Lajme Zone
Kardiokirurgjia me strukturë të re, Rama: Investimet në QSUT do të vijojnë edhe në 2027
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Kardiokirurgjia me strukturë të re, Rama: Investimet në QSUT do të vijojnë edhe në 2027

Kryeministri Edi Rama inspektoi strukturën e re të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila synon të ofrojë shërbime moderne dhe të rrisë standardet e kujdesit për pacientët.

Kryeministri Edi Rama inspektoi strukturën e re të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila synon të ofrojë shërbime moderne dhe të rrisë standardet e kujdesit për pacientët. Gjatë vizitës, Rama deklaroi se investimet në QSUT do të vijojnë edhe në vitin 2027, me synimin për të plotësuar nevojat e strukturave spitalore. “Investimet në QSUT në tërësinë e tyre janë kryer dhe ajo që është e artë nga ana ime është se nuk duhet të kemi kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave dhe do duhet t’i adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia”, u shpreh Rama. Një tjetër objektiv i përmendur nga kryeministri është përfundimi i parkimit të madh me 1,400 vende në hyrje të QSUT-së. Sipas Ramës, kjo ndërhyrje do të mundësojë largimin e automjeteve nga territori i spitalit dhe transformimin e hapësirave të brendshme në një zonë të gjelbër. “Me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit, ndërkohë që të gjithë territorin e spitalit duhet ta kthejmë në një park, të cilin besojmë do ta realizojmë në harkun e dy viteve”, deklaroi ai. Rama foli gjithashtu për një partneritet të mundshëm me një strukturë tjetër të njohur, duke bërë të ditur se diskutimet për këtë projekt vijojnë. Sipas kryeministrit, partneriteti parashikon një model menaxhimi dhe ndërtimin e një strukture private brenda hapësirave të spitalit, ku profesionistët e QSUT-së do të mund të punojnë paralelisht. “Jemi duke vazhduar të diskutojmë për partneritetin e spitalit me një strukturë tjetër shumë të njohur dhe besoj që shumë shpejt do arrijmë të ndërtojmë këtë partneritet, i cili do të konsistojë në një menaxhim. Pjesë e këtij plani është ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht”, tha Rama.