Strukturat e Policisë së Lezhës kanë nisur një aksion të përqendruar ndaj automjeteve luksoze që qarkullojnë në qytet, me synim verifikimin e origjinës së tyre dhe zbulimin e pasurive me burim kriminal. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Policinë Rrugore, kanë bllokuar një mjet luksoz të tipit “Rolls-Royce”. Gjatë verifikimeve të kryera në terren lidhur me historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të mjetit, policia konstatoi mungesë të plotë dokumentacioni zyrtar. Për këtë arsye, u vendos bllokimi administrativ i automjetit “Rolls-Royce”, ndërsa materialet i kaluan strukturave përkatëse për nisjen e një hetimi pasuror ndaj pronarit të tij, shtetasit me iniciale F. M., me banim në Mbretërinë e Bashkuar. Policia e Lezhës bëri me dije se këto kontrolle të përbashkëta do të vijojnë edhe në ditët në vijim ndaj mjeteve të kategorisë luksoze, me fokus goditjen e pastrimit të produkteve të veprës penale dhe parandalimin e trafikimit të mjeteve të përfituara nga veprimtaritë kriminale. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
