Kryeministri Rama zhvilloi sot një bisedë me ekspertët e AKSHI-t të angazhuar në konfigurimin e platformës, për t’u njohur nga afër me funksionalitetet dhe risitë që ajo sjell. Siç shpjegon Rama, “Pasqyrë Albania” është e konceptuar mbi katër shtylla kryesore, ku qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin investimet publike dhe ecurinë e projekteve në zonën e tyre; të njihen me vendimet e bashkive dhe këshillave bashkiakë; të ndjekin në kohë reale statusin e aplikimeve, shërbimeve dhe ankesave, përfshirë edhe fazat e trajtimit të tyre në institucionet përgjegjëse; si edhe të mund të japin opinionet e tyre mbi projektaktet në konsultim publik.
Kryeministri Rama: Këtu jemi me djemtë e shkëlqyer të AKSHI-t, të cilët kanë zhvilluar një tjetër projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne, i cili lindi si rezultat i reflektimeve pas manifestimeve të mëdha të protestës së fillimqershorit të flamingove dhe u premtua si një hap i rëndësishëm përpara në marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit dhe anasjelltas për të adresuar një çështje kyçe ose më saktë “thembrën e Akilit” të këtyre marrëdhënieve që është humbja e ankesës apo e kërkesës në oqeanin e burokracisë dhe nga ana tjetër janë një sërë elementësh të tjerë pa diskutim të “Pasqyrë Albania”-s që e transformojnë të gjithë shtetin në sytë e qytetarit me një klik me një dritare të vetme.
U punua intensivisht, tani jemi përballë rezultatit që së shpejti do ta bëjmë të aksesueshëm për publikun.
Eksperti i AKSHI-t: “Pasqyrë Albania”-n e kemi ndërtuar në 4 shtylla kryesore, në të cilat qytetarët të munden të marrin informacion për të gjitha investimet publike, pra qëllimi është transparencë mbi investimet, por siç e përmendët ju kryeministër, qëllimi është që qytetari të ketë mundësi të ndjekë në çdo hap aplikimet që ka bërë dhe ankesën.
Shtylla e parë i referohet “Shih” që qytetari të ketë mundësi në mënyrë transparentë të shikojë se ku po investohet, çfarë po investohet në bashkinë e tij dhe gjithashtu të njihet me nismat dhe reformat prioritare që shteti ka në zbatim.
Kryeministri Rama: Ideja për këtë lidhet me atë zotim tjetër në kuadrin e “Pasqyrë Albania”-s që t’u vëmë në dispozicion të gjithë qytetarëve një instrument, ku ata të mund t’i shohin vetë investimet, ecurinë e projektit në çdo zonë të interesit të tyre. Një qytetar nga Vlora do të shohë se çfarë po bëhet aktualisht në zonën e tij, në çfarë stadi janë projektet, për projekte që për një arsye apo një tjetër mund të jetë të pezulluara, mund të jenë të vonuara e kështu me radhë, në mënyrë që çdo lloj “gjysëm e vërtete”, që është dhe gënjeshtra më e madhe pa llogaritur këtu të pavërtetat totale që shpërndahen përditë nëpër portale, nëpër kanale të mund t’i ballafaqojë vet qytetari me mundësinë për të ndezur “Pasqyrë Albania” dhe për të parë se çfarë bëhet me investimet.
Eksperti i AKSHI-t: Shtylla e dytë i referohet nocionit “Kupto” që qytetarët të kuptojnë se çfarë vendimesh po merr bashkia e secilit prej qytetarëve. Pra, këtu kemi mundësinë që qytetarët të njihen me vendimet e bashkisë dhe projektvendimet e Këshillave bashkiakë. Në kohë reale ata mund të kërkojnë se çfarë vendimesh janë miratuar muajt e fundit. Ne kemi uploduar (upload) që në muajin shtator dhe në vijim të gjitha vendimet e Këshillit bashkiak dhe qytetarët kanë mundësi të njihen. Gjithashtu, kemi zhvilluar dhe Asistentin Virtual që qytetarëve t’u japi mundësi t’i asistojë në lidhje me vendimet që janë miratuar, për t’i bërë një përmbledhje se çfarë ka të miratuar së fundmi në bashkinë e secilit prej tyre.
Shtylla e tretë është ajo me e rëndësishmja, ku qytetari ka hapësirën e tij. Duke u loguar me e-Albania, ai do ketë mundësi që të ndjeki dhe të trakojë (tracking) aplikimet, shërbimet dhe ankesat. Pra, ka dy seksione kryesore, “Aplikimet e qytetarit” ku shohim çdo aplikim që qytetari ka bërë në e-Albania, në pasqyrë reflektohet dhe ndiqet statusi real.
Kryeministri Rama: Pra, këtu jemi në atë “thembrën e Akilit” që thashë për të cilën ua kam bërë me dije zotimin se do ta kthejmë çdo hall, çdo kërkesë, çdo ankesë, çdo problem në një “pako” DHL-je.
Pra, siç nisim me DHL një pako apo një letër dhe e ndjekim gjatë gjithë kohës se ku ndodhet do të bëjmë edhe me ankesën, kërkesën, problemin, shqetësimin. Kjo, nga njëra anë, do t’i japë mundësi çdo qytetari të shohë statusin e “pakos” së vet dhe nga ana tjetër do t’i japë mundësinë administratës, do t’i japë mundësinë institucioneve përkatëse, do japë mundësinë edhe shkallës së hierarkisë që të mund të ndjekin në kohë reale se ku ku ngec një “pako”, ku ngec një kërkesë apo ku ngec një ankesë?
Sepse ne mund të kemi diskutime për “u zgjidh apo s’u zgjidh” gjëja, ashtu siç njëra palë apo pala tjetër shteti dhe qytetari e konceptojnë, por nuk mund të kemi më diskutime “a u mor a s’u mor përgjigjja”.
Dhënia e përgjigjes në kohë është një detyrim që duhet ta mbajmë si parësori në këtë marrëdhënie. Top Channel

