Lajme Zone
“Kasapi i Ballkanit” me funeral shtetëror në Beograd, Serbia do t’i japë nderime Ratko Mlladiçit
BotëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

“Kasapi i Ballkanit” me funeral shtetëror në Beograd, Serbia do t’i japë nderime Ratko Mlladiçit

Ratko Mlladiç, ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, pritet të përcillet me nderime shtetërore në Serbi.

Ratko Mlladiç, ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, pritet të përcillet me nderime shtetërore në Serbi. Lajmi është bërë i ditur nga ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujic, i cili deklaroi se Mlladiç do të marrë “të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore” që i takojnë si gjeneral.

Mlladiç vdiq në moshën 84-vjeçare në Hagë, ku po vuante dënimin e përjetshëm. Ai u shpall fajtor për një sërë krimesh të kryera gjatë luftës në Bosnje, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe për krimet gjatë rrethimit të Sarajevës.

Vendimi për nderimet shtetërore ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa në Serbi dhe në Republikën Srpska disa figura politike dhe media nacionaliste e kanë paraqitur Mlladiçin si hero ose viktimë të drejtësisë ndërkombëtare, në Srebrenicë theksohet se vdekja e tij nuk ndryshon përgjegjësinë për krimet e kryera.

Milorad Dodik e ka cilësuar vdekjen e Mlladiçit si “vrasje”, ndërsa në Beograd dhe në Republikën Srpska janë zhvilluar edhe aktivitete përkujtimore në nder të ish-gjeneralit.

Edhe tifozë të Yllit të Kuq të Beogradit shfaqën një banderolë në nderim të Mlladiçit gjatë një ndeshjeje evropiane, duke shkaktuar reagime dhe një ankesë në UEFA.

Mlladiç u arrestua dhe u dorëzua në Tribunalin e Hagës në vitin 2011. Në vitin 2017 u dënua me burgim të përjetshëm, vendim që u konfirmua në apel në vitin 2021.

Ndërkohë, Serbia vijon negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Çështja e glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe mohimit të krimeve të luftës ka qenë prej vitesh një prej shqetësimeve të ngritura nga institucionet evropiane ndaj Beogradit. Top Channel