Vëllezër dhe motra shqiptaro-amerikanë!
Një retrospektivë e pluralizmit shqiptar!
Ardhja e pluralizmit politik në vitet '90 ishte një gëzim i padiskutueshëm për ne antikomunistët, që kishim një bilanc tragjik përndjekjeje politike dhe qëndrese ndaj diktaturës komuniste – nga më të mëdhenjtë në Europë për numrin e popullsisë.
Ne antikomunistët besuam se më në fund shqiptarët do të fitonin lirinë, të cilën e paguan shumë shtrenjtë me humbje jetësh, me burgime politike tragjike dhe me kampe përqendrimi të sundimit stalinisto-enverist, të tipit të Gulagëve të Rusisë sovjetike.
Mbi 6,000 shqiptarë u vranë dhe iu zhdukën kufomat, që nga fëmijët e uritur në kampin famëkeq të Tepelenës, të cilëve u shkaktonin vdekjen nga uria dhe kufomat i hidhnin në lumin e Vjosës!Malet e veriut u mbyllën me trupat e luftëtarëve antikomunistë të tradhtuar nga loja e Kim Filbit, i cili kishte shërbyer në shërbimet sekrete anglo-amerikane dhe informonte diktaturën komuniste të Shqipërisë. Qytetet e Shqipërisë mbusheshin me ekzekutimet e trupave të intelektualëve që kishin kontribuar në dhënien e pavarësisë dhe në ndërtimin e shtetit të parë shqiptar! Këta shqiptarë sot, pas 35 vitesh, nuk kanë një varr në tokën e tyre. Të burgosurit politikë që kryen mbi 917,000 vite burg politik kundër diktaturës, gjatë këtij tranzicioni politik komunist, shumica ikën në botën e amshuar të përçmuar, vetëm me fitimin e lirisë së fjalës.
Establishmenti politik komunist i krijuar në vitet '90 nuk i dënoi krimet e komunizmit stalinist të Enver Hoxhës. Ka 35 vite që parlamenti shqiptar nuk mban një minutë heshtje për të zhdukurit e komunizmit. Nuk ka një muze për krimet e komunizmit. Asnjë parti politike shqiptare që u krijua në vitet '90 nuk u kërkoi falje shqiptarëve për krimet e komunizmit. Shtetit shqiptar hesht ndaj këtyre krimeve, duke ndërtuar ca institucione politike që t'i kalojnë këto krime në harresë.
E kundërta ndodhi me Europën komuniste; ajo e dënoi ideologjinë staliniste në vitin 1956.
Shqipëria ndoqi stalinizmin deri në vitin '90 me ligj diktatorial. Partia e parë opozitare nuk e dënoi ideologjinë staliniste dhe nuk kërkoi që në pluralizëm të dënohej kjo ideologji kriminale. Përkundrazi, partia staliniste e Enver Hoxhës ndërroi emrin dhe u vetëquajt Parti Socialiste, e cila u bë pjesëmarrëse në pluralizëm dhe arriti që brenda 5 viteve të merrte pushtetin me anë të armëve në vitin '97. Kurse Partia Demokratike, jo vetëm që nuk kërkoi vënien përpara ligjit të krimeve që kishin kryer komunistët, por vazhdonte me parulla bolshevike “Poshtë komunizmi”, ndërsa komunizmin nuk e dënoi asnjëherë me ligj.Sot situata në Shqipëri është kaotike. Pasardhësit e stalinizmit të djeshëm nuk kanë mundësi të burgosin apo të pushkatojnë, por sundimin e tyre e kanë kthyer në ligj, duke aprovuar ligje për të mbajtur pushtetin dhe duke nxjerrë jashtë politikëbërjes antikomunistët që e paguan me gjak lirinë.Sot politikanët shqiptarë, bijtë e stalinistëve të djeshëm, e kanë kthyer shtetin shqiptar në një pronë dypartiake, si një shtet fitimprurës për veten e tyre. Në vitin 2008, ata e kthyen votën në një monopol partiak, duke mos e lënë popullin të votojë i lirë. Ashtu siç bëri diktatura në vitin 1976, që e ktheu partinë në shtet, kështu u veprua edhe në vitin 2008. Dhe këtu mori goditjen fatale demokracia e brishtë shqiptare. Pronën ua hoqën pronarëve të ligjshëm për ta vënë në shërbim të pushtetit stalinist dhe pushtetarëve më të korruptuar në kontinentin europian.
