Detaje të reja prekëse janë bërë publike për 32-vjeçaren Erin Piacenti, një prej viktimave të sulmit me thikë në Times Square, në zemër të New York-ut. Piacenti, e cila ishte zv/presidente në Bank of America, nuk ishte vetëm një profesioniste e suksesshme. Për familjen dhe miqtë e saj, ajo ishte një bashkëshorte e përkushtuar, një vajzë e dashur dhe mbi të gjitha, një nënë e re që sapo kishte nisur një kapitull të ri të jetës.
Erin la pas vajzën e saj Madison, vetëm pesë muajshe.
“Jeta e Erin nuk u përcaktua nga rrethanat e vdekjes së saj, por nga mënyra se si ajo e jetoi atë”, u shpreh familja e 32-vjeçares në një deklaratë.
Të afërmit e përshkruajnë Erin si një grua të përkushtuar ndaj familjes dhe miqve, shumë të zonjën në profesionin e saj dhe një person që sillte ngrohtësi dhe energji te njerëzit përreth.
“Bërja nënë ishte dëshira më e madhe e jetës së saj dhe Madison i dha gëzimin më të madh të mundshëm”, thuhet në faqen e mbledhjes së fondeve të krijuar për të ardhmen e vajzës së vogël.
Erin dhe bashkëshorti i saj, Frank Piacenti, ishin njohur në Fordham University Law School, ndërsa më pas kishin ndjekur karriera në fushën e ligjit dhe biznesit.
Çifti u martua më 10 gusht 2024 dhe po ndërtonte jetën që kishte ëndërruar. Ata kishin festuar përvjetorin e martesës, ishin kthyer nga një udhëtim familjar dhe po përgatiteshin për të ardhmen së bashku me vajzën e tyre të porsalindur.
Vetëm një vit më parë, çifti kishte blerë shtëpinë e tyre të parë në Chester, New Jersey, ku kishin nisur të ndërtonin jetën familjare.
“Të dy po përgatiteshin të ndërtonin një jetë me vajzën e tyre. Ajo jetë ndryshoi në mënyrë të paimagjinueshme në një çast”, deklaroi familja.
Tashmë, shqetësimi kryesor i familjarëve është e ardhmja e Madison, e cila do të rritet pa nënën e saj. Për këtë arsye, familja ka hapur një fushatë për mbledhjen e fondeve, duke u bërë thirrje njerëzve që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e Erin të kontribuojnë për të ardhmen e vajzës.
Vdekja e 32-vjeçares ka tronditur edhe kolegët e saj në Bank of America, ku ajo kishte punuar për rreth 18 muaj si zv/presidente në grupin e përzgjedhjes së biznesit dhe konflikteve.
Kolegët e përshkruan atë si një profesioniste shumë të zonjën dhe të dashur, ndërsa banka shprehu dhimbjen për humbjen e “një kolegeje dhe mike të çmuar”.
Erin Piacenti u godit me thikë nga Pamela Cisneros, 49 vjeçe, nënë e tre fëmijëve nga Queens, e cila sipas autoriteteve kishte pasur probleme kronike të shëndetit mendor.
Në të njëjtin sulm u plagos rëndë edhe Tak Kam, 68 vjeç, një baba nga Rhode Island.
Cisneros u qëllua për vdekje nga efektivët e policisë së New York-ut pasi, pasi sipas autoriteteve, tentoi t’i sulmonte ata duke mbajtur nga një thikë në secilën dorë.
Sulmi i mori jetën Erin në një moment kur ajo sapo kishte nisur të ndërtonte familjen që kishte ëndërruar, duke lënë pas bashkëshortin dhe vajzën e saj të vogël, e cila një ditë do ta njohë nënën përmes kujtimeve të njerëzve që e deshën. Top Channel

