Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me aktivitetin e biznesmenit Roni Yeffet dhe marrëdhëniet e tij me struktura dhe zyrtarë të sigurisë e mbrojtjes. Berisha pretendoi se Yeffet është përfshirë në një skemë që, sipas tij, ka përfituar dhjetëra miliona euro nga fondet publike dhe prona shtetërore.
Duke iu referuar një deklarimi të bërë, sipas tij, nga drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, në Komisionin e Sigurisë, Berisha tha se ajo kishte deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet. Sipas kreut të PD-së, kjo tregon për një “kontroll të dyfishtë” të shërbimit informativ dhe e cilësoi situatën si një çështje që prek sigurinë kombëtare dhe, sipas tij, edhe NATO-n.
Berisha ngriti akuza edhe për aktivitetin e kompanive të lidhura me Yeffet, duke pretenduar se përmes vendimeve dhe ligjeve të miratuara nga qeveria, kompanive të tij u janë dhënë 45 milionë euro nga buxheti i shtetit, si dhe prona shtetërore.
“Ndërkohë, unë më duhet t’u rikujtoj këtu, për të pasur qartë pushtetin e tij, se në komisionin e sigurisë, Vlora Hyseni e pyetur për lidhjet me Ergys Agasin, ka mohuar të ketë ndonjë lidhje të veçantë me të dhe ka deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet. E kuptoni se si është i ngërthyer i quajturi shërbimi informativ kombëtar, në njërën anë Agasi, në anën tjetër Roni Yeffet. Kur e dëgjova këtë fjalë, mendova se ishte një shpoti për Lubinë, por burime të besueshme më thanë mua se ajo ka shprehur një të vërtetë.
Shërbimi informativ ishte vënë nën një kontroll të dyfishtë, të Agasit dhe Roni Yeffet. Kjo është një nga skemat më mafioze. Një vend anëtar i NATO-s që aplikon skemë të tillë mafioze në fushën e mbrojtjes, kryen një akt shumë të rëndë ndaj vendit të tij, por edhe ndaj aleancës.
Siç jeni në dijeni, Roni Yeffet me Miss Autoblindin blinin armë në zona lufte, në Sudan dhe në vende të tjera të Afrikës, i sillnin në Shqipëri, u vinin etiketa shqiptare në një mashtrim të madh për t’i shitur në Ukrainë, në të cilin për hir të së vërtetës, përfaqësuesit e atij vendi ua thonë haptas se ne i blemë me tendera të hapur, jo direkt siç kërkonin këta.
Është e faktuar nga regjistrimet që keni dëgjuar përpjekja e tij mafioze për të shtrirë dorën e zezë në gazin e Delvinës. Që të gjitha këto janë porosi në bashkërendim dhe bashkëveprim me Edi Ramën. Aktiviteti i tij është një kërcënim madhor për sigurinë kombëtare të Shqipërisë ndaj dhe e dënoj me forcën më të madhe”, tha Berisha.
Ai tha se skema, sipas tij, nisi pas shfaqjes së një sipërmarrëseje të industrisë ushtarake në podcastin e Edi Ramës, të cilën Berisha e cilësoi me ironi si “Miss Autoblindi”. Sipas tij, më pas u krijuan kompani dhe u kryen transaksione aksionesh që sollën Yeffet në një pozicion kontrollues mbi aktivitetet dhe asetet.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përfshirje në kontrata të sektorit të mbrojtjes dhe deklaroi se kompanitë e përfshira, sipas tij, nuk plotësojnë kriteret ligjore dhe financiare për aktivitetin që ushtrojnë.
“Roni Yeffet brenda natës bëhet pronar i të gjitha ndërtimeve që ekzistojnë në Shkozë apo në ish-Kombinatin e Traktorëve, bëhet pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit”, deklaroi Berisha.
“Ajo çka është për interesin direkt të qytetarëve se në një skemë mafioze të ndërtuar nga Edi Rama, të mbështetur fuqimisht nga Edi Rama me ligje, me vendime, Roni Yeffet de facto kompanisë së tij nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, nga paratë e tyre, i janë dhënë gjer sot 45 milionë euro.
Përveç këtyre, ky grup mafiozësh shkon dhe plaçkit prona private të qytetarëve shqiptarë në Zall Herr, prona të fituara me të gjithë dokumentacionin, dhe ua marrin familjeve pronat duke u thënë se janë të shtetit”, tha ai. Top Channel

