Kuvendi i Shqipërisë i ka kthyer përgjigje kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e kompanisë “KAYO sh.a.”. Në përgjigjen e saj, Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Legjislativ në Kuvend i bën me dije Bardhit se, në zbatim të Rregullores së Kuvendit dhe rregullave për organizimin dhe funksionimin e tij, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, më 17 shtator, është shqyrtuar kërkesa për ngritjen e këtij komisioni. Sipas përgjigjes, në mbledhje nuk është arritur konsensus për elementet e komisionit. Për këtë arsye, është rënë dakord që kjo kërkesë të mos shqyrtohet në seancën plenare të 24 shtatorit, por në seancën plenare pasuese. Po ashtu, Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Legjislativ i bën të ditur Bardhit se java në vijim është javë e posaçme e deputetëve me zgjedhësit. Rrjedhimisht, edhe seanca plenare e tetorit është tërësisht e dedikuar për diskutimin e problematikave të evidentuara gjatë javës së veprimtarisë me zgjedhësit. Sipas përgjigjes së Kuvendit, kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor ka kaluar për shqyrtim dhe vendimmarrje në seancën plenare pasuese.
