Një konflikt i nisur për motive banale ka përfunduar me plagosjen e një 25-vjeçari mesditën e sotme në zonën e Shkozetit, në Durrës.
I riu, i identifikuar si Ardit Zyberaj, kishte shkuar për të kryer kontrollin teknik të automjetit. Ndërsa priste në radhë pranë pikës së kolaudimit, ai është përfshirë në një debat me një prej personave që ofrojnë shërbime siguracioni për automjetet në këtë zonë.
Situata ka agravuar dhe 25-vjeçari dyshohet se është goditur me kaçavidë në pjesën e kofshës. Pas plagosjes, autori është larguar nga vendngjarja.
Zyberaj është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku po merr ndihmën mjekësore.
Ndërkohë, autori i dyshuar është identifikuar nga autoritetet dhe po punohet për kapjen e tij, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të konfliktit.
