Rama me Guilfoyle Opozita greke kërkon shpjegime për deklaratat e Kimberly Guilfoyle, ndërsa qeveria mohon se është kërcënuar. Raportimi ngre pikëpyetje edhe për Shqipërinë: pak javë pas një takimi me Edi Ramën, Tirana mori një komunikim nga administrata Trump për furnizimin me gaz. Raportimi i The Wall Street Journal për ambasadoren amerikane Kimberly Guilfoyle ka trazuar politikën greke, duke sjellë reagime nga disa parti opozitare dhe duke detyruar qeverinë e Kyriakos Mitsotakis të mohojë publikisht se është kërcënuar nga përfaqësuesja e Uashingtonit.
Në qendër të debatit janë deklaratat që gazeta amerikane thotë se Guilfoyle bëri gjatë një darke në mars, ku merrnin pjesë zyrtarë grekë dhe amerikanë. Sipas WSJ, teksa fliste për zhvillimet politike në Rumani, ambasadorja i tha ministrit grek të Energjisë, Stavros Papastavrou, se Shtetet e Bashkuara kishin luajtur rol në rrëzimin e qeverisë rumune.
“Mund t’ia bëjmë këtë çdo vendi që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu”, citohet të ketë thënë Guilfoyle.
Raportimi shkaktoi reagim të menjëhershëm në Athinë. PASOK kërkoi që Ministria e Jashtme dhe Ministria e Energjisë të japin shpjegime dhe të sqarojnë atë që kishte ndodhur.
“Greqia është një demokraci e pavarur dhe sovrane dhe ka për detyrë të veprojë si e tillë në çdo rast dhe ndaj të gjitha palëve, pa përjashtim”, deklaroi PASOK.
Edhe SYRIZA e cilësoi çështjen “jashtëzakonisht serioze” dhe kërkoi përgjigje nga qeveria. Sipas partisë, nëse raportimi konfirmohet, çështja nuk mund të trajtohet thjesht si një incident diplomatik. Opozita e lidhi debatin edhe me politikën energjetike të Athinës dhe Korridorin Vertikal të Gazit.
Aleanca e Majtë Greke, ELAS, i cilësoi deklaratat e pretenduara “të paprecedenta dhe të papranueshme”, ndërsa ngriti edhe pyetjen se përse publiku nuk ishte informuar më herët, nëse incidenti kishte ndodhur që në mars. Edhe Partia Komuniste, KKE, reagoi duke kërkuar llogari nga qeveria për marrëdhëniet me Uashingtonin. “Mund ta bëjmë me kë të duam”/ Nga marrëveshja 6 mld $ në Shqipëri te rrëzimi i qeverive në Europë, WSJ zbardh rolin e ambasadores së Trump
28 Shtator, 10:44 Përballë presionit, qeveria e Mitsotakis doli me një mohim të prerë.
“Nuk ka pasur kurrë çështje të kërcënimit të qeverisë greke”, deklaroi zëdhënësi Pavlos Marinakis.
“Diçka e tillë nuk do të ishte kurrë e pranueshme”, shtoi ai, duke këmbëngulur se marrëdhëniet mes Athinës dhe Uashingtonit mbeten të forta dhe bazohen në respektin e ndërsjellë.
Por raportimi i Wall Street Journal ka një dimension që prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë dhe ngre një pyetje të pashmangshme: nëse deklarata të tilla janë bërë në Athinë, çfarë është diskutuar në Tiranë?
Gazeta amerikane zbulon se Guilfoyle zhvilloi në mars një vizitë të papublikuar në Tiranë, në një kohë kur qeveria shqiptare po kërkonte të forconte marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë. Ajo u takua me kryeministrin Edi Rama dhe i propozoi Shqipërisë bashkëpunim në sektorin energjetik. Në takim nuk ishte vetëm. Guilfoyle shoqërohej nga drejtuesi i Aktor Group, Alexandros Exarchou, dhe nga Christos Marafatsos, lobisti greko-amerikan që është shfaqur vazhdimisht pranë saj.
A u përball edhe Edi Rama me presion nga diplomatja amerikane? Wall Street Journal nuk raporton për ndonjë kërcënim ndaj kryeministrit shqiptar dhe nuk citon ndonjë deklaratë të Guilfoyle të ngjashme me atë që i atribuohet në Athinë. Por kronologjia që sjell gazeta amerikane është domethënëse.
