Lajme Zone
Ambasadori shqiptar në Angli sulmon të djathtën britanike për 'fiksimin e pakontrolluar' me valën e emigrantëve shqiptarë të vitit 2022
BotëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Ambasadori shqiptar në Angli sulmon të djathtën britanike për 'fiksimin e pakontrolluar' me valën e emigrantëve shqiptarë të vitit 2022

Uran Ferizi thotë se vala e emigrantëve shqiptarë në vitin 2022 ishte reale, por afatshkurtër. Sipas tij, komuniteti shqiptar vazhdon të etiketohet padrejtësisht nga politika dhe një pjesë e mediave britanike.

Shifra e shqiptarëve që kaluan me gomone drejt Britanisë katër vite më parë vazhdon të jetë objekt kritikash “të ekzagjeruara” dhe “histerike” nga politikanët e djathtë dhe një pjesë e mediave britanike. Kështu është shprehur ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi siç citohet nga gazeta The Guardian. Sipas tij, mbërritja e mbi 12 mijë shqiptarëve nga Ballkani në vitin 2022 ishte një fenomen "real", "i jashtëzakonshëm" dhe "afatshkurtër". Megjithatë, ai thotë se komuniteti shqiptar në Britani vazhdon të identifikohet me atë periudhë, veçanërisht nga partia Reform UK dhe gazeta Daily Telegraph. LEXO edhe...600 mijë ndjekës në Instagram dhe 400 mijë në TikTok, strategjia dixhitale e Andrew Burnham po ndryshon mënyrën e të bërit politikë në Britaninë e Madhe Ferizi i bëri thirrje partisë së Nigel Farage të ndalojë, siç e quan ai, "gjuetinë e shqiptarëve" ("Albanian-spotting"). Ai shtoi se politika britanike e vizave në atë periudhë, e cila u jepte shqiptarëve një përqindje më të ulët miratimi krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, mund të ketë shtyrë disa persona në nevojë drejt rrjeteve të trafikantëve. Zyra e ambasadorit ka përgatitur një raport prej 10 faqesh, i mbështetur kryesisht në të dhënat e Ministrisë së Brendshme britanike dhe të Migration Observatory pranë Universitetit të Oksfordit. Sipas raportit, 12.658 shqiptarë kaluan Kanalin e La Manshit me mjete të vogla lundruese gjatë vitit 2022. Raporti thekson se kjo ishte një rritje e fortë e mbërritjeve, por që përbënte vetëm rreth 1% të emigracionit afatgjatë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë atij viti. Më pas, numri i mbërritjeve ra ndjeshëm, ndërsa analiza e ambasadës sugjeron se shumica e atyre që mbërritën në atë periudhë janë larguar tashmë nga Britania. Ferizi, i cili për herë të parë mbërriti në Britani si adoleshent i fshehur në një mjet transporti dhe katër vite më vonë studioi matematikë në Universitetin e Oksfordit, tha se një pjesë e fiksimit me shqiptarët "tingëllon e pakontrolluar". "Një pakicë e zhurmshme në politikën dhe mediat britanike e ka mbajtur gjallë krizën e emigracionit shqiptar edhe shumë kohë pasi ajo kishte marrë fund sipas të dhënave," tha ai. "Kontakti i drejtpërdrejtë me shqiptarët zakonisht e rrëzon këtë narrativë. Mora pjesë në konferencën e Reform UK vitin e kaluar dhe, në fund të një kuizi në një pub, tavolina ku isha arriti në përfundimin se ambasadori shqiptar ishte 'në fakt djalë i mirë'. Reform UK do t'i bënte më shumë dobi Britanisë nëse do të merrej me papunësinë e të rinjve dhe sistemin e mirëqenies, sesa me atë që unë e quaj 'gjueti ndaj shqiptarëve'." Ferizi shtoi se, sipas tij, kjo mënyrë e trajtimit të çështjes është përhapur edhe më gjerë. "Fatkeqësisht, kjo qasje është ngjitëse. Konservatorët dhe, për keqardhje, edhe disa përfaqësues të qeverisë, duket se janë më të interesuar të konkurrojnë me titujt e Reform UK sesa të analizojnë faktet," u shpreh ai. Sipas raportit të përgatitur nga zyra e ambasadorit, vetëm 65.5% e aplikimeve për viza në Mbretërinë e Bashkuar nga shtetas shqiptarë gjatë periudhës 2018–2025 janë miratuar. Për krahasim, norma e miratimit për shtetasit e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ka qenë rreth 90%, ndërsa mbi 70 mijë aplikime të shtetasve shqiptarë janë refuzuar. Ferizi thotë se kjo situatë meriton një analizë më të thellë. "Kur rruga ligjore është jashtëzakonisht e vështirë, nuk mund të flitet për emigracionin e paligjshëm sikur të dyja të mos kenë lidhje me njëra-tjetrën," u shpreh ai. Raporti nuk arrin në përfundimin se refuzimi i vizave shkaktoi rritjen e kalimeve me gomone përmes Kanalit të La Manshit, por ngre mundësinë që kufizimi i rrugëve ligjore të ketë bërë disa të rinj shqiptarë më të prekshëm ndaj kontrabandistëve dhe trafikantëve. "Rritja ishte reale. Por ishte e jashtëzakonshme, afatshkurtër dhe Britania vazhdon të flasë për shqiptarët sikur viti 2022 të mos kishte mbaruar kurrë," tha Ferizi. Ambasadori ka kritikuar edhe mënyrën se si gazeta Daily Telegraph ka raportuar për shqiptarët, duke e akuzuar se e ka paraqitur komunitetin si të përbërë nga kriminelë. Në një letër që nuk është publikuar dhe që i është dërguar gazetës, ai i referohet një artikulli të vitit 2024, ku pretendohej se një në çdo 50 shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar ndodhej në burg, norma më e lartë mes të gjitha shtetësive. "Sapo këto të dhëna korrigjohen sipas moshës, gjinisë dhe faktorëve të tjerë përkatës, siç duhet të bëhet në çdo krahasim serioz, shifra ulet ndjeshëm. Nëse nuk bëhen këto korrigjime, atëherë merr titullin që dëshiron," tha ai. The Guardian shkruan se ka kërkuar një reagim nga Reform UK dhe Daily Telegraph, por deri tani nuk ka marrë përgjigje. U.D/ReportTv.al anglia Londër Uran Ferizi Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 40.6% Jo 52.3% I/e dyzuar 7.1% Vota total: 5016 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?