Lajme Zone
Kate dhe Princ William rikthehen në udhëtimet ndërkombëtare, surprizojnë me lojën e kriketit në Indi
BotëGazeta Tema

Kate dhe Princ William rikthehen në udhëtimet ndërkombëtare, surprizojnë me lojën e kriketit në Indi

Kate Middleton dhe Princi William janë rikthyer në udhëtimet ndërkombëtare së bashku, duke nisur vizitën e tyre treditore në Indi me një aktivitet që tërhoqi vëmendjen e publikut. Çifti mbretëror u shfaq në rrugët e Mumbait, ku iu bashkua një loje kriketi me legjendën e këtij sporti, Sachin Tendulkar.

REUTERS/Phil Noble Kate Middleton dhe Princi William janë rikthyer në udhëtimet ndërkombëtare së bashku, duke nisur vizitën e tyre treditore në Indi me një aktivitet që tërhoqi vëmendjen e publikut. Çifti mbretëror u shfaq në rrugët e Mumbait, ku iu bashkua një loje kriketi me legjendën e këtij sporti, Sachin Tendulkar.

William dhe Kate mbërritën të hënën në qytetin indian, ku u pritën nga ish-kapiteni i kombëtares indiane dhe një grup fëmijësh të zonës. Princi William provoi të godiste topin me shkopin e kriketit, ndërsa më pas mori rolin e lojtarit që hedh topin, duke luajtur kundër bashkëshortes së tij dhe Tendulkarit.

Aktiviteti u zhvillua në Ballard Estate, një zonë e Mumbait, ku fëmijë nga shkolla lokale iu bashkuan çiftit në këtë lojë tradicionale. Pas ndeshjes, William dhe Kate shijuan edhe çaj indian, të shërbyer në gota të vogla prej balte.

Kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë për Kate Middleton, pasi shënon angazhimin e saj më të rëndësishëm jashtë Britanisë që prej trajtimit për kancerin në vitin 2024. Princesha iu nënshtrua kimioterapisë parandaluese dhe në janar 2025 njoftoi se sëmundja ishte në remision. Që prej asaj kohe, ajo ka rifilluar gradualisht angazhimet e saj publike.

Gjatë qëndrimit në Indi, çifti do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Earthshot Prize, iniciativa mjedisore e themeluar nga Princi William në vitin 2020, e cila mbështet projekte që synojnë të gjejnë zgjidhje për sfidat mjedisore. Pesë projektet fituese do të marrin nga një milion paund secili për të zgjeruar punën e tyre.

Në ceremoninë e së martës pritet të marrin pjesë edhe emra të njohur të kinematografisë dhe muzikës, mes tyre aktorët Alia Bhatt dhe Rami Malek, si dhe grupi britanik Take That, i cili do të performojë për herë të parë në Indi.

Vizita do të vijojë me aktivitete të tjera në Mumbai, përfshirë një udhëtim me metronë e qytetit, ndërsa të mërkurën William dhe Kate do të udhëtojnë drejt Nju Delhit për t'u takuar me kryeministrin indian Narendra Modi.

Çifti mbretëror kishte vizituar për herë të fundit Indinë në prill të vitit 2016, duke e bërë këtë udhëtim rikthimin e tyre të parë të përbashkët në vend pas një dekade.