Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Këta me verë 36 mijë euro dhe pensionistët nuk blejnë dot ushqimet”/ Berisha: Rruga Qukës-Qafë Plloçë kushtoi 320 mln euro, shqiptarët të vjedhur


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim në Korçë, kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke përmendur emigracionin, varfërinë dhe çmimet e larta.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim në Korçë, kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke përmendur emigracionin, varfërinë dhe çmimet e larta. Berisha theksoi se shqiptarët janë ndër më të varfrit dhe më të keqpaguarit në Evropë dhe solli si shembull koston e ilaçeve, duke thënë se pensionistët nuk arrijnë t’i përballojnë ilaçet e nevojshme apo ushqimet mujore. Pjesë nga fjala e Berishës; Nga viti 2013 gjer sot, në mënyrën më të frikshme, çmimet janë rritur pakrahasimisht më shumë se rrogat.

Isha në Strasburg, ishin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u futa për kuriozitet në një market, absolutisht të gjithë çmimet që të gjitha ose baras ose dy herë më të ulëta se këtu.

Po rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ne kemi ardhur në një kohë shumë të vështirë, në një kohë në të cilën nuk jemi si në vitin 1990, kur dyqanet i kishim bosh, por rrogat i kishim në xhep aq sa ishin.

Sot i kemi xhepat bosh, dyqanet plot, por nuk i blejmë dot.

Kjo është varfëria, e cila ka vetëm një shkak: vjedhjen e papërbajtur të taksave dhe pasurive publike të Korçës dhe gjithë Shqipërisë.

Edi Rama prenoton hotelin me 15 mijë euro natën.

A e dini ju që sarajet e tij, të cilët i kanë themelet dy herë sa vila e Enverit, i ka ndërtuar kur ka pasur gjithsej 3800 euro të deklaruara dhe 400 mijë lekë. Por kompania që ndërtoi sarajet, ka marrë me dhjetëra tendera nga qeveria.

Pallati pesëkatësh në pajë i zonjës së tij, për të cilën nuk ekziston asnjë faturë, por ai që ka ndërtuar pallatin, rrugën Qukës- Qafë Plloçë, është po ai, çmimi, ua them unë ju, kur ne prokuruam këtë rrugë në vitin 2009 me supervizion bankar, ka qenë 73 milionë euro. Përfundimi i saj është 320 milionë euro. 40 përqind më shumë kilometri se sa i autostradës me tunel Elbasan-Tiranë.

Pra, vjedhje, vjedhje të pakufishme.

Por kjo është vetëm njëra anë.

Ka një anë tjetër të padukshme dhe është akoma më dramatike dhe këtu ne do të kemi përparësinë absolute.

Ana tjetër është se në këtë mjedis të krijuar, ku krimi bën ligjin, ku televizionet, mediat janë njëlloj narkoze me korruptimin e gjuhës dhe të mendimeve, në këtë mjedis, në këtë shoqëri, po humbet në mënyrë të tmerrshme ajo që quhet bashkëndjesi.

Tani kanë marrë një fjalë të huaj, empati.

Humbja e bashkëndjesisë, e ndjesisë për dhimbjen e tjetrit, për vuajtjen e tjetrit, për mospasjen e tjetrit është shkatërrimtare.

Nuk vuan kush për bukë, thotë ai. Po sigurisht se për vete hap shishen 36 mijë euro, dhe të hapësh shishe 36 mijë euro në një kohë kur pothuajse të gjithë pensionistët nuk blejnë dot ushqimet e muajit, atëherë natyrisht nuk ndjen asgjë për ta.

Atëherë varfëria të duket paaftësi e tjetrit dhe vetë lan duart, unë nuk kam përgjegjësi.

Atëherë padrejtësia të duket një gjë normale.

Atëherë dobësia të duket faji i tij.

Ne do ta përmbysim në mënyrën më emergjente këtë situatë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb