07Ekonomi Këmbimi valutor 27 gusht 2026! Mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 27 Gusht 2026, 07:3907:39Ekonomi 50 për qind të grupeve ushqimore i paguajmë më shtrenjtë se Europa, Shqipëria rekord edhe në rajon 26 Gusht 2026, 08:3108:31Ekonomi Euro, paundi dhe dollari thellojnë krizën; zbuloni me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja për ditën e sotme 26 Gusht 2026, 07:5107:51Ekonomi Katër herë më lartë se mesatarja e BE-së, raporti i “FAO”: 1 në 3 shqiptarë përballet me pasiguri ushqimore 25 Gusht 2026, 08:2408:24Ekonomi Këmbimi valutor 25 gusht 2026! Euro dhe paundi në greminë, mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 25 Gusht 2026, 07:4707:47Ekonomi

