Një banor i Pogradecit ka ngritur shqetësimin për kamerat e vendosura në qytet, duke treguar se ato nuk janë aktive prej rreth dy vitesh.
Sipas qytetarit, kamerat janë vendosur në shtylla, por nuk shërbejnë për monitorim apo siguri publike pasi kanë mbetur vetëm si element dekorativ.
“Që prej dy vitesh kamerat e vendosura në Pogradec nuk ndizen. Janë vendosur për zbukurim. Një shtyllë bashkë me kamerën ka kushtuar rreth 11 milionë lekë të vjetra”, shprehet banori.
Ai kërkon sqarime nga institucionet për funksionimin e këtij sistemi: “Asnjë nuk është aktive. Po pyes si banor i Pogradecit: përse janë vendosur nëse nuk përdoren dhe kush mban përgjegjësi për këtë investim?”
Banori kërkon që institucionet përgjegjëse të japin një përgjigje të qartë për fatin e këtij investimi dhe arsyet pse kamerat nuk janë vënë në funksion. Sipas tij, një sistem i tillë duhet të garantojë siguri për qytetarët dhe jo të mbetet një shpenzim i pashfrytëzuar, ndërsa kërkohet transparencë mbi mirëmbajtjen dhe përgjegjësinë për mosfunksionimin e tyre.

