Lajme Zone
Greqia mund të godasë e para Turqinë, skenari ushtarak që ndez Egjeun
PolitikëPamfleti

Greqia mund të godasë e para Turqinë, skenari ushtarak që ndez Egjeun

Ta Nea e mori këtë deklaratë dhe ndërtoi mbi bazën e burimeve dhe analistëve ushtarakë të konsultuar prej saj, një skenar se çfarë mund të nënkuptojë praktikisht një “goditje parandaluese”. Media e vendos skenarin drejtpërdrejt në kontekstin e një krize me Turqinë.

Ilustrim Përplasja për 12 miljet, shelfin kontinental, ishujt dhe zonat detare ka sjellë disa herë Greqinë dhe Turqinë pranë konfliktit. Tani Athina po diskuton një koncept tjetër ushtarak: të mos presë goditjen e parë, nëse vlerëson se sulmi është bërë i pashmangshëm... Një deklaratë e gjeneralit Dimitrios Houpis, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, ka hapur një debat që shkon shumë përtej modernizimit të ushtrisë greke. Në një intervistë televizive më 1 dhjetor 2025, Houpis foli për aftësinë e goditjes me saktësi në “thellësi strategjike” dhe për nevojën që Forcat e Armatosura greke të mund të kryejnë goditje parandaluese me karakter strategjik.

Ta Nea e mori këtë deklaratë dhe ndërtoi mbi bazën e burimeve dhe analistëve ushtarakë të konsultuar prej saj, një skenar se çfarë mund të nënkuptojë praktikisht një “goditje parandaluese”. Media e vendos skenarin drejtpërdrejt në kontekstin e një krize me Turqinë.

Houpis nuk ka njoftuar një plan për sulm ndaj Turqisë dhe Ta Nea nuk ka zbuluar ndonjë urdhër operacional të miratuar nga qeveria greke. Por deklarata e kreut të ushtrisë dhe analiza që pasoi tregojnë një koncept tjetër të parandalimit: në një krizë ekstreme, Greqia duhet të ketë aftësinë të godasë para kundërshtarit, nëse informacionet tregojnë se procesi i sulmit është bërë i pakthyeshëm.

Dhe kur flitet për një skenar të tillë, harta që qëndron në sfond është kryesisht Egjeu.

Egjeu, aty ku Athina dhe Ankaraja janë përplasur prej dekadash

Mosmarrëveshjet greko-turke në Egje nuk lindën sot. Përplasja për shelfin kontinental daton të paktën nga viti 1973. Në vitin 1976 tensioni për kërkimet në Egje arriti deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Më 11 nëntor 1976, dy vendet nënshkruan Procesverbalin e Bernës, i cili krijoi një kuadër për negociatat.

Kriza u kthye në mars 1987, përsëri rreth kërkimeve për hidrokarbure dhe shelfit kontinental. Më pas erdhi Imia/Kardak në janar 1996, kur forcat ushtarake të dy vendeve u vendosën përballë njëra-tjetrës rreth dy ishujve të vegjël shkëmborë. Athina e konsideron sovranitetin grek mbi Imia të përcaktuar nga traktatet ndërkombëtare, ndërsa Ankaraja e kundërshton këtë interpretim.

Një tjetër krizë serioze erdhi në vitin 2020, këtë herë e lidhur me aktivitetet sizmike dhe zonat detare në Mesdheun Lindor. Pra deklarata e Houpis nuk del në një terren bosh. Ajo lidhet me një hapësirë ku dy vende anëtare të NATO-s kanë ushtri të mëdha, interesa të kundërta dhe një histori krizash që disa herë kanë kërkuar ndërhyrje diplomatike për të shmangur përplasjen.

Në qendër qëndron edhe problemi i ujërave territoriale. Greqia i mban aktualisht në pjesën kryesore të Egjeut në 6 milje detare dhe argumenton se Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit i njeh të drejtën t'i zgjerojë deri në 12 milje. Athina e ka ushtruar këtë të drejtë në Detin Jon, por jo në Egje.

