Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste me gazetaren Rudina Xhunga në podcastin Flasim të Kryeministrit, u pyet për fëmijërinë dhe disa aludime që thonë kundërshtarët politikë se ai ka qenë i bullizuar. Rama tha se nuk ka qenë kurrë i bullizuar, ndërsa tregon dy episodet kur në jetë ai është dhunuar.
“Nëse do të kthehesha në atë kohë për të gjetur një tipar që mund të paralajmëronte natyrën e liderit që unë u bëra më pas, mund të them që ishte tipari i mospranimit të kufijve.
Unë, që fare i vogël, nuk i pranoja kufijtë si imponim apo si fat. Përpiqesha gjithmonë t’i shkelja, t’i shtyja…
Gjithmonë të bëja diçka që kufiri thoshte: ‘Mos e bëj’. Dhe refuzimi i kufijve, shtyrja e kufijve, më ka motivuar gjithë jetën time, qoftë në mënyrën e të jetuarit, qoftë në Akademinë e Arteve.
Jam përpjekur qysh në krye të herës, që para se të fillonte lëvizja në Akademi, që pastaj përcaktoi një drejtim për atë që u kthye në një lëvizje më të gjerë, me programet, me rregullat që duheshin respektuar.
Kam qenë rebel, thyeja thuajse çdo kufi, por i bullizuar asnjëherë. Kam në jetën time dy rrahje, ku nuk kam rrahur por më kanë rrahur. Njëra në dyshen e pallatit të sportit Partizani pas ndeshjes me Apolloninë. Ishte një ndeshje e tensionuar dhe duke qenë se unë dhe si lojtar isha nganjëherë dhe provokator, provokimet dhe kundërprovokimet dhe tensionin në fushë e pagova me një rrethim nga ca çuna që me shpejtësi pabesisht dhe mora disa goditje dhe mbeta përtokë në dysheme. Tjetra është rrahja që dihet botërisht e janarit 97 kur më bënë pritë te rruga që futej për të hyrja e shtëpisë dhe më lanë duke menduar se isha i asaj bote. Ky ishte dhe opinioni i mjekut këtu dhe atij në Francë, dhe thënë që më kishte shpëtuar lartësia, sepse goditjet gjithsesi janë disi më pak efektive kur je më lart sesa ai që të agreson. Edhe sporti, fiziku im”, tha Rama.
Në lidhje me deklarata e bëra nga Sali Berisha se kur është dhunuar në ’97 ka qenë me një burrë, Rama dha këtë përgjigje: Riprodhohen nga një gojë e shthurur që nuk dua të merrem, merrem vetëm kur ma imponon fushata, tani është përtej çdo kufiri moshor që mund të thuash neglizhohet dhe është kaq e qartë saqë jo vetëm që s’ka pasur lidhje me krim pasioni dhe s’kam qenë me një burrë, por kam qenë me një vajzë që bashkëjetoja dhe me një shok që jetonte në apartamentin tonë sepse ishte nga Shkodra.
“Njëri nga ata janë plotësisht të njohur për mua, njëri është penduar, tani ka ndërruar jetë, tjetri nuk e ka pranuar dhe as e kam pyetur, por është penduar në një mënyrë tjetër duke treguar miqësi…”, shtoi ai më tej në lidhje me personat që e kanë dhunuar. Top Channel

