Lajme Zone
KLSH zbulon probleme me listën e barnave të rimbursuara
Të tjeraJOQ Albania

KLSH zbulon probleme me listën e barnave të rimbursuara

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar probleme serioze në verifikimin e barnave të përfshira në listën e rimbursimit. Sipas raportit të auditimit, nga 458 barna të kontrolluara për vitin 2023, 43 nuk rezultonin të pajisura me autorizim tregtimi dhe nuk figuronin në regjistrin e barnave për atë vit. Gjetjet ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e kontrollit të produkteve që përfshihen në skemën e rimbursimit.

Problemet nuk ndalen këtu. KLSH ka konstatuar se 46 barna të tjera, ndonëse ishin të autorizuara për tregtim, nuk rezultonin të ishin importuar në Shqipëri gjatë vitit 2023. Sipas auditimit, kjo tregon dobësi në verifikimin e qarkullimit real të barnave dhe mungesë efektiviteti në koordinimin mes Ministrisë së Shëndetësisë, institucioneve të varësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Gjetjet e KLSH-së ngrenë shqetësime për funksionimin praktik të listës së barnave me rimbursim, veçanërisht kur një medikament figuron si alternativë e parë, por nuk është i autorizuar ose nuk qarkullon realisht në treg. Kjo krijon paqartësi për pacientët dhe aksesin e tyre në barnat që duhet të jenë të disponueshme përmes skemës së rimbursimit, ndërsa njëkohësisht vë në pikëpyetje efektivitetin e kontrolleve institucionale mbi këtë listë.