Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët. Përmes një thirrjeje publike, sindikata fton anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen nesër në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Në njoftim theksohet se pjesëmarrja në protestë lidhet me përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit, por edhe me mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve. “Jemi punëmarrës, jemi prindër, jemi qytetarë. E ardhmja e këtij vendi është edhe përgjegjësia jonë”, shprehet sindikata. Mes kërkesave të renditura janë pagat dhe pensionet dinjitoze, siguria në punë, mbrojtja sociale dhe liria për të folur pa frikë. Sindikata thekson se misioni i saj kërkon të qëndrojë pranë njerëzve dhe të ngrejë zërin për mbrojtjen e dinjitetit të tyre. “Nesër do të jemi në shesh, aktivisht dhe paqësisht, me artin, kulturën dhe fjalën e lirë në krah të qytetarëve. Me besimin se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe shpresë për të ecur përpara”, thuhet në deklaratë.
Thirrja për pjesëmarrje përmbyllet me mesazhin: “Bashkë për dinjitet, për të drejta dhe për një të ardhme me shpresë!”.
Njoftimi:
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë u bën thirrje anëtarëve të saj, artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias t’i bashkohen protestës kombëtare, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
Jemi punëmarrës, jemi prindër, jemi qytetarë. E ardhmja e këtij vendi është edhe përgjegjësia jonë.
Misioni ynë sindikal na kërkon të jemi pranë njerëzve, të mbrojmë dinjitetin dhe të ngremë zërin për paga e pensione dinjitoze, siguri në punë, mbrojtje sociale dhe lirinë për të folur pa frikë.
Nesër do të jemi në shesh, aktivisht dhe paqësisht, me artin, kulturën dhe fjalën e lirë në krah të qytetarëve. Me besimin se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe shpresë për të ecur përpara.
Nesër, ora 11:00, përpara Kryeministrisë!
Bashkë për dinjitet, për të drejta dhe për një të ardhme me shpresë! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

