Lajme Zone
Nacionalizmi fetar!
BotëPamfleti

Nacionalizmi fetar!

Megjithatë, kohët e fundit, edhe në rrugët e Tel Avivit mund të hasësh njerëz që vetëm pak vite më parë do të kishte qenë e paimagjinueshme t’i takoje në “qytetin e bardhë”, siç quhet Tel Avivi për shkak të ndërtesave Bauhaus me ngjyrë kremi, aq karakteristike për qendrën e tij.

Bregdeti në Tel Aviv-Jafo Nëse Mesia do të shfaqej diku, do ta këshilloja të mos e bënte këtë në Tel Aviv: do të zhgënjehej... Tel Avivi është ndoshta vendi më i largët nga ideja e një kolonie izraelite. Është një qytet i madh dhe kozmopolit, me një atmosferë të çlirët dhe, herë pas here, hedoniste, që ka pak të përbashkëta me ideologjinë mesianike të kolonëve. Nëse Mesia do të shfaqej diku, do ta këshilloja të mos e bënte këtë në Tel Aviv: do të zhgënjehej. Është gjithashtu një qytet kryesisht laik, një nga vendet e pakta ku mishi i derrit, i ndaluar si nga Judaizmi ashtu edhe nga Islami, gjendet lehtësisht. Politikisht, qyteti anon nga e majta.

Megjithatë, kohët e fundit, edhe në rrugët e Tel Avivit mund të hasësh njerëz që vetëm pak vite më parë do të kishte qenë e paimagjinueshme t’i takoje në “qytetin e bardhë”, siç quhet Tel Avivi për shkak të ndërtesave Bauhaus me ngjyrë kremi, aq karakteristike për qendrën e tij.

Mes tyre ka të rinj që mbajnë srugah, kapelat e thurura me grep dhe shpesh shumëngjyrëshe që përdorin hebrenjtë nacional-fetarë dhe që janë kthyer në një lloj uniforme të zakonshme të kolonëve. Ka gjithashtu gra të reja me funde të gjata dhe shalle të ndritshme që ua mbulojnë flokët si çallma. Për një të huaj, ato mund të duken disi si hipi, por një izraelit e njeh menjëherë pamjen tipike të grave nacional-fetare dhe e di se ato mund të jenë, dhe shpesh janë, bashkëshorte kolonësh.

Sinagoga të vogla, shpesh të improvizuara në katet përdhese të ndërtesave të banimit, po shfaqen gjithnjë e më shumë. Disa prej tyre frekuentohen nga nacionalistët fetarë. Prania e tyre në “qytetin e bardhë” nuk është e rastësishme. Ajo është rezultat i një projekti politik të strukturuar, megjithëse relativisht të ri. Shoqata të mirëfinancuara dhe të lidhura me kolonët dërgojnë grupe të vogla të rinjsh, zakonisht çifte në të njëzetat, për t’u “vendosur” në pjesët më laike të vendit, veçanërisht në Tel Aviv, me synimin për t’i “pushtuar” ato. Jo në aspektin demografik, sigurisht, por në atë kulturor.

Ironia qëndron në faktin se këto shoqata po marrin çifte të reja nga vendbanimet dhe po i zhvendosin në Tel Aviv. Kështu, të paktën në dukje, ato po bëjnë pikërisht të kundërtën e asaj që synojnë zakonisht lëvizjet e kolonëve: të bindin një numër gjithnjë e më të madh hebrenjsh të largohen nga qytetet ku hebrenjtë tashmë përbëjnë shumicën, për të forcuar praninë e tyre në Bregun Perëndimor, ku hebrenjtë janë pakicë.

Por në këtë rast beteja zhvillohet për imazhin, jo për numrat. Me pak fjalë, synimi është të “normalizohet” imazhi i kolonëve në sytë e atyre izraelitëve që, për nga mënyra e jetesës dhe orientimi politik, qëndrojnë më larg tyre.

Një tjetër paradoks është se këto shoqata po përsërisin të njëjtën metodë që, shumë kohë më parë, përdorën pionierët marksistë gjatë Mandatit Britanik: ndërtimin e komuniteteve të reja duke nisur nga grupe të vogla dhe të lidhura ngushtë të rinjsh që jetonin dhe rriteshin së bashku. Në fakt, ata e quajnë veten garin Torani, që do të thotë “bërthamat e Torës”, një referencë jo fort e fshehtë ndaj garin, “bërthamave” të pionierëve të rinj përmes të cilave lëvizja socialiste ndërtoi rrjetin e kibucëve.