Turqia nuk e pranon zbatimin unilateral të 12 miljeve në Egje. Parlamenti turk miratoi më 8 qershor 1995 një rezolutë që autorizonte qeverinë të merrte masat e nevojshme, përfshirë ato ushtarake, në rast se Greqia zgjeronte ujërat territoriale përtej 6 miljeve në Egje. Athina e cilëson këtë qëndrim “casus belli” dhe kërkon heqjen e tij.

Ankaraja argumenton se për shkak të konfigurimit të Egjeut dhe numrit të ishujve grekë, kalimi në 12 milje do të rriste ndjeshëm pjesën e detit nën sovranitetin grek dhe do të kufizonte hapësirat ndërkombëtare dhe aksesin turk.

Por 12 miljet nuk janë e vetmja përplasje. Athina dhe Ankaraja nuk bien dakord as për numrin e çështjeve që duhet të negociojnë. Pozicioni grek është se mosmarrëveshja juridike që duhet zgjidhur lidhet me delimitimin e shelfit kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike në Egje dhe Mesdheun Lindor.

Turqia kërkon një axhendë më të gjerë. Ajo përfshin ujërat territoriale, shelfin kontinental, hapësirën ajrore, statusin e disa ishujve dhe shkëmbinjve dhe demilitarizimin e ishujve të Egjeut Lindor.

Një tjetër pikë është hapësira ajrore. Greqia pretendon hapësirë ajrore kombëtare prej 10 miljesh detare në Egje, ndërsa ujërat territoriale mbeten në 6 milje. Athina i konsideron hyrjet e avionëve turq brenda kësaj hapësire shkelje të sovranitetit. Turqia e kundërshton këtë interpretim.

Pastaj janë ishujt. Turqia ngre çështjen e demilitarizimit të disa ishujve të Egjeut Lindor dhe Dodekanezit. Greqia përgjigjet se ruan të drejtën e vetëmbrojtjes dhe e lidh praninë ushtarake me kërcënimin që percepton nga forcat turke në brigjet përballë ishujve dhe me “casus belli” të vitit 1995.

Në dhjetor 2023, Recep Tayyip Erdogan dhe Kyriakos Mitsotakis nënshkruan në Athinë Deklaratën për Marrëdhënie Miqësore dhe Fqinjësi të Mirë. Dokumenti uli temperaturën politike pas viteve të tensioneve, por nuk zgjidhi asnjë prej mosmarrëveshjeve kryesore.

Gjatë vitit 2025, Athina dhe Ankaraja u përplasën përsëri për planifikimin hapësinor detar. Greqia publikoi hartën e saj, Turqia e kundërshtoi dhe publikoi planifikimin e vet. Më 16 qershor 2025, Ministria e Jashtme greke deklaroi se harta turke pretendonte zona nën juridiksionin grek. Ankaraja deklaroi të kundërtën, duke akuzuar hartën greke se ndërhynte në zonat e juridiksionit detar që pretendon Turqia.

Përplasja vazhdoi edhe në vitin 2026. Më 15 gusht, Turqia shpalli dy parqe kombëtare detare në Egjeun Verilindor dhe Mesdheun Lindor. Një ditë më vonë, Ministria e Jashtme greke deklaroi se pjesë të tyre shtriheshin përtej ujërave territoriale turke dhe, sipas Athinës, preknin shelfin kontinental grek.

Pak ditë më pas, Ankaraja reagoi ndaj planeve të reja hapësinore të Greqisë në Egje, duke deklaruar se ato nuk prodhonin pasoja juridike për Turqinë dhe duke përsëritur pretendimet e saj për disa formacione gjeografike në Egje.

Pra, “ujërat e qeta” ulën tensionin, por nuk hoqën nga tavolina hartat, sovranitetin, shelfin kontinental dhe 12 miljet.

Çfarë do të thotë “goditja parandaluese” e gjeneralit Houpis?

