Lajme Zone
“Jurist i panjohur”/ Përplasja në Kuvend, deputeti Himçi: Nuk zbatoni vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Rama: Çështja Becchetti në dorën e SPAK
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

“Jurist i panjohur”/ Përplasja në Kuvend, deputeti Himçi: Nuk zbatoni vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Rama: Çështja Becchetti në dorën e SPAK

Në seancën maratonë të djeshme, që zgjati deri në orët e para të ditës së sotme, në Kuvend u zhvillua debati mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të Partisë Demokratike, Blendi Himçi, lidhur me zbatimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit, në këtë rast për çështjen Becchetti dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

Në seancën maratonë të djeshme, që zgjati deri në orët e para të ditës së sotme, në Kuvend u zhvillua debati mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të Partisë Demokratike, Blendi Himçi, lidhur me zbatimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit, në këtë rast për çështjen Becchetti dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Deputeti i PD-së, Blendi Himçi, akuzoi qeverinë se nuk po zbaton vendimet gjyqësore dhe se po i jep të njëjtën frymë edhe Parlamentit në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e punonjësve.

“Zoti kryeministër, ju e dini shumë mirë se vendimet e gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit, ku Shqipëria është vend aderues, janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Më dëgjoni deri në fund, ju dëgjova me shumë vëmendje. Pse e keni gjithë këtë acarim? Vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit as ankimohen, janë thjesht të zbatueshme për atë shtet. Ju si qeveri, pavarësisht se thoni (Becchetti) ‘do të marrë zero lekë’, nënkuptoni me këtë shprehje që nuk e njihni atë vendim ndërkombëtar të Gjykatës së Arbitrazhit.

Në vazhdën e kësaj mosnjohjeje, po të njëjtën histori po përdorni edhe sot me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pagat e punonjësve. Jeni po në të njëjtën vazhdë, po i jepni këtë lloj fryme Parlamentit. Që të mos zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, ajo që ju citova, dhe meqë përdorët ironi nëse jemi juristë të famshëm apo të pafamshëm, ajo që konstatohet është se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i zbatueshëm dhe i detyrueshëm dhe ju jeni të detyruar ta zbatoni.

Jua kemi sjellë si Kuvend në qershor dhe ju nuk morët asnjë masë, deri më 31 korrik. Pse nuk morët asnjë masë? Pse nuk bëtë përllogaritjen? Po vini tani dhe na sillni artifica për një draft-ligj, i cili nuk ka as bazë ligjore në lidhje me atë që ka shprehur Gjykata Kushtetuese”, tha Himçi.

Në përgjigje, kryeministri Edi Rama tha se qeveria e njeh vendimin e arbitrazhit dhe se çështja është kundërshtuar në instanca të tjera. Rama deklaroi gjithashtu se vendimi nuk është ekzekutuar dhe se, sipas tij, çështja ka marrë edhe një tjetër zhvillim për shkak të përfshirjes së SPAK.

“Tani më fal të të jap përgjigje për pjesën e parë se për pjesën e dytë do ta jap përgjigjen këtu mbasi t’i dëgjoj të gjithë. E para nuk thashë jurist të famshëm se unë ju personalisht as nuk ju njoh kush jeni, bile sot, jo realisht nuk e di fare se bile ishim atje në anën tjetër duke parë edhe pyeta thashë kush është ky, se mu dukët si një deputet i partisë demokristiane

Tani ajo që unë thashë, edhe një herë se juve ngulni këmbë në të njëjtën gjë dhe me të njëjtat argumente. Unë e njoh vendimin e arbitrazhit dhe pikërisht pse e njoh e kemi sulmuar në të tjera instanca dhe nëse do ishte siç thoni ju, që unë po them nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, në kaq vite ai vendim do ishte ekzekutuar dhe paratë e shtetit shqiptar do ishin marrë.

E vërteta është që ai vendim nuk është ekzekutuar i dashur jurist i panjohur. Sepse ne jemi në disa procese, e kemi kontestuar në rrugët që kemi gjetur dhe deri tani subjekti, jo vetëm nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe nuk ka parë të marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në një telash shumë të madh me republikën e Shqipërisë sepse nga një kundërshtar në arbitrazh është subjekt i të drejtës penale, qoftë këtu qoftë dhe jashtë.

Kjo është e vërteta për këtë pjesë. Dhe paratë e bllokuara të Albcontrol janë në një fond të ngrirë dhe do të preken vetëm kur të mbarojë sqarimi i çështjes. Dhe në ndërkohë, po ju përsëris që vetë SPAK ka hyrë aktivisht në këtë çështje, pikërisht sepse ne qysh në krye të herës kemi qenë shumë të qartë dhe unë ua kam thënë qysh në krye të herës që mos e tallni dhe mos e merrni për budalla popullin shqiptar, duke i treguar se ikën 100 milionë, ikën 450 milionë, ikën 45 milionë, ikën 70 milionë sepse po qe puna për llogari, siç i bën ky popull, nuk i bën njeri dhe prandaj aq mirë e llogarit dhe sa vleni ju saqë në çdo zgjedhje ja u ul çmimin dhe ia u ka bërë si rroba të gabit.

Kështu jeni bërë ju në politikën shqiptare, rroba të gabit ose siç thoshte fort e nderuara Jozefin zhele të gabit!” Top Channel