Një 32-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Shkodrës mbrëmjen e djeshme, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia. Sipas njoftimit të Policisë, në pranga ka rënë F. B., 32 vjeç, pasi Gjykatësi për Hetimet Paraprake në Gjykatën e L’Aquila-s, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje e vulave të vendosura nga autoritetet”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian. Ndërkohë, pritet ekstradimi i tij drejt Italisë. “Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “Fast”. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara operacionale, në fshatin Kosan u bë i mundur lokalizimi, identifikimi, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit F. B., 32 vjeç, banues në fshatin Kosan, Malësi e Madhe. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykatësi për Hetimet Paraprake në Gjykatën e L’Aquila, Itali, i ka nxjerrë urdhër-arrestin për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje e vulave të vendosura nga autoritetet”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian”, thuhet në njoftimin e policisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