Ju, vëllezërit shqiptarë të Amerikës, ikët nga diktatura komuniste me synimin që të mbroni Shqipërinë. Ju e paguat me gjak ikjen dhe u vendosët në Amerikën e lirisë e të vlerave demokratike botërore. Familjet tuaja dhe gjithë rrethi juaj familjar që mbeti në Shqipëri provoi gjenocidin komunist. Ju u njohët me krimet e kryera në familjet tuaja pas viteve '90, kur Shqipëria u hap, dhe patët me sytë tuaj se çfarë krimesh çnjerëzore u kishte shkaktuar partia komuniste familjeve tuaja dhe mbarë antikomunistëve shqiptarë.
Ju, shqiptarët e Amerikës, ndërtuat jetët tuaja në lirinë amerikane, u bëtë biznesmenë, intelektualë të fushave të ndryshme, gazetarë, deri tek Zëri i Amerikës, që për ne në Shqipëri ishte zëri i lirisë së shumëpritur.
Ne, të mbijetuarit e komunizmit që kërkojmë varret për mbi 6,000 të zhdukurit, pa pasur asnjë ndihmë financiare apo ligjore nga shteti i ashtuquajtur “demokratik”, nuk zgjodhëm kanunin “Gjaku lahet me gjak” për këta të pushkatuar e të mbetur pa varr nga pasuesit e politikës staliniste shqiptare që mori peng lirinë dhe demokracinë. Ne zgjodhëm drejtësinë për t'i dënuar krimet. Kjo ishte fitorja jonë morale dhe ligjore, pavarësisht se drejtësinë e kanë në dorë të djeshmit dhe të sotmit stalinistë të politikës shqiptare. Ne antikomunistët, të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, e pritnim si drita diellin që shqiptarët e Amerikës – të ndërgjegjësuar për krimet e komunizmit që u kishin ndodhur familjeve të tyre dhe mbarë antikomunistëve shqiptarë – të ishin mbrojtësit e lirisë sonë në shtetin e lirisë, në Amerikë.
Ne pritnim që ata biznesmenë, intelektualë e gazetarë shqiptaro-amerikanë të lobonin në administratën amerikane që diktatura enveriste të dënohej me ligj. Por kjo për tre dekada nuk ndodhi. Ne, bashkëkombësit tuaj në Shqipëri, nuk kishim as mundësi ekonomike, as mundësi ligjore që të ishim prezentë në Kongresin Amerikan dhe në Departamentin e Shtetit, që Shqipëria të nxirrte para ligjit krimet e komunizmit që kishin vepruar në tre breza.
Vëllezër shqiptarë të Amerikës, sot konstatojmë me keqardhje të madhe se shqiptarët e Amerikës nuk u bënë zëdhënës të lirisë së familjeve të tyre që provuan krimet, dhe të antikomunistëve që i përballuan këto krime në Shqipërinë nënë. Ju u besuat retorikave politike mashtruese të stalinistëve të rinj, që morën pushtetin pa votë dhe e kthyen Shqipërinë në një vend të mbytur nga paratë e drogës, duke blerë edhe individë të administratës amerikane e europiane vetëm për të sunduar me një demokraci fallco e qesharake. Synimi i tyre i vetëm ishte dhe është që klasa antikomuniste të mos drejtojë Shqipërinë.
Ju, me ndjenjën e shqiptarit që po i shërbente shtetit shqiptar, lobuat në Kongres dhe në Departamentin e Shtetit duke përkrahur këta politikanë urrejtës të antikomunizmit shqiptar. Nuk ju fajësoj, por duhej të paktën të pyesnit: “A po funksionon demokracia? A nuk ua kanë shkelur të drejtat juve që përballuat diktaturën?”.