Skenari i publikuar nga Ta Nea nis pikërisht nga një krizë për zonat detare ose kërkimet në shelfin kontinental. Sipas këtij skenari, Turqia fillon një dislokim të madh forcash, ndërsa shërbimet greke të inteligjencës dhe strukturat ushtarake përpiqen të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për presion ushtarak apo për përgatitjen përfundimtare të një operacioni.

Ky është momenti vendimtar. “Goditje parandaluese”, sipas skenarit të Ta Nea, nuk do të thotë se Greqia sulmon Turqinë thjesht sepse ekziston një krizë. Skenari presupozon që autoritetet greke të kenë arritur në përfundimin se kundërshtari ka nisur një proces sulmi të pakthyeshëm dhe se goditja është e menjëhershme.

Në atë pikë vendimi nuk do të ishte vetëm ushtarak. Ai do të ishte para së gjithash politik.

Sipas medias greke, Këshilli Qeveritar për Sigurinë Kombëtare, KYSEA, do të duhej të autorizonte aktivizimin e planit. Por shteti që godet i pari merr përsipër një rrezik të madh politik dhe juridik: duhet të argumentojë se nuk nisi luftën, por reagoi ndaj një sulmi të pashmangshëm.

Vetë Ta Nea e identifikon gabimin ose paplotësinë e informacionit si një nga problemet kryesore. Pikërisht këtu fjala “parandaluese” merr peshë tjetër.

Houpis e ka lidhur doktrinën e re edhe me mësimet e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme: dronët dhe kundërdronët, shpejtësinë e informacionit, vendimmarrjen në kohë shumë të shkurtër dhe aftësinë për goditje precize në distancë.

Ta Nea e çon këtë logjikë më tej. Në skenarin e saj, objektivi i goditjes së parë do të ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake që do të mbështesnin një operacion turk, duke përdorur luftën elektronike, aviacionin dhe armët me rreze të gjatë. Artikulli përmend Rafale, F-16 Viper, sisteme raketore dhe mjete të luftës elektronike.

Në fazën pasuese, analiza pranon se Turqia do të ruante aftësi për kundërpërgjigje me raketa dhe dronë. Mbrojtja greke do të mbështetej te Patriot, sistemet kundërajrore dhe radarët SeaFire të fregatave të reja FDI të klasës Kimon.

Por këtu Ta Nea kalon nga kapacitetet e dokumentuara te parashikimi. Pretendimet e skenarit për neutralizimin e një pjese të madhe të goditjeve turke ose paralizimin e aftësisë sulmuese të Turqisë brenda një kohe të shkurtër nuk janë rezultate të provuara. Janë vlerësime të autorëve dhe burimeve të tyre ushtarake.

Një konflikt mes Greqisë dhe Turqisë do të përfshinte dy ushtri të NATO-s, aviacion, flotë, raketa, dronë, mbrojtje ajrore dhe luftë elektronike në një hapësirë gjeografike shumë të ngushtë. As deklarata e Houpis dhe as të dhënat publike nuk përcaktojnë rezultatin e një përplasjeje të tillë.

Problemi nuk është kush godet, por kush vendos se lufta ka filluar

Këtu qëndron pika më problematike e gjithë doktrinës.

Nëse një anije kërkimore hyn në një zonë që Athina e konsideron shelfin e saj kontinental, ndërsa Ankaraja e konsideron zonë të diskutueshme, kjo nuk do të thotë automatikisht se ka filluar një sulm.

Nëse Turqia zhvendos anije luftarake, avionë ose njësi ushtarake drejt Egjeut, Athina mund ta interpretojë lëvizjen si përgatitje për luftë, presion politik, stërvitje ose sinjal ushtarak.

E njëjta logjikë funksionon në drejtimin tjetër. Nëse Greqia mobilizon forca në ishuj, Ankaraja mund ta interpretojë dislokimin sipas perceptimit të saj të kërcënimit.

