Tradita, puna dhe prodhimi vendas u festuan në fshatin Drithas të Maliqit, në “Festën e Bukës së Re”. Banorët u mblodhën për të festuar përfundimin e punëve të korrjes dhe prodhimin e grurit, një nga kulturat më të rëndësishme të kësaj zone. Në tryezat e festës nuk munguan gatimet tradicionale të përgatitura nga gratë e fshatit, me produkte të zonës. Për banorët, kjo festë është edhe një mundësi për t’u mbledhur së bashku me familjarët dhe emigrantët që kthehen në vendlindje gjatë verës. “Është festë e veçantë. Në këto muaj vijnë emigrantët dhe janë të kënaqur, mezi presin. Shpresoj të kënaqen sa më shumë.” “Më parë bënim bukë me misër, me ujë të nxehtë. E zienim pak dhe e piqnim. I hidhnim edhe pak sodë që të bëhej e ëmbël. Tani bëjmë bukë gruri, lakrorë, byrekë.” “Në vitin 2006 kemi pasur një dëshirë që të caktonim një ditë të vitit që përputhej me kthimin e emigrantëve, që të takonin ata që kanë lënë këtu. Fëmijët e tyre shohin rrënjët e të parëve. Vijnë nga Greqia dhe vende të tjera. Vendin e prindërve e kanë këtu”, thonë disa prej banorëve. Këngët dhe vallet tradicionale krijuan atmosferën festive në Drithas. “Festa e Bukës së Re” synon të mbajë gjallë traditat e zonës dhe të vlerësojë punën e fermerëve ndërsa bashkon banorët rreth tokës, bukës dhe traditave të trashëguara ndër breza.