Asnjë lobim, të dashur bashkatdhetarë, nuk keni bërë në Kongresin Amerikan apo në Departamentin e Shtetit për të vënë përpara përgjegjësisë pushtetin “demokratiko-komunist”, i cili nuk iu bashkua Europës për të dënuar krimet e komunizmit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk i ka dënuar krimet e komunizmit. Lobimin tuaj, të dashur vëllezër, e pritnim ta bënit ju, por ju u kënaqët me lirinë e hapjes dhe heshtët.
Pas 35 vitesh shohim me trishtim se si shqiptarët e Amerikës lobojnë në Kongres për jetëgjatësinë e udhëheqësve komunistë dhe nuk lobojnë për krimet e komunizmit. Shpenzohen miliona dollarë për Edi Ramën që ta paraqesin si udhëheqës të Shqipërisë, dhe nuk dërgoni në Kongresin Amerikan thirrjen që u bëri e burgosura politike Lavdie Nela, bashkëshortja e poetit martir Havzi Nela, në protestën 100-ditore të rinisë shqiptare (të cilën e botuan edhe gazetat angleze): “A kanë ndonjë kryeministër tjetër në botë, bir ekzekutori, që të drejtojë një shtet demokratik, përveçse në Shqipëri?!”.
Asnjë reagim nga bashkëkombësit tanë i Amerikë për protestën madhështore të rinisë shqiptare për largimin nga politika të establishmentit politik stalinist që u instalua në Shqipëri gjatë 35 viteve të pluralizmit. Vëllezër shqiptarë të Malit të Zi, ju keni vuajtur nën pushtimin serb dhe jeni organizuar së bashku me shqiptarët e Shqipërisë për të pritur në Miçigan diktatorin e fundit stalinist, birin e ekzekutorit të Havzi Nelës – poetit të varur në litar në kohën e shembjes së Murit të Berlinit – Edi Ramën.
Vëllezër shqiptarë të Malit të Zi, ju sjellim në vëmendje se partia e këtij kryeministri ka mbytur në burgun e Burrelit shqiptarin e madh të Malit të Zi, ministrin e Arsimit të shtetit shqiptar të viteve '30, atdhetarin e madh e rilindasin shqiptar, Mirash Ivanajn. Si mundeni, vëllezër, të prisni një diktator që për 15 vite si kryeministër ka shpopulluar Shqipërinë, duke larguar 1,200,000 shqiptarë nëpër botë?! Si mund të prisni e të loboni për një përfaqësues të forcës diktatoriale komuniste që vrau Mirash Ivanajn, i cili nderon shqiptarinë në çdo kohë dhe ju bën krenarë ju?!Apeli ynë kombëtar për ju është: mos e turpëroni Shqipërinë nënë duke pritur diktatorë. Mirash Ivanaj nga përjetësia u bën thirrje: mos i turpëroni shqiptarët e Malit të Zi, sepse historia do t'ju përçmojë për këto veprime antikombëtare. Vëllezër shqiptarë të Amerikës, loboni që Shqipëria të dënojë këtë klasë politike antikombëtare e komuniste, që mban peng lirinë e shqiptarëve të Shqipërisë!Bojkotoni takimet me këta politikanë që mbajnë peng demokracinë dhe janë puthadorë të Vuçiçit kundër Kosovës martire. Lobimi juaj në Uashington për të dënuar këtë klasë politike dhe krimet e komunizmit do të ishte një shërbim atdhetar për nënën Shqipëri dhe për shqiptarinë në Ballkan.Ndiqni fjalën e Presidentit Amerikan, antikomunistit të madh botëror Donald Trump, i cili ka thënë: “Komunizmi është e keqja e njerëzimit dhe rreziku i Amerikës”.
Loboni në Kongresin Amerikan dhe në Departamentin e Shtetit, dhe jepni përkrahje rinisë shqiptare që proteston prej më shumë se 100 ditësh për një Shqipëri të re – PA KOMUNIZËM! Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