Vetëm disa javë pas takimit, qeveria shqiptare mori një email nga Këshilli Kombëtar për Dominimin Energjetik i administratës Trump. Në të sugjeroheshin kompani të interesuara për furnizimin e Shqipërisë me gaz amerikan. Sipas ministrit shqiptar të Energjisë, Enea Karakaçi, alternativa konkrete që paraqitej ishte Venture Global, kompania amerikane e LNG-së që kishte lidhur marrëveshje me Aktor disa muaj më parë.
“Shikoni, nuk besoj se në atë email kishte, le të themi, shumë kompani”, citohet Karakaçi nga Wall Street Journal.
Në prill, Guilfoyle u kthye në Shqipëri. Këtë herë për nënshkrimin e një marrëveshjeje 20-vjeçare me vlerë rreth 6 miliardë dollarë. Sipas raportimit, marrëveshja parashikon blerjen çdo vit të një miliard metri kub gaz, të furnizuar nga Venture Global përmes strukturës së lidhur me Aktor. Avokatët e Aktor kanë deklaruar se marrëveshjet e grupit për LNG-në realizohen përmes Atlantic-SEE dhe kanë kundërshtuar pretendimet për favorizim të papërshtatshëm.
Në këtë histori shfaqet pikërisht Christos Marafatsos, 39-vjeçari greko-amerikan që disa zyrtarë të huaj, për shkak të pranisë së vazhdueshme pranë Guilfoyle, e kishin marrë madje për shefin e kabinetit të saj. Ai nuk mban post diplomatik. Marafatsos është lobist i Aktor dhe ka lidhje të hershme me lëvizjen politike të Donald Trump.
Marafatsos nuk është i panjohur për rrethin e Donald Trump. Ai u angazhua në fushatën e tij që përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 dhe drejtoi “Greek Americans for Trump”. Më vonë ndihmoi Guilfoyle gjatë përgatitjeve për konfirmimin e saj në Senat dhe mori pjesë në ceremoninë e betimit. Në mars, Trump e përmendi atë publikisht gjatë pritjes për Ditën e Pavarësisë së Greqisë në Shtëpinë e Bardhë.
Vëmendja ndaj Marafatsos lidhet edhe me Aktor Group, për të cilin ai lobon në SHBA. Kompania është aktive në sektorin energjetik dhe në projektet që lidhen me transportin e gazit në Evropën Juglindore. Guilfoyle, nga ana e saj, ka promovuar Korridorin Vertikal të Gazit dhe rritjen e eksporteve amerikane të LNG-së drejt Evropës. Ambasada amerikane ka deklaruar se aktiviteti i saj synon interesat energjetike të SHBA-së dhe reduktimin e varësisë evropiane nga gazi rus, ndërsa avokati i Guilfoyle ka kundërshtuar pretendimet se ajo favorizon një kompani të caktuar.
Kështu, raportimi që ka ndezur debatin politik në Greqi prek edhe Tiranën. Në Athinë, opozita kërkon të dijë nëse ambasadorja amerikane foli për mundësinë e rrëzimit të një qeverie; në Shqipëri, pyetja është tjetër: çfarë peshe pati ndërhyrja e Uashingtonit në zgjedhjen e partnerit për marrëveshjen miliardëshe të gazit? /Pamfletiguilfoyle rama Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Jászai kërkon terren në Ballkan, merr Data Center-in në Mal të Zi; po Rama çfarë ka rezervuar për oligarkun e Orbanit? 28 Shtator 2026, 17:3217:32Politike BE-ja ndryshon lojën e zgjerimit, Ballkani përballë një formule të re 28 Shtator 2026, 17:0017:00Politike “Shteti kalbëzohet, këta ikin në Strasburg”, Salianji 'godet' Berishën: Paterica që mban Ramën në pushtet! 28 Shtator 2026, 15:4415:44Politike Sulmet e Ramës ndaj SPAK, Tabaku: Shqipëria nuk vuan nga republika e prokurorëve, por nga republika e të korruptuarve 28 Shtator 2026, 14:5414:54Politike “Radarët fiken për drogë, përgjime e vrasje”, Ina Zhupa përplaset me socialistët: Rama të japë dorëheqjen 28 Shtator 2026, 14:2714:27Politike "Partnerët ndërkombëtarë janë zhgënjyer"/ Skandali i SHISH, Bamir Topi: Rama duhet të mbante përgjegjësi politike! 28 Shtator 2026, 14:2214:22Politike