Pikërisht këtu doktrina e goditjes parandaluese bëhet shumë më delikate se vetë kapacitetet ushtarake. Vendimi duhet marrë përpara se sulmi i kundërshtarit të materializohet, por jo aq herët sa vetë goditja të kthehet në aktin që fillon luftën.

Kriza e Imias/Kardakut në vitin 1996 tregoi se sa shpejt një mosmarrëveshje mbi një hapësirë shumë të vogël mund të prodhojë përqendrim forcash ushtarake. Krizat e viteve 1976, 1987 dhe 2020 treguan se kërkimet dhe shelfi kontinental mund të prodhojnë të njëjtin mekanizëm tensioni.

Prandaj deklarata e Houpis shton një element të ri në ekuacionin greko-turk.

Greqia nuk po diskuton më vetëm se si të mbrojë ishujt, hapësirën ajrore dhe detin pasi të ketë nisur një sulm. Kreu i Forcave të Armatosura ka deklaruar publikisht se vendi duhet të disponojë aftësi për goditje parandaluese në thellësi strategjike.

Kjo nuk do të thotë se Athina ka vendosur të godasë Turqinë. Do të thotë se parandalimi grek po artikulohet edhe përmes aftësisë për ta çuar goditjen përtej vijës së kontaktit.

Dhe kjo merr një peshë tjetër kur përballë ndodhet Turqia, ndërsa mes dy vendeve mbeten të hapura çështja e 12 miljeve, shelfi kontinental, EEZ-ja, hapësira ajrore, militarizimi i ishujve dhe pretendimet e kundërta për zona të caktuara të Egjeut.

Në këtë kuptim, “goditja parandaluese” për të cilën shkruan Ta Nea nuk përbën provë se një luftë greko-turke po afrohet. Ajo tregon se si një pjesë e establishmentit ushtarak dhe medias greke po diskuton parandalimin në një Egje ku konfliktet juridike dhe politike mbeten të pazgjidhura.

Kontradikta është konkrete. Greqia dhe Turqia vazhdojnë dialogun e nisur pas Deklaratës së Athinës të vitit 2023, ndërsa njëkohësisht vazhdojnë përplasjen diplomatike për hartat, zonat detare dhe sovranitetin dhe zhvillojnë kapacitetet e tyre ushtarake.

Prandaj pyetja që ngre deklarata e Houpis nuk është vetëm nëse Greqia ka Rafale, F-16 Viper, raketa apo mjete që mund të godasin në thellësi.

Pyetja është se kush, mbi çfarë informacioni dhe në cilin moment do të vendoste se një lëvizje turke në Egje nuk përbën më presion apo demonstrim force, por fillimin e pakthyeshëm të një sulmi.

Sepse pikërisht në atë moment “goditja parandaluese” pushon së qeni doktrinë ushtarake në letër dhe kthehet në vendimin se kush qëllon i pari. /Përshtati Pamfleti/ turqi greqi skenari luftes Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota NATO ngre alarmin për Rusinë: Po përdor sulmet hibride për të dobësuar aleatët e Ukrainës! 28 Shtator 2026, 19:0219:02Rajoni dhe Bota Sulm me dron në zemër të Kievit, goditet Akademia e Shkencave; një e vdekur, tre të plagosur 28 Shtator 2026, 18:1418:14Rajoni dhe Bota Irani përgënjeshtron Trumpin për negociatat: Nuk kemi plane për bisedime me SHBA-në! 28 Shtator 2026, 18:0518:05Rajoni dhe Bota 42 minutat fatale të Giorgos Mazonakis, çfarë ndodhi në klinikë para vdekjes 28 Shtator 2026, 17:1417:14Rajoni dhe Bota Historia e një fuqie që doli nga hija/ Nga rebelimi te Bab al-Mandab, si Huthët hynë në lojën e fuqive të mëdha 28 Shtator 2026, 16:3116:31Rajoni dhe Bota Alarmi nga Danimarka: Putini mund të thet nga një sulm i kufizuar ndaj NATO-s 28 Shtator 2026, 16:1816:18Rajoni dhe Bota