Paralelja nuk kufizohet vetëm te fjalori. Në mënyrë të habitshme, shumë kolonë e konsiderojnë veten trashëgimtarë të pionierëve socialistë, edhe pse ideologjia e tyre nacionaliste dhe fetare qëndron shumë larg vlerave të atyre që mbërritën në Palestinë me një shatë në dorë dhe Marksin si frymëzim ideologjik.

Disa e thonë këtë hapur. “Dikur ishin kibucët dhe Nahali, tani jemi ne”, thotë Itai Sela, një kolon i ri i lëvizjes Igud HaChavot, një organizatë që promovon veçanërisht vendbanimet bujqësore në Bregun Perëndimor dhe që është përfshirë shpesh në veprime të dhunshme kundër palestinezëve.

Arsyetimi i tij është i thjeshtë: “Ne po zhvillojmë një betejë për zotërimin e territorit”.

Nënteksti është se ajo që po bëjnë sot kolonët nuk ndryshon shumë nga ajo që bënë pionierët socialistë në fillim të shekullit të kaluar: ndërtuan një shoqëri bujqësore hebraike në zona ku më parë jetonin barinj dhe fermerë palestinezë.

Gazetarja izraelito-kanadeze Lisa Goldman i kushtoi një reportazh të hollësishëm fenomenit të kolonëve në Tel Aviv në revistën “New Lines Magazine”. Duke ecur nëpër qendër, pjesën më të vjetër dhe më karakteristike të Tel Avivit, Goldman ndesh të rinj të veshur si kolonë. Fillimisht mendon se janë vizitorë, por shpejt kupton se e kundërta është e vërtetë: kolonët jetojnë aty dhe sillen si njerëz të shtëpisë.

“Edhe përpara restoranteve që shërbejnë ushqim jo-kosher, të cilin ata nuk do ta hanin, apo butikëve që shesin rroba të hapura, të cilat nuk do t’i vishnin, kolonët rrezatonin vetëbesim dhe një ndjenjë pronësie”, shkruan Goldman.

Në të njëjtën ndërtesë ku disa vite më parë jetonin disa nga të njohurit e saj bohemë, kolonët tani kanë ngritur një shtibel, një hapësirë të improvizuar për lutje kolektive. Ndryshe nga një sinagogë e mirëfilltë, ajo nuk kërkon leje nga bashkia, një mënyrë për të shmangur tërheqjen e vëmendjes së medias dhe autoriteteve. Përmes bisedave me miq dhe ish-fqinj, gazetarja rindërtoi gjenezën e këtij vendosjeje të heshtur: një strategji e llogaritur për të konsoliduar praninë e kolonëve pa tërhequr shumë vëmendje, derisa ajo të arrijë një masë kritike të mjaftueshme për të pretenduar një formë legjitimiteti, real ose të perceptuar.

Profecia e Pinhas Sapirit, ministrit që paralajmëroi pas Luftës Gjashtëditore, “Nëse vazhdojmë t’i mbajmë Territoret nën kontrollin tonë, herët a vonë Territoret do të na mbajnë nën kontrollin e tyre”, është bërë realitet, sipas këtij interpretimi. Vendbanimet e kanë kolonizuar Izraelin politikisht, moralisht dhe tani edhe gjeografikisht.

Reportazhi i Goldman përfn me një vëzhgim të zymtë të pronares së kafenesë së saj të preferuar, që përmbledh edhe idenë qendrore të shkrimit: për laikët, politika është një angazhim mes shumë të tjerëve; për kolonët fetarë, ajo përbën të gjithë jetën e tyre. Dhe, sipas saj, pikërisht për këtë arsye ata do të fitojnë./Përshtati “Pamfleti” nga “Linkiesta”izraeli nacionalizmi fetar Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Incidenti pranë bazës RAF Fairford, Britania: Ka dyshime të forta se Irani është i përfshirë 30 Shtator 2026, 22:2122:21Rajoni dhe Bota Demokratët në Kongres propozojnë sanksione ndaj zgjerimit të vendbanimeve izraelite 30 Shtator 2026, 21:5121:51Rajoni dhe Bota “The Guardian”: Qeveria britanike nis sondazhet për të matur opinionin publik mbi rikthimin në BE 30 Shtator 2026, 20:5120:51Rajoni dhe Bota “CNN”: Dora e fshehtë e Obamës, si po formëson debatin e demokratëve për inteligjencën artificiale 30 Shtator 2026, 20:2220:22Rajoni dhe Bota Kanadaja drejt anëtarësimit të asociuar në BE? Partneriteti i ri shpallet në tetor 30 Shtator 2026, 19:3219:32Rajoni dhe Bota Borxhi amerikan arrin në 40 trilionë dollarë, presioni mbi buxhetin federal rritet 30 Shtator 2026, 17:2517:25Rajoni dhe Bota