Një operacion i madh sigurie, i koduar “Cancerbero”, u zhvillua në Kili për transferimin e nëntë të burgosurve me rrezikshmëri të lartë nga burgjet e Santiagos drejt burgut La Laguna në Talca. Operacioni u koordinua nga Xhandarmëria, me mbështetjen e Karabinierëve dhe PDI-së, dhe u transmetua drejtpërdrejt nga Presidenca. Mes të transferuarve janë drejtues dhe anëtarë të organizatave kriminale transnacionale si Tren de Aragua, Los Pulpos, Los Espartanos, si dhe persona të lidhur me mafiet kineze dhe shqiptare. Në listë përfshihet William Gianmarco Rosado Tomás, alias “Wara”, drejtues i Los Pulpos, i akuzuar për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe posedim armësh. Gjithashtu u transferuan Jesús Rojas Morales, i fraksionit Loyalty të Tren de Aragua-s, Carlos Efrén Carrillo Armada, alias “Carlitos Cartier”, drejtues i Los Cartier, si dhe Jean Carlos García dhe Jackson José Herrera Mijares, alias “Los Mapaches”, të akuzuar për një sërë veprash të rënda, përfshirë vrasje, rrëmbime, trafik droge dhe zhvatje.
Mes nëntë të burgosurve ndodhet edhe shqiptari 58-vjeçar Viktor Gjini, i dënuar me 10 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Sipas hetimeve kiliane, Gjini në vitin 2023 drejtonte një organizatë kriminale që dërgonte kokainë drejt Holandës përmes portit të Valparaísos, në bashkëpunim me shtetas aziatikë. Autoritetet thonë se ai i kishte ofruar një agjenti të infiltruar 20 mijë dollarë për të mundësuar fshehjen e rreth 100 kilogramëve klorhidrat kokaine në një kontejner. Hetimi çoi në arrestimin e tij dhe të personave të tjerë të përfshirë në rrjet. Në listë është edhe José Kattah Solano, i lidhur me organizatat Los Ñaños dhe grupe të tjera kriminale dhe që akuzohet për rrëmbim, organizim kriminal, uzurpim dhe përfshirje në vrasjen me pagesë të “Rey de Meiggs”.
Në operacion u përfshinë gjithashtu persona të lidhur me mafien kineze “Bang de Fujian”, mes tyre Yuping Zheng, Xianan He, Xiaohui Shi, Xiaotong Wu dhe Weimin Xiao, ky i fundit i dënuar me 10 vjet e 1 ditë burg. Sipas autoriteteve, Xiao drejtonte një strukturë kriminale që vepronte në disa prona dhe merrej me aktivitete të paligjshme të lidhura me drogën. Gjatë kontrolleve të kryera më 31 janar 2025 në ambiente të lidhura me rrjetin, policia sekuestroi kokainë, marihuanë, ketaminë, kafeinë, tramadol dhe “pasta base”. Ndërkohë, i vetmi kilian në listë është Juan Eduardo Pacheco Alarcón, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar si bashkëpunëtor i afërt i trafikantit Wladimir Silva Soto, alias “Cogote de Toro”, i vrarë në La Pintana në vitin 2020 gjatë një konflikti territorial për kontrollin e trafikut të drogës.

