Njëri prej kapanoneve të kontrolluara gjatë operacionit të kokainës Garda Civile zbulon dy magazina industriale të mbushura me kokainë në Murcia. Hetimet përqendrohen te një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e dyshuar se përdorte transportin e mallrave për shpërndarjen e drogës në Europë Një organizatë kriminale me origjinë shqiptare është vënë në shënjestër të Gardës Civile spanjolle pas zbulimit të një sasie gjigante kokaine, që mund të arrijë në 10 tonë, me vlerë deri në 145 milionë euro. Droga ishte magazinuar në dy kapanone industriale në qytetin Águilas, në rajonin e Murcias, dhe dyshohet se ishte përgatitur për shpërndarje në tregjet europiane.
Operacioni nisi më 30 tetor, pas një incidenti të rastësishëm në zonën industriale El Labradorcico. Gjatë zhvendosjes së mallrave, një paletë ra nga një pirun ngritës, duke u dëmtuar dhe duke nxjerrë në shesh pakot me kokainë. Personat që ndodheshin në ambient u larguan me shpejtësi, ndërsa mjeti i punës u braktis në magazinë.
Policia Bashkiake mbërriti fillimisht pas njoftimit për një aksident të mundshëm në punë. Brenda kapanonit, agjentët zbuluan qindra paleta me pako kokaine. Garda Civile mori menjëherë drejtimin e operacionit dhe nisi kontrollet në zonë.
Në magazinën e parë u numëruan mbi 5 mijë kilogramë kokainë. Hetimet çuan më pas në zbulimin e një kapanoni të dytë, gjithashtu të mbushur me drogë. Vlerësimet paraprake tregojnë se sasia e përgjithshme mund të arrijë në 10 tonë, një prej sekuestrimeve më të mëdha të kokainës në historinë e Spanjës, nëse konfirmohet pesha përfundimtare.
Vlera e ngarkesës llogaritet nga 130 deri në 145 milionë euro, bazuar në çmimin prej 13 mijë deri në 14.500 euro për kilogram në tregun spanjoll.
Pista shqiptare dhe rrjeti i transportit të drogës
Sipas gazetës spanjolle El Español, burime pranë hetimit dyshojnë se pas magazinave qëndron një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e cila kishte kohë që zhvillonte aktivitet në zonën industriale.
Grupi dyshohet se përdorte ambientet për grumbullimin e kokainës dhe organizimin e transportit të saj. Në këtë zonë ishte vërejtur aktivitet i vazhdueshëm ngarkim-shkarkimi me kamionë, ndërsa magazinat nuk kishin asnjë tabelë apo shenjë identifikuese të një kompanie tregtare.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që droga të transportohej përmes rrugëve tokësore drejt vendeve të tjera europiane, e fshehur mes ngarkesave të zakonshme të mallrave. Zona e Murcias ka aktivitet të rëndësishëm në eksportin e prodhimeve bujqësore, duke krijuar qarkullim të vazhdueshëm kamionësh drejt Europës.
Në njërin prej kapanoneve u zbuluan nga 300 deri në 400 paleta, ndërsa ambientet ishin pajisur me kamera sigurie. Përmasat e ngarkesës dhe infrastruktura e magazinimit tregojnë për një operacion të organizuar, me kapacitete të konsiderueshme financiare dhe logjistike.
Mediat spanjolle kanë raportuar arrestimin e një shtetasi me origjinë marokene, pa bërë publik identitetin apo rolin e tij në këtë çështje. Deri tani nuk janë publikuar emrat e personave shqiptarë të dyshuar për përfshirje në organizatë.
Garda Civile po heton pronësinë dhe përdorimin e dy magazinave, origjinën e kokainës, personat që organizonin transportet dhe destinacionet e mundshme të ngarkesës. Hetimi është nën sekret gjyqësor.
Zbulimi i dy kapanoneve në Águilas ka nxjerrë në dritë përmasat e një operacioni të dyshuar ndërkombëtar narkotrafiku, ndërsa pista shqiptare është tashmë pjesë e hetimeve të autoriteteve spanjolle.
Një ngarkesë me vlerë deri në 145 milionë euro u zbulua nga një incident gjatë punës. Kokaina është sekuestruar, ndërsa identiteti i financuesve, organizatorëve dhe drejtuesve të rrjetit që dyshohet se e kontrollonte vazhdon të mbahet nën sekretin e hetimit. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kronike Zjarr në katin e 11-të të një pallati në Shkodër, flakët përhapen me shpejtësi; rrezikohen disa apartamente 2 Nëntor 2026, 17:0217:02Kronike Në kërkim për tentativë vrasjeje, arrestohet në Spanjë 36-vjeçari nga Shkodra 2 Nëntor 2026, 16:4016:40Kronike Detaje nga grabitja e bankës në Tiranë/ Autori i maskuar i vuri armën në kokë arkëtares, u arratis me monopatinë 2 Nëntor 2026, 11:2611:26Kronike Klanet shqiptare në rrjetin e mafies italiane, kush janë bosët shqiptarë të drogës të lidhur me Cosa Nostra-n? 1 Nëntor 2026, 22:0022:00Kronike Fatura e kokainës, atentati me tritol në Gjirokastër për drogën e vjedhur në Belgjikë 1 Nëntor 2026, 20:4820:48Kronike Aksident i trefishtë në aksin Rrogozhinë-Lushnjë, plagoset një person 1 Nëntor 2026, 20:1420:14Kronike

