Lajme Zone
Konflikti me Iranin/ Vance: Prioriteti i SHBA-së, mbajtja e çmimit të ulët të naftës dhe gazit
BotëBalkanWeb

Konflikti me Iranin/ Vance: Prioriteti i SHBA-së, mbajtja e çmimit të ulët të naftës dhe gazit

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi të enjten se prioriteti kryesor i Shteteve të Bashkuara në luftën me Iranin është mbajtja e ulët e çmimeve të naftës dhe benzinës për qytetarët amerikanë, ndërsa parandalimi i Iranit për të siguruar një armë bërthamore renditet si objektivi i dytë.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi të enjten se prioriteti kryesor i Shteteve të Bashkuara në luftën me Iranin është mbajtja e ulët e çmimeve të naftës dhe benzinës për qytetarët amerikanë, ndërsa parandalimi i Iranit për të siguruar një armë bërthamore renditet si objektivi i dytë. Deklarata e Vance bie në kontrast me qëndrimet e përsëritura të presidentit Donald Trump, i cili e ka paraqitur luftën si një përpjekje me objektiv kryesor parandalimin e Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, edhe nëse kjo do të sillte sakrifica ekonomike afatshkurtra për amerikanët. “Qëllimi numër një është të mbajmë naftën dhe gazin të lirë për amerikanët në të gjithë vendin”, tha Vance për Fox News, duke theksuar se çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm nga nivelet e larta të ditëve të para të konfliktit. “Dhe, padyshim, qëllimi numër dy është të sigurohemi që Irani të mos ketë kurrë një armë bërthamore”, shtoi ai. Deklaratat e zëvendëspresidentit vijnë në një moment kur Ngushtica e Hormuzit është kthyer në qendër të konfliktit dhe të përpjekjeve diplomatike. Irani ka kushtëzuar rihapjen e kësaj rruge strategjike, ndërsa kontrolli i saj ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë. Vance ka qenë ndër zyrtarët e administratës amerikane më skeptikë ndaj ofensivës së nisur kundër Iranit në fund të shkurtit. Megjithatë, komentet e tij të fundit duket se pasqyrojnë një qasje më të kujdesshme të administratës Trump, e cila kombinon presionin ekonomik me përballjen ushtarake dhe përpjekjet diplomatike.

“Herë pas here fokusohemi te pjesa energjetike, sepse duam që amerikanët të përballojnë çmimin e naftës dhe gazit. Herë të tjera fokusohemi te ajo ushtarake dhe te programi bërthamor”, tha Vance.

Ai shtoi se Trump ndodhet “në kulmin e autoritetit të tij”, duke pasur në dispozicion mjete diplomatike, ushtarake dhe ekonomike.

Ndërkohë, rruga diplomatike për zgjidhjen e krizës mbetet e bllokuar, pasi Uashingtoni dhe Teherani vazhdojnë të qëndrojnë në pozicione të kundërta për kushtet e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Trump përballet gjithashtu me një tjetër problem në aspektin ushtarak: shterimin me ritme të shpejta të rezervave të disa llojeve të raketave dhe dronëve, çka mund të ndikojë në kapacitetin e SHBA-së për të vijuar konfliktin në të njëjtin intensitet. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb