Një kërkesë e ish-prokurorit Tom Deda për tu bërë pjesë në gjyqin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj kundër Ols Dados u rrëzua dje nga Administrativja. Deda pretendon se Dado është emëruar në vendin e tij, pasi ai u shkarkua nga detyra, dhe ngre pikëpyetje mbi plotësimin e kritereve ligjore për emërimin e tij si prokuror në vitin 2008. Në një postim në Facebook, një ditë pas seancës në Administrative ish-prokurori i kërkon Dados të japë dorëheqjen dhe paralajmëron se do ta vazhdojë betejën ligjore. “Ne do ta vazhdojmë betejën dhe e vërteta do të dalë sheshit një ditë. Por ti nuk e bën dot këtë gjë, sepse ata që të bënë ty prokuror janë në poste të larta drejtuese edhe sot”, shkruan ai. LEXO EDHE:Vendimi i Administratives për Dadon, Veliaj: Padia jonë nuk u rrëzua, ajo nuk u lejua të shqyrtohej! Gjykata nuk hyri në themelin e pretendimeve tona, mohoi aksesin efektiv Në reagimin e tij, ish-prokurori i drejton një sërë pyetjesh publike prokurorit të SPAK, duke i kërkuar të sqarojë nëse ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nëse ka ushtruar më parë funksionin e oficerit të Policisë Gjyqësore për periudhën e parashikuar nga ligji. "O Ols Dado, trego të vërtetën. A e ke kryer ti Shkollën e Magjistraturës? A ishe ti oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurori për pesë vjet? Nëse përgjigjja është jo, si u bëre prokuror?", vijon ai. Një ditë më parë, Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për ligjshmërinë emërimit të Ols Dados si prokuror. Në vendim, gjykata u shpreh se Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë, por të tërthortë dhe çështja nuk merret në shqyrtim. Avokati i kryebashkiakut tha se çështja do të shkojë menjëherë në Apel. Reagimi i plotë i ish-prokurorit Tom Deda: Unë isha dje në një gjyq në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, si pjesë e atij procesi ku Erion Veliaj kishte kërkuar pavlefshmërinë absolute të dekretit të ish-Presidentit të Republikës për dekretimin e Ols Dados si prokuror në nëntor të vitit 2008. Gjithçka rrotullohej rreth faktit nëse Ols Dado, që sot është prokuror i SPAK-ut, i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar prokuror ose jo. Në fakt, nuk i ka plotësuar, pasi ai është emëruar dhe dekretuar si prokuror nga profesioni i noterit, gjë që ligji nuk e ka parashikuar kurrë. Nejse, gjyqtari, një mjeran i quajtur Azbi Balliu, na e rrëzoi kërkesën. Por unë, me këtë rast, ngre një problem madhor. Ore ti, Ols Dado, a ke një fije ndërgjegjeje? A ke pak moral? A je betuar ti t’i shërbesh ligjit dhe Kushtetutës? A do të thuash ti të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë përveç së vërtetës? O Ols Dado, po oficerët e Byrosë së Hetimit janë të detyruar me ligj që të kalojnë edhe poligrafin, makinën e së vërtetës. Ti duhet të jesh akoma më i sinqertë dhe akoma më i ndershëm, sepse je drejtuesi i tyre. Ti ke kapur një post ku populli shqiptar, Europa dhe Amerika i kanë sytë dhe shpresat nga ti. Trego të vërtetën, o njeri. Ore, a e ke kryer ti Shkollën e Magjistraturës? A ishe ti oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurori për pesë vjet? Nëse përgjigjja është jo, ore, po si u bëre ti prokuror? Në çfarë mënyre? Apo pagove diçka, se s’të bën kush kot prokuror nga noter. A e di ti, zoti Dado, se në jetë ka pasur persona që kanë mashtruar njerëz apo institucione, duke u prezantuar si prokurorë? A e di ti se ata janë dënuar me burg? O ti, zoti Dado, ki guximin njerëzor, shqiptar dhe juridik dhe jep dorëheqjen, o njeri, se të kapën, mor burrë, se të doli boja. Por ki guximin të tregosh të vërtetën, sepse ti edhe pasqyron sistemin, o njeri, dhe i ul imazhin. Mos harro se, që të emëroheshe ti prokuror, është dashur të largohesha nga puna unë ose një prokuror tjetër. O ti, Ols Dado, ne do ta vazhdojmë betejën dhe e vërteta do të dalë sheshit një ditë. Por ti nuk e bën dot këtë gjë, sepse ata që të bënë ty prokuror janë në poste të larta drejtuese edhe sot. Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com TAG: tom deda Gjykata Administrative erion veliaj ols dado Komento Komente Sondazhi i ditës:
24 Korrik, 13:38
Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 63.5% Jo 29.7% Nuk e di 6.8% Vota total: 2388 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Korrik, 13:38 Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?

