Një sasi prej 91 kilogramë lënde narkotike e dyshuar kanabis sativa është kapur në Pikën Kufitare të Kakavijës.
Një furgon që dyshohej se po tentonte të transportonte drogë nga Shqipëria drejt Greqisë u ndalua nga shërbimet e Policisë Kufitare.
Në vijim të veprimeve janë arrestuar burrë e grua, ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, përfshirë identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë tentativë trafikimi. "Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje të RSh-së, furgonin që drejtohej nga shtetasi K. A..
Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e furgonit, poshtë shtresës së saj, rreth 88 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 28 vjeç, dhe B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis dhe furgoni.
Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVP-të e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, thuhet ne njoftim./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